Fredi Beleri fitoi nga burgu, por çfarë do të ndodhë me bashkinë e Himarës? Gerta Meta në Panorama TV: Klima politike, e rënduar! Ka ndërhyrje nga jashtë. Apeli shkon për drejtësinë

May 26, 2023 | 9:37
SHPËRNDAJE

 

Fredi Beleri edhe pse i arrestuar dy ditë para 14 majit, fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie. Ai aktualisht ndodhet në burg dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhe më bashkinë e Himarës.

Ekspertja zgjedhore, Gerta Meta tha në studion e emisionit “Panorama e Mnëgjesit” në Panorama TV se gjithçka është në dorën e drejtësisë, e cila duhet sa më parë të zbardhë këtë çështje.

E pyetur nëse do të ketë apo jo zgjedhje të reja për këtë bashki, Meta deklaroi se fillimisht duhet të flasë sa më parë drejtësia.

“Do gjendet një mënyrë për të pasur në gatishmëri gjithë veprimtarinë e bashkisë. Çështja është çfarë do të ndodhe me kandidatin e sapo konfirmuar për kryetar bashkie. Është një apel, që patjetër duhet një proces gjyqësor që të zbardhë ngjarjen dhe patjetër kandidati të marrë të gjithë rolin e tij për të qenë kandidat për kryetar bashkie apo duhet të përsëriten zgjedhjet nëse ai do të dalë i dënuar.

Klima politike është e rënduar. Kemi parë që ka edhe ndërhyrje të politikës nga jashtë. Është një ngarkesë e madhe politike. Është një problem i madh që të ngarkohet situata politikisht në bashkinë e Himarës, prandaj thirrja i shkon drejtësisë që duhet të jetë i gatshëm për të ndihmuar në mos ngarkesën politike brenda dhe jashtë vendit. Do të ishte e rëndë që ne të kishim një ngacmim të drejtësisë nga ngarkesa politike edhe nga fqinjët. Prandaj duhet një mobilizim që drejtësia të japë vendimin për Belerin”, tha Meta.

Ndërkohë në rastin e kandidatëve të tjerë të cilët janë dërguar në Prokurori për një verifikim më të thelluar, Meta u shpreh se politika duhet të jetë më e maturuar dhe të reflektojë.

Sipas saj, emrat për kryetar bashkie nuk duhet të mbahen të fshehura dhe të publikohen në minutën e fundit, por duhet tu jepet koha institucioneve që ata të verifikohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura