FOTOT/ Tren ekspres për xhaz

May 7, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Një stacion në Vorë i krijuar vetëm për një ditë dhe një tren që priste pasagjerë aspak të zakonshëm për një udhëtim drejt Shkodrës. Vajza me fustane me thekë e flokë të harlisura, me dantella e pupla, e djem me kapele, shapka e tiranda. Asnjë zë që njofton se edhe për pak nisemi, pasi të gjithë kanë zënë vendet në vagona.

1

Kushtet në trenat që janë ende ata të kohës së komunizmit janë të pranueshme, ngase frekuentuesit e transportit hekurudhor janë gjithnjë e më të rrallë.

2

Vetëm 60 në ditë janë ata që zgjedhin këtë opsion ekonomik me linjën nga Durrësi në Shkodër. Pasagjerët e pazakontë duken si udhëtarë në kohë. Në tren asgjë nuk të thotë se jemi në 2016.

4

Katër orë kalojnë shpejt mes njerëzve që socializohen, shkëmbejnë biseda e vallëzojnë nën ritmet e muzikës xhaz që nuk ndalet. Yjet e Ditës Ndërkombëtare të Xhazit për festimet shqiptare, trioja e suingut nga Italia nën drejtimin e trombës së të mirënjohurit Michael Supnick, luajnë live.

5

Bota jashtë me stacionet e mjerueshme, gati fantazmagorike duket se nuk ekziston. Brenda, të gjithë flasin me gjuhën e suingut dhe të maratonës së organizuar nga “Hemingway fan club Albania”. Suing bëhet fjalë- kalimi nga vagoni në vagon dhe vetë treni është suing. Katër orët e para në tren ia lënë vendin pasdites me aromë shkodrane dhe xhiros me biçikleta në rrugicat me godinat karakteristike të arkitekturës së viteve ’20-’30 , ndërsa e gjithë pamja ngjall habinë e vendësve që pyesin ç’po ngjet.

6

Muzika suing transferohet në pedonalen e Shkodrës, e më pas në një tjetër koncert në teatrin “Migjeni”. Maratona mbyllet me një festë të madhe në tarracën e teatrit, ndërsa akrepat e orës tregojnë se 30 prilli, Dita Ndërkombëtare e Xhazit sapo është mbyllur për këtë vit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura