Frroku, kërkesë Belgjikës: Dua të jem në gjyqin tim

Sep 2, 2015 | 8:54
SHPËRNDAJE

Mark Frroku, deputeti i lënë në “arrest me burg” si i dyshuar për një vrasje të kryer në Belgjikë në vitin 1999, nuk heq dorë nga kërkesa për të qenë i pranishëm në gjyqin që do të zhvillohet kundër tij në këtë vend.

Deputeti Mark Frroku
Deputeti Mark Frroku
Këtë të enjte, një kërkesë e firmosur nga deputeti pritet të depozitohet në Gjykatën për Krimet e Rënda në Bruksel. Mbrojtësi i tij ligjor, avokati Sajmir Vishaj, konfirmoi dje se në këtë kërkesë klienti i tij do të shprehë pëlqimin për të marrë pjesë vullnetarisht në seancën gjyqësore të 19 tetorit.

Sipas avokatit, kjo do t’i shërbente procesit të rregullt ligjor, ku çdo i pandehur ka të drejtën e tij të dëgjohet, të shfaqë pretendimet dhe provat e tij. “Bashkangjitur kërkesës që do të depozitohet në Bruksel, do të jetë edhe dosja me të gjitha vendimet e deritanishme të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me procedimin penal ndaj klientit të mbrojtur prej nesh”, tha avokati Vishaj.

REFUZIMET
Kërkesa e drejtpërdrejtë tek autoritetet belge për të qenë i pranishëm në gjyqin ndaj tij vjen pas refuzimit të kësaj kërkese nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë në Shqipëri. Në ditët e para të korrikut, avokatët iu drejtuan prokurorit të Përgjithshëm, për të lejuar praninë e deputetit të paraburgosur në procesin gjyqësor në shtetin belg.

Gati dy javë më vonë, përmes një shkrese zyrtare, Prokuroria e Përgjithshme i bëri me dije deputetit se nuk ishte organi përgjegjës që duhet të japë këtë lloj autorizimi. Burime pranë këtij institucioni sqaruan se për një autorizim të kësaj natyre, deputeti Frroku duhet t’u drejtohej autoriteteve belge. Në vijim, referuar procedurës, nëse pala belge pranonte këtë kërkesë, ishin ata që duhet t’i drejtohen zyrtarisht Prokurorisë shqiptare për një “transferim të përkohshëm” të deputetit.

Po ashtu, vetëm kërkesa nuk mjaftonte, pasi në një situatë të tillë autoritetet belge duhet të japin garanci që do ta mbajnë deputetin në masën e sigurisë “arrest në burg”, për llogari të procedimit të tij penal në Shqipëri. Më pas, deputeti iu drejtua me një kërkesë Gjykatës së Lartë, ku mes tri kërkesave ishte edhe dhënia e pëlqimit për të marrë pjesë në gjyqin e tij në Belgjikë.

Në përfundim të seancës që ktheu nga pushimet pesë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak se u zhvillua më 21 gusht, Kolegji Penal e refuzoi këtë kërkesë. Avokati Visha e konsideroi si shkelje të të drejtave të njeriut refuzimin e gjykatës dhe pohoi se do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për rastin në fjalë.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura