Frika nga virusi, shkollat drejt mësimit “online”. Ndryshon orari për ato me shumë turne

Oct 17, 2020 | 15:06
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Ndonëse asnjë nuk e dëshiron, frika dhe pasiguria e shtuar me valën e dytë të COVID-19 ka vënë mësuesit në “luftë” me kohën, për të mësuar sa më shpejt se si të japin mësim “online”.

shkolla maska

Për të mos u përballur me kokëdhembjen që u shkaktonin rrjetet sociale në 3-mujorin e vitit që lamë pas, arsimtarë të rinj e të vjetër i janë futur punës për të mësuar platformat, me anë të së cilës duhet të mbajnë lidhur nxënësit me shkollën. Ndonëse duhet ta kishte përfunduar me kohë, që kur nxori skenarët e mundshëm të mësimdhënies në këtë periudhë, Ministria e Arsimit ka nisur trajnimet e mësuesve, duke i paraprirë kështu mundësisë së rikthimit të mësimit “online”.

Në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar u bëhet thirrje mësuesve për trajnime “online” që do mbahen përgjatë 22 tetorit deri më 19 nëntor, ndërsa mësohet se deri tani, nga 28 mijë mësues, rreth 17 mijë prej tyre janë trajnuar për përdorimin e platformave, në rast të rikthimit të mësimit në kushte shtëpie.

Pritshmëritë janë që deri në fund të këtij muaji, i gjithë procesi i trajnimit të detyrueshëm të ketë përfunduar. Paralelisht po punohet edhe me nxënësit.

Në disa shkolla të kryeqytetit, mësuesit kanë nisur shpërndarjen e kodeve të aksesit për çdo klasë, ndërsa në disa të tjera as që flitet për një gjë të tillë.

“S’kemi marrë akoma një njoftim të dytë që mund të vazhdojmë ‘online’, përgatitjet dhe pyetjet nëse jemi gati në rast të një situate ekstreme janë bërë. Për mendimin tim, mësimi ‘online’ është mjaftueshëm efektiv, njohuritë e reja i marrim. Kohë për të mësuar në shtëpi kemi”, shprehet një gjimnaziste e “Sami Frashërit” në Tiranë.

Sakaq, ministrja e re e Arsimit po punon për të siguruar infrastrukturën e mësimit në kushte shtëpie. Me ndihmën e donatorëve, Evis Kushi u ka shpërndarë këto ditë mijëra tableta nxënësve të prekur nga tërmeti, atyre të kategorive në nevojë dhe nxënësve me aftësi ndryshe.

MODELET

U desh kohë që ministrja t’i thoshte “PO” hapjes së shkollave. Një gjë të tillë e bëri vetëm pasi pa modelet e vendeve të tjera.

Edhe kyçja nuk do të ishte një rast i veçuar për vendin tonë. Për më tepër edhe i parashikuar si skenari më i errët, një eksperiencë kjo e përjetuar nga marsi-maj gjatë vitit të shkuar shkollor. Në përplasje me valën e dytë të COVID-19, disa vende europiane në bllokun e masave kufizuese kanë përfshirë edhe shkollat.

Një nga rajonet më të prekura në Itali, ai i Kampanjës e ka bërë fakt të kryer diçka të tillë deri në fundin e muajit. Komuniteti autonom i Katalonias në Spanjë ka zgjedhur të njëjtën rrugë, në përpjekje për frenimin e virusit. Edhe Çekia, e cila ka nivelin më të lartë të infektimeve për frymë në europë, ka rikthyer klasat “online”.

Autoritetet në Moskë deklaruan këtë javë se do të prezantojnë mësimet “online” duke nisur nga java e ardhshme, ndërsa Irlanda e Veriut lajmëroi një mbyllje 2-javore të shkollave. Ndërsa ekonomi të mëdha si Gjermania, Britania e madhe dhe Franca, përpos alarmit maksimal, deri tani kanë rezistuar për të mbyllur shkollat.

SONDAZHI

Ministria e Arsimit ka zhvilluar dy sondazhe me nxënës, prindër e mësues këtë vit shkollor dhe një për atë që lamë pas. Në këtë të fundit, 86.5% e nxënësve të pyetur u shprehën dakord për të marrë mësimet përmes komunikimit “online”.

Por i dyti, në prag fillimshkolle “e rrëzoi” shumë shpejt atë, pasi rreth 90% e të pyeturve ishin pro rikthimit në bankat e shkollës, të gatshëm për të respektuar protokollet.

“RTSH shkolla” është një mjet ekstra që i vjen në ndihmë platformave të mësimdhënies edhe aktualisht, kur disa nxënës, për shkaqe të ndryshme janë të privuar nga shkolla.

Ndryshon orari për shkollat me shumë turne

Afrimi i muajve të ftohtë të vitit, ku edhe errësohet më shpejt, do të ndryshojë orarin për shkollat me shumë turne, ato me 3 apo 4 të tilla. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar kanë bërë me dije se shkollat po punojnë për një riorganizim të ri të klasave, me qëllim që të përfundojnë më shpejt.

Përveç rregullave cunguese të mësimit të mirëfilltë, mësues e nxënës janë përballur me mësim deri në orët e vona. Praktikisht, turni i katërt përfundon në orën 19:45. Në shkollat e mbingarkuara, ato të dëmtuara nga tërmeti që kanë dyndur të tjera, ndryshimi i stinëve e vështirëson edhe më tej situatën. Kujtojmë që ka ende shkolla pa ndriçim apo ngrohje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura