Frika për t’u përballur me universitetin

Nov 4, 2015 | 11:44
SHPËRNDAJE

MARK MARKUmarku

    Dje, një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave Sociale kanë sulmuar me vezë Kryeministrin Rama teksa dilte nga një aktivitet në një nga sallat e këtij fakulteti. Ngjarja me të drejtë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe mediave pasi është hera e parë që Kryeministrit të Shqipërisë i ofrohet një pritje e tillë gjatë shfaqjeve të tij në publik. Jemi mësuar ta shohim Kryeministrin shqiptar në këto dy vjet përherë në pozitën e njeriut arrogant që kërcënon, sulmon të tjerët, tall, përqesh. Studentët kanë marrë guximin t’ia kthejnë Kryeministrit arrogancën me arrogancë.

E pëlqyeshme apo e papëlqyeshme skena, ajo është treguesi i parë serioz i zemërimit, poshtërimit, talljes, përbuzjes, fyerjes që një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare ka përjetuar gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes së zotit Rama. Prisni, nuk keni parë gjë akoma- paralajmërohej në një nga pankartat e studentëve të improvizuara enkas për vizitën e papritur të Kryeministrit. Dhe vërtet nuk kemi parë gjë akoma. Shoqëria shqiptare është sot një bombë sociale që mund të shpërthejë nga dita në ditë dhe këtë vetëm qeveria nuk e di apo nuk do të kuptojë.

Që qeveria nuk e ka kuptuar mesazhin, kjo u kuptua nga dhuna që u ushtrua ndaj studentëve prej forcave të policisë. Nuk e kam fjalën këtu për momentin e ndërhyrjes së forcave të sigurisë, pasi ndërhyrja e tyre në momentin e parë ishte ajo që do të bënte çdo grup shoqërimi i një personaliteti politik: neutralizimin e sulmit dhe mbrojtjen e subjektit që ka në mbrojte. Por nga filmimet e bëra u pa që pas neutralizimit të sulmit, forcat e sigurisë i dhunuan studentët fizikisht, pa qenë e nevojshme dhe kjo ndodhi pranë ambienteve universitare, e më pas në zyrat e Policisë së Shtetit, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 25 vjet demokraci, madje as në kohën e diktaturës komuniste.

Mbaj mend se kur shpërthyen revoltat e studentëve në dhjetor të 90-s, trupat e policisë së Hekuran Isait na kanë sulmuar natën e parë vetëm pasi kishim dalë nga Qyteti Studenti dhe ishim drejtuar për në qendrën e Tiranës dhe vetëm pasi kishin negociuar për tri orë me ne në një nga rrugicat që të çonte nga Qyteti Studenti te Liceu që të ktheheshim në Qytetin Studenti. Ditën e dytë na kanë sulmuar tek ish-Ambasada Italiane gjithashtu pasi kishin negociuar për orë të tëra.

Që qeveria nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që ndodhi, kuptohet edhe nga mënyra si propaganda qeveritare dhe zgjatimet e saj në media e interpretuan ngjarjen. U tha dhe u shkrua dje se ai grup studentësh ishte veç një grup i vogël ekstremistësh të majtë, një grup trockistësh çeguevaristësh e gjëra këso dore. U tha gjithashtu se ata ishin të izoluar në rezistencën e tyre kundër asaj që po bën në mënyrë të dhunshme Qeveria me sistemin e arsimit të lartë publik, gjë krejtësisht e pavërtetë. Madje edhe ata që donin ta shihnin në mënyrë pozitive gjestin e studentëve thanë se akti i tyre duhej përkrahur pasi vriste frikën e studentëve dhe pedagogëve. Madje, në këtë kurth ranë edhe disa prej përfaqësuesve të tyre.

Por kjo është krejtësisht e pavërtetë, pasi prej gati një viti e gjysmë bota universitare është përfshirë në një rezistencë të fortë ndaj projektligjit tashmë të bërë ligj nga Qeveria. Pothuajse të gjitha departamentet, këshillat e fakulteteve dhe Senati i Universiteti të Tiranës e kanë hedhur poshtë projektligjin. Forumi për Lirinë Akademike dhe Universitare ka bërë një luftë pa kurrfarë frike kundër variantit të projektligjit dhe këtë të shprehur me dhjetëra herë në takime universitare, në komisionin parlamentar, në media. 210 profesorë të universiteteve nënshkruan një peticion kundër projektligjit.

Nuk di të ketë në historinë e demokracisë shqiptare një ligj më të diskutuar dhe më të refuzuar se ky. Natyrisht, pjesë e kësaj rezistence ka qenë edhe Lëvizja për Universitetin, e cila ka qenë e fokusuar te sensibilizimi i studentëve. Por fakti që pedagogët nuk kanë thyer xhama apo nuk kanë hedhur vezë nuk ka të bëjë me frikën, por me statusin dhe përgjegjësinë e tyre sociale. Edhe pse të vetëdijshëm për problemet që ky ligj do t’u krijonte studentëve, një pjesë e mirë e pedagogëve nuk tentuan t’u drejtohen studentëve, pasi kjo do të thoshte instrumentalizim i tyre.

Por ama, po për shkak të përgjegjësisë që buron prej statusit të tyre social, ata kanë ndërmarrë një betejë të gjatë për të bërë të qartë rreziqet që përmbante ligji. Ishte pastaj problem i studentëve nëse do të reagonin apo jo. Pedagogët (të paktën një pjesë e tyre) reaguan, reaguan fort dhe rezistuan. Qeveria nuk deshi ta kuptojë këtë rezistencë pasi veshët e saj ishin mbyllur nga paratë e klientelës së universiteteve private.

Edhe PD, opozita më e madhe në vend, ka mbajtur një qëndrim krejt të pamoralshëm ndaj ligjit dhe të vjen ndot kur e shikon tani të bëjë si e përvëluar për pasojat e këtij ligji. Deputetët e saj punuan si argatë natë e ditë për përmbylljen e procesit para shtatorit, objektiv ky i qeverisë, pasi në shtator vinin studentët dhe pedagogët dhe ia kishin frikën se do të ndodhte kjo që po ndodh. Kryetari i opozitës Basha gjatë gjithë kohës që bota universitare ziente, nuk bëri një deklaratë të vetme për çështjen, nuk dha një alternativë të vetën për reformën.

Në javën e fundit ai u kujtua dhe thirri disa përfaqësues të rezistencës kundër projektligjit, të cilët ia thanë në sy rezervat e tyre për qëndrimin e opozitës. Aty për aty u pozicionua kundër projektligjit dhe deklaroi se PD do ta ankimonte projektligjin në Gjykatën Kushtetuese, gjë që nuk e bëri duke gënjyer paturpësisht jo vetëm të pranishmit në takim, por gjithë botën universitare dhe tani ka paturpësinë të pretendojë ta shfrytëzojë zemërimin e botës universitare si barut për topat e ndryshkur të propagandës boshe të opozitarizmit.

I vetmi institucion që ka mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm dhe që i është përgjigjur në mënyrë serioze shqetësimit të botës universitare ka qenë Presidenca e Republikës. Presidenti Nishani i dëgjoi me vëmendje grupet e ndryshme dhe e ktheu projektligjin për rishqyrtim në Parlament. Sikur të ishin sjellë të gjitha institucionet kështu, me siguri sot nuk do të ishim duke diskutuar për faktin nëse duhej apo nuk duhej të qëllohej me vezë Kryeministri, por do të ishim duke punuar me përgjegjësi për t’i dhënë sistemit tonë universitar një ligj që do ta reformonte atë rrënjësisht, një ligj që do të formonte bazën e krijimit të një sistemi universitar që do të ishte një themel i fortë për zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura