Frika që shkakton shkatërrimi te resorti i Hysenbelliut

Dec 2, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

Artur-Zheji-2-670x450

ARTUR ZHEJI

Shumë kolegë gazetarë dhe analistë sot nuk flasin.

Kjo më tremb më shumë se fadromat apo tritoli i IKMT-së, që po përdoret te “Prestige Resort”.

Sepse pronarët e mediave të tyre nuk duan të flasin në mbrojtje të Irfan Hysenbelliut, aktor i fortë mediatik dhe në konkurrencë të ndershme mediatike me pronarët e tyre.

Herë është frika dhe herë është konformizmi që shprehet me thënien: “Ç’më duhet mua?!”

Nuk marr përsipër të diskutoj mbi legjitimitetin e pronave të Hysenbelliut. As nuk marr përsipër të debatoj në lidhje me “të drejtat e IKMT-së” për të sulmuar resortin e Hysenbelliut.

Por spektakli i “Drejtësisë” dhe i “pushtetit” të ligjit, kur kjo drejtësi duket qartë se vepron në mënyrë selektive, nuk më pëlqen fare!

Thjesht më vret sytë!

Sepse jetoj në Tiranë dhe e njoh shumë mirë informalitetin e qytetit tim. Informalitetin dhe abuzimin e pandëshkuar, që ka gllabëruar dhe gllabëron sipërfaqe të gjelbra duke e lënë Tiranën pa mushkëri.

Informalitetin e çimentos, që bllokon dritën dhe ajrin në mes të qendrës së Kryeqytetit dhe mbi të gjitha me dhjetëra katet pa leje, te të cilat askush nuk guxon të afrohet.

Po i shkruaj këto radhë për “fair play”, sepse më tremb “heshtja” e kolegëve apo e shoqatave të biznesit më shumë se çdo gjë tjetër.

Sepse sot që shkruaj, nuk bëj më pjesë në kompaninë e Hysenbelliut, prej të cilit kam dhënë dorëheqjen para pak kohe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura