FOTOT/ Profesor Emil Doepler, gjermani që dizenjoi flamurin e Princ Vidit

Mar 15, 2018 | 11:39
SHPËRNDAJE

ARMAND PLAKA

Dikur edhe fisnikët shqiptarë dhe oborret e tyre kanë pasur, veç kancelarëve e oborrtarëve të tjerë, edhe heraldët, të cilët duket se nuk kanë pasur asgjë mangët në krahasim me kolegët e tyre në Europë. Por me kalimin e kohës, pas shumë shekujve nën Perandorinë Osmane, kjo traditë thuajse u shua fare, falë edhe mentalitetit të kundërt që bota islame dhe vetë Perandoria Osmane perceptonin në lidhje me heraldikën. Sidoqoftë, në një ringjallje relativisht afatshkurtër të kësaj tradite, duke ia nisur nga gjysma e dytë e shekullit XIX-të dhe fillimi i shek XX, shqiptarët nisën të interesoheshin sërish për simbolet e tyre kombëtare.

Dy stemat "rivale". Majtas gjendet projekti fitues i Prof. Doepler nga Berlini (Marrë nga Österreichs Illustrierte Zeitung, 08.03.1914)
Dy stemat “rivale”. Majtas gjendet projekti fitues i Prof. Doepler nga Berlini (Marrë nga Österreichs Illustrierte Zeitung, 08.03.1914)

Zhvillimet e shpejta shumëplanëshe të fillimshekullit XX, sollën edhe një lloj “dorëzimi” të shqiptarëve në duart e Europës, në një përzierje mes skepticizmit dhe optimizmit, çka paradoksalisht duket se po i ndjek shqiptarët edhe sot e kësaj dite. Sidoqoftë, veç dakordë- simit për të vënë në fronin shqiptar një sovran të huaj, fuqitë europiane e sidomos ajo e cila ndihej më pranë shqiptarëve duke u vetëshpallur si “protektore” natyrale e tyre, Austro-Hungaria, kishte ca kohë që e kishte vrarë mendjen edhe për stemën dhe ceremonialin me të cilin do të përfaqësohej Mbretëria Shqiptare e Vidit.

Kësisoj, stema heraldike e oborrit shqiptar, ka pasur fatin të jetë dizenjuar vërtet nga një emër i madh, i cili mes shumë rivalëve ka dalë ngadhënjimtar dhe njihet gjerësisht në mbarë Gjermaninë si dizenjues i stemës zyrtare të ish-Republikës jetëshkurtër të Vajmarit, dhe për më shumë të RFGJ-së, që u themelua në vitin 1949.

Momente nga ardhja e Princ Vidit në Durrës, 7 mars 1914
Momente nga ardhja e Princ Vidit në Durrës, 7 mars 1914

DY VARIANTET FINALE, NGA BERLINI DHE VJENA

Shtypi vjenez i kohes ofronte në atë periudhe dy alternativat që garuan deri në fund e që dukeshin shumë të ngjashme në pamje të parë, vendin e parë e fitoi projekti i dizenjuar në Berlin nga Prof. Doepler. Nga ana tjetër, shtypi tjeter në Europë, por edhe përtej Oqeanit, (shih: “Albania’s New Flag/Red, Black and White Tricolor, With Skanderbeg Star”, New York Tribune, 01.03.1914, fq. 9) ofron shume shpjegime në lidhje me dizenjimin e flamurit dhe të emblemave princërore të Vidit si Sovran i Shqiptarëve, ku Emil Doepler pra, përmendet si autori i projektit fitues.

Në artikull, flamuri trajtohet si “trikolor” me yllin pesëcepësh të Skënderbeut, dhe përshkruhen gjithashtu me imtësi edhe elementët e tjerë të tij. Në enciklopeditë artistike dhe biografitë rreth tij, 17 shkurti 1914 shënohet si data në të cilën Prof. Doepler-it i njihet hartimi dmth. dizenjimi i flamurit kombëtar, atij tregtar dhe i tre stemave princërore të Shqipërisë. Ato përbëjnë qartazi një kombinim të simboleve shqiptare me ato të dinastisë gjermane “Wied”.

Momente nga fjalimi i Princ Vidit në Durrës, para popullit. 7 mars 1914
Momente nga fjalimi i Princ Vidit në Durrës, para popullit. 7 mars 1914

KUSH ISHTE PROFESOR DOEPLER?

Emil Doepler lindi më 29 tetor 1855 në Mynih dhe ndërroi jetë më 21 dhjetor 1922 në Berlin. Ai ishte një artist dizenjator dhe dekorator e heraldist gjerman, ndërsa njihej gjerësisht si pedagog i artit dekorativ. Doepler ishte i biri i piktorit dhe kostumografit, Carl Emil Doepler, një emër i madh i artit gjerman. Doepler iu përkushtua gjatë gjithë kohës, artit pamor. Mësuesi i tij i parë ishte i ati. Ai u specializua si vizatues dhe piktor për motivet heraldike dhe ato artistike zejtare, por nuk la pas edhe angazhimin në pikturën. Nga viti 1870, ai studioi në Shkollën e Arteve të Muzeut të Artit Zejtar në Berlin. Nga 1873 nisi karrierës si ilustrues i pavarur.

Në 1876/ 77 ndoqi studimet në Akademinë Prusiane të Arteve, në Berlin. Në vitin 1881, nisi punën si mësues dhe në vitin 1889 u bë Profesor po në Shkollën e Artit Zejtar, ku vetë kishte studiuar vite më parë. Në vitin 1888, vizatoi stemën e parë zyrtare për Klubin e Bursave të Tregut Gjerman të Librit. Ndërkaq, shumë stema, logo e objekte të tjera heraldike, nisën të shfaqeshin nën emrin e tij.

Skicë me portretin e Emil Doepler-it, në vitet e rinisë së tij, vizatuar nga kolegu e bashkëkohësi i tij, C. W. Allers në vitin 1877
Skicë me portretin e Emil Doepler-it, në vitet e rinisë së tij, vizatuar nga kolegu e bashkëkohësi i tij, C. W. Allers në vitin 1877

E PËRZGJODHI FRIEDRICH EBERT

Më 11 nëntor 1919, Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Gjermanisë republikane, Friedrich Ebert, e deklaroi projektin heraldik të Prof. Doepler-it si shqytin zyrtar të Gjermanisë. Shqiponja Gjermane e Doepler-it u përdor praktikisht deri më 1928 si stemë zyrtare e Gjermanisë e më pas edhe si një nga stemat e RFGJ-së.

Do ishte sidoqoftë stema e dizenjuar nga Tobias Schëab (1887-1967) në 1926, e përdorur për Ekipin Olimpik të Gjermanisë, e cila nga viti 1928 e deri në 1935, do t’a zbriste disi nga froni Doepler-in, duke u bërë edhe stema zyrtare e Gjermanisë. Por stema e dizenjuar më parë nga Emil Doepler mbeti sidoqoftë në një përdorim të kufizuar për qëllime qeveritare të shtetit gjerman.

Stema e shqiponjës së stilizuar, e cila përdoret sot gjerësisht në institucionet gjermane, duke përbërë gjithashtu një atraksion të vërtetë shumëplanësh, e ka origjinën dhe mbart firmën e Profesor Emil Doepler në vitin 1919.
Stema e shqiponjës së stilizuar, e cila përdoret sot gjerësisht në institucionet gjermane, duke përbërë gjithashtu një atraksion të vërtetë shumëplanësh, e ka origjinën dhe mbart firmën e Profesor Emil Doepler në vitin 1919.

RINGJALLJA E HERALDIKËS NË DY KOHË

Me themelimin e RFGJ-së heraldika nisi të marrë sërish një vlerë të madhe, duke u përdorur si element shumë i fortë identitar për landet e krijuara rishtazi dhe duke u parë si simbol i fortë i decentralizimit, një nga shtyllat më të theksuara në Kushtetutën gjermane të Pasluftës së Dytë.

Kësisoj në vitin 1949, Boni zyrtar adoptoi të trija variantet e stemave të Republikës së Vajmarit, si nderim dhe shenjë rikthimi në vlerat demokratike që ajo përfaqë- soi gjatë ekzistencës së saj. Fati do e sillte që heraldika të rifutej në lojë edhe një herë me Ribashkimin Gjerman, pas vitit 1991, duke dekoruar kështu edhe ceremonialin dhe jo vetëm, të landeve të reja gjermane që lindën si pasojë e reformës administrative pas Ribashkimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura