“Frikë” nga Laçi, Anorthosis që dje në Shqipëri

Jul 18, 2018 | 15:55
SHPËRNDAJE

Anorthosis, “frikë” nga Laçi. Edhe pse vijnë me avantazhin 2- 1 në Shqipëri, ky rezultat nuk u jep aspak qetësi qipriotëve. Ata e kanë vlerësuar jashtëzakonisht shumë ndeshjen e kthimit me kurbinasit dhe për këtë motiv kanë vendosur që të vijnë në Shqipëri dy ditë para. Që prej ditësh së djeshme, ata kanë zbarkuar në aeroportin “Nënë Tereza”, pas afro dy orësh fluturimi nga Larnaka në Athinë dhe nga Athina në Tiranë. Skuadra nga Qipro nuk do që ta diskutojë kualifikimin, megjithatë, ai gol i shënuar prej Hoxhallarit ka shtuar “drojën”.

laci

Ata duan që të përshtaten me kushtet klimatike në tokën shqiptare, po mbi të gjitha të shmangin lodhjen e udhëtimit një ditë para ndeshjes. Sulmuesi kryesor i Anorthosis, Sekou Cise, vlerëson kurbinasit. Lojtari nga Bregu i Fildishtë, hapur e thotë që në Shqipëri do tentojnë vetëm fitoren dhe rrjedhimisht kualifikimin. “Ishte shumë e rëndësishme që të fitonim ndeshjen e parë. Gjithsesi, bëmë një pjesë të parë jo të mirë dhe pësuam gol, gjë që nuk duhet të ndodhte. Unë mendoj se rezultati 2-1 nuk është i keq, por duhet të shkojmë në ndeshjen e kthimin me synimin për ta fituar. Goli? Natyrisht, dua të shënoj sa më shumë me fanellën e Anorthosis, por në fund rëndësi kanë rezultatet e skuadrës. Nëse fitojmë, gjithçka është OK”, u shpreh për faqen zyrtare të klubit autori i golit të dytë për qipriotët, menjëherë pas mbërritjes në Tiranë. Sakaq, Anorthosis nuk do të jetë vetëm, pasi pritet që 150 tifozë të udhëtojnë sot drejt Shqipërisë. Në fakt, kaq është kapaciteti i sektorit mik në stadiumin e Laçit.

laci1

STADIUMI – Laçi është gati për të pritur Anorthosis, ndeshje e cila do të luhet nesër në orën 17:00. Klubi prej kohësh ka nisur punimet në stadium për të plotësuar që të gjitha kriteret, të cilat ishin lënë porosi prej UEFA-s. Në një kohë që ndeshja po afron, në këtë impiant janë bërë ndërhyrjet e domosdoshme në tribuna, është gati tuneli dhe fusha është në gjendjen më të mirë të mundshme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura