Franca e kërkonte për trafik, lirohet Konjari, miku i Franc Konomit

Mar 14, 2016 | 14:31
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit te Krimeve të Rënda ka caktuar sot “detyrim parqitje” për Domart Konjarin, miku i Franc Konomit, anëtar i bandës së rrugës “Bardhyl”, i kërkuar nga Franca për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik droge.

Domart KonjariSipas vendimit të sotëm, Konjari, lë qelinë menjëhere.

Arrestimi në Kapshticë

Domart Konjari, 42 vjeç, u arrestua në Kapshticë në nëntor të vitit të shkuar. Konjari u kap teksa tentoi të kalonte pikën e kalimit kufitar të Kapshticës me qëllimin për të hyrë në shtetin grek me një pasaportë ku kishte ndryshuar gjeneralitetet, por është zbuluar nga autoritetet.

I shumëkërkuari Konjari, pasi u pengua nga policia, ka tentuar që të korruptojë punonjësin e Policisë Kufitare duke i ofruar 50 euro, me qëllim që ai të lejonte kalimin e tij, por punonjësi ka kërkuar menjëherë ndalimin e tij.

Akuzat

I arrestuari, i njohur si një prej drejtuesve të grupeve kriminale të cilët trafikojnë kokainë në Europë ,ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze për veprën penale të “organizatës kriminale me qëllim trafikimin e drogës”.

Emri i Domart Konjarit është i njohur për Policinë shqiptare, pasi lidhet me bandën e rrugës “Bardhyl”. Ai konsiderohej si mik i Franc Konomit, vrarë në vitin 2010 në Tiranë. Sipas të dhënave të Policisë më herët, Konomi është ekzekutuar një vit pasi iu bë atentat në Spanjë Domart Konjarit.

Atentatet ndaj dy miqve dyshohet se ndodhën për shkak të bllokimit të trafikut të një sasie kokaine për në gadishullin Iberik.

Përplasja mes grupit të Konjarit dhe rivalëve kishte nisur herët, por shpërthyen në vitin 2006, kur mbeti i vrarë Fatjon Naxhaku, në afërsi të “Shkollës së Kuqe” në Tiranë. Naxhaku, 33 vjeç, i cili kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit. Me maskë në kokë dhe pistoletë silenciator në duar, Naxhaku ka mbërritur pranë “Shkollës së Kuqe”, zonë në të cilën banonte Konjari dhe Konomi.

Naxhaku, një kontingjent mjaft i njohur për Policinë shqiptare pasi dyshohej për trafik droge, nuk mundi ta ekzekutonte shënjestrën e tij. Konjari arriti t’ia marrë pistoletën atij dhe ta qëllojë me 4 plumba. Autori kreu dënim të lehtë, pasi u cilësua vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura