Frikë në Lezhë, kapen 30 kallëpe tritoli me telekomandë/ Si ra Policia në gjurmët e dy të arrestuarve. Dyshohet se lënda eksplozive do të përdorej nga…

Nov 25, 2021 | 9:04
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Lezhës, pasi u kapën duke trafikuar lëndë plasëse nga Miloti drejt Shkodrës.

Shtetasit Agron Manuka, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Losha, 46 vjeç, banues në Dibër, u kapën në aksin e vjetër Milot, Lezhë teksa po udhëtonin drejt kryeqendrës së Veriut me një makinë të mbushur me eksploziv. Policia sqaroi se brenda çantës u gjetën 30 kallëpe C4, një eksploziv i fuqishëm dhe 17 kapsolla detonatorë. Gjithashtu, u sekuestruan edhe dy aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik gati për t’u montuar me mina me telekomandë.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas që po qarkullonin me mjet nga Miloti në drejtim të Shkodrës dyshohej se po transportonin lëndë eksplozive, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar ‘Pllana’. Në kuadër të këtij operacioni, në aksin e vjetër Milot-Lezhë, në fshatin Pllanë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin I. L., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 30 kallëpe në formë cilindrike me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatorë, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, si dhe një automjet”, sqaroi Policia.

HETIMET

Policia thotë se kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjen e eksplozivit në drejtim të Shkodrës, ndaj i ka mbajtur personat e dyshuar për disa ditë nën vëzhgim. Mbrëmjen e së martës, kur Manuka e Losha u nisën për të dërguar porosinë, blutë u bënë pritë pranë fshatit Pllanë dhe i vunë në pranga. Dyshimet janë se eksplozivi C4 do t’u dërgohej grupeve kriminale që veprojnë në qarkun e Shkodrës. Policia nuk jep shumë detaje për shkak se hetimi vijon, për të zbuluar pritësit e porosisë dhe personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në trafikun e lëndëve plasëse.

Operacionet e Policisë së Shtetit përgjatë këtij viti kanë treguar lulëzim të tregut të zi të armëve dhe municioneve. Nga fillimi i vitit janë sekuestruar rreth 30 mina me telekomandë dhe në pranga kanë përfunduar mbi 15 persona, kryesisht në Durrës, Lezhë dhe Elbasan. Shpeshherë oficerët e Policisë kanë qenë të kamufluar si blerës të tyre. Deri më tani, çmimi i një bombe me telekomandë shkon deri në 3000 euro. Kjo është e disata herë që persona me bomba me telekomandë dhe tritol kapen në zonën e Lezhës gjatë tri viteve të fundit.

Në të gjitha rastet Policia ka arrestuar vetëm transportuesit, ndërsa nuk ka të dhëna mbi bazën e prodhimit të bombave dhe as porositësit, të cilët i blejnë kundrejt shumave të ndryshme parash. Edhe dy të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Pllana”, sipas burimeve, luanin rolin e transportuesve. Të gjitha rastet kanë përfunduar në gjykatë dhe janë dënuar personat e vënë nën akuzë, të cilët kanë rezultuar vetëm transportues. Ata nuk kanë bashkëpunuar me Policinë apo drejtësinë për të dhënë detaje mbi bazën e prodhimit dhe destinacionin e tregtisë së tyre. Nga ana tjetër, Policia në të gjitha rastet i ka ndaluar transportuesit e lëndëve shpërthyese pa mbërritur në destinacion, ndaj dhe nuk është arritur të identifikohen asnjëherë porositësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura