FOTOT/ Pedagogët francezë: Jeta jonë në Tiranën e viteve ‘80

Apr 22, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Kur kaluan në pikat kufitare në Itali e më pas në SHQIPERIA NE VITET ‘80, FOTO NGA ÇIFTI CHAMPSEIX Jugosllavi, ushtarakët që u kontrolluan pasaportat, i panë me trishtim. Po shkonin drejt Shqipërisë. Mjaftonte ky emër, që ushtarakët të ndienin të rrëqethura. Ata nuk po kuptonin. Kishin dëgjuar, por ajo që do të shihnin e do të jetonin për 6 vjet në Shqipëri, ishte tërësisht jashtë çdo përfytyrimi.

Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix, mes studentëve shqiptarë
Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix, mes studentëve shqiptarë

Rrugë të ngushta, terrene të vështira, shtëpi që mezi mbaheshin në këmbë, gra që mbanin dru ose ujë në shpinë, burra që tërhiqnin këmbët zvarrë mendueshëm, sekretarë partie me kostume të zhubrosura, parulla për “trininë e shenjtë” Enver-Parti-Popull, slogane që të rrëqethnin mishin të i që “Ne, barë hamë e parimet nuk i shkelim”…

Shumë gjëra u sillnin ndërmend Francën e Mesjetës. Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix erdhën në Shqipëri në vitin 1982, në vitet më të vështira dhe të varfra, për të dhënë mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës. Ishin fare të rinj për të përjetuar një eksperiencë të tillë izolimi.

Të ndjekur nga punonjësit e Sigurimit kudo që shkonin, të përgjuar në shtëpinë ku jetonin në bulevardin “Stalin”, nr. 57, të vetmuar pasi kolegët nuk guxonin t’i ftonin për një kafe, të kujdesshëm se mos thoshin diçka të gabuar, ata do të kalonin 6 vite të paharrueshme, për të cilat do të shkruanin në librin e tyre, emërtuar me adresën e vendbanimit “Bulevardi Stalin Nr. 57”.

1Një libër që në vitin ’90 do të qarkullonte nën dorë e do të quhej i ndaluar, pasi fliste hapur për një Shqipëri, që udhëheqja komuniste në agoni përpiqej t’ia fshihte botës. Dhe ja kur, dy pedagogë të huaj, do t’i hapnin botës një dritare mbi atë çka ishte Shqipëria në të vërtetë. Një vend i prapambetur, i varfër, i uritur, i izoluar, plot komplekse dhe tension seksual. Do të kalonin shumë vite që ky libër të vinte në gjuhën shqipe, përkthyer nga Irena Rambi, nën botimet “Papirus”.

Një libër që, pavarësisht se tregon për një Shqipëri të zymtë e të mjerë të viteve ’80, është i shkruar me dashamirësi, ku herë-herë dallohet edhe një ndjenjë e hollë humori, që nuk mund ta shmangësh në një kontekst tragjikomik. Në pjesën e shkëputur më poshtë profesorët francezë tregojnë për vetminë shqiptare, situatën pas vetë/vrasjes së Mehmet Shehut dhe për Bllokun, lagjen më të famshme, më të frikshme dhe më misterioze në kryeqytet. al.mi

TË HUAJ NATEN

Atmosfera që mbretëronte nëpër klasa nuk ish tjetër veçse pasqyrimi i turbullirave që po shkundte shoqërinë në 1982, kohë kur qarkullonin vesh më vesh thashethemet për shuarjen e klanit Shehu. Mehmet Shehu, vullnetar i brigadave ndërkombëtare antifrankiste të 1936-s, ishte një nga inkuizitorët e partisë qysh në krijimin e saj. Komandant i regjimentit të hekurt që shporri trupat naziste nga Tirana në 1944 dhe Kryeministër, ai ishte pasardhësi i Enver Hoxhës. Më 18 dhjetor 1981, shqiptarët me tepër habi morën vesh se ky “kishte vrarë veten”.

Spastrimet pas këtij akti ishin të pamëshirshme: e shoqja, drejtoreshë e kuadrove të shkollës së partisë “Vladimir Iliç Lenin”, si dhe të bijtë u dërguan në internim. Ministri i Brendshëm (Feçor Shehu, nipi i Mehmet Shehut), ministrat e Mbrojtjes dhe të Shëndetit, si dhe një ish-komandant i Shtatmadhorisë, u ekzekutuan në shtatorin e 1983-shit.

SHQIPERIA NE VITET ‘80, FOTO NGA ÇIFTI CHAMPSEIX
SHQIPERIA NE VITET ‘80, FOTO NGA ÇIFTI CHAMPSEIX

Nuk ishte trishtimi i shuarjes së familjes së heroit kombëtar që po i pikëllonte shqiptarët, jo! Mehmet Shehut i ishin druajtur të gjithë sepse njihej për egërsinë e tij të skajshme. Vetë Hrushovi kishte shkruar në kujtimet e veta se Shehu mburrej se kishte vrarë me dorën e vet shumë të burgosur. Njëra nga nuset e djemve i pezmatonte banorët e Tiranës me rrobat shumë të kushtueshme dhe që binin në sy.

Çka i mundonte njerëzit më tepër ishte rënia e nivelit të jetesës, si dhe ashpërsimi i kontrollit policor. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për krizën e rëndë që po kalonte regjimi. Si për dreq, një tjetër çështje, akoma më enigmatike, kishte ndodhur fill para mbërritjes sonë aty duke e përkeqësuar gjendjen.

Në shtator, disa refugjatë antikomunistë kishin zbarkuar në mënyrë të mistershme në një plazh të Jugut. Ardhur me gomone, rreth 30 veta, të organizuar si grup special me në krye Xhevdet Mustafën, u rrekën të hyjnë në rrethin e Vlorës për t’i nxitur banorët e zonës, të njohur për ndjenjat e tyre antikomuniste, që të ngrinin krye. Mirëpo u pikasën dhe pas pesë orë luftimesh, u asgjësuan. Pretendenti për fron, “mbreti” Leka (që jetonte në Afrikën e Jugut) e bëri më të besueshëm lajmin e këtij veprimi, mbi të cilin u tha se “kishte shprehur rezerva”.

KONTAKTE TË NDALUARA

Frika dhe mosbesimi, tashmë të mëdha, u rritën edhe më shumë. Në rrugë, as studentët dhe as kolegët nuk na “njihnin” më. Ose ndërronin trotuar, ose hynin nxitimthi në ndonjë dyqan, ose, kur ishte tepër vonë për këto veprime, kthenin kokën në krah të kundërt. Një ditë, në një rrugicë të vjetër tiranase, u ndeshëm ballë për ballë me një kolege që po shëtiste me fëmijët. Kjo nuk mundi të na shmangte.

E përshëndetëm dhe po i lavdëronim fëmijët. Ajo mërmëriti diçka me një frëngjishte të përafërt, kontrolloi rreth e rrotull me ankthin se mos po e shihte dikush- për fat rrugica ishte bosh- dhe na tha një mirupafshim duke u larguar. Ecte me hapa të shpejtë, ndjemë më tepër trishtim sesa zemërim.

Një herë tjetër, duke u kthyer nga pushimet, patëm vendosur të shëtisim në Tiranë kur pamë drejtuesin e Katedrës së Frëngjishtes jo larg parkut. Mbështetur te biçikleta ndalur anë trotuarit, po bisedonte me një mik. U drejtuam për nga ai. Sapo na pikasi, pa e përshëndetur bashkëfolësin, mori arratinë duke i dhënë biçikletës me sa i hanin këmbët. Të nesërmen, na kërkoi ndjesë për takimin “pak të shkurtër” të së djeshmes! Frika se mos të shihnin të shoqëruar me një të huaj ishte aq e madhe, sa dhe vetë sekretari politik i Universitetit, i cili i bënte studentët të dridheshin kur kalonte korridoreve, nuk u përgjigjej përshëndetjeve tona në rrugë…

Fotografi e realizuar nga profesorët francezë
Fotografi e realizuar nga profesorët francezë

Kolegëve u ishin dhënë porosi shumë të rrepta lidhur me ne. Njëra nga këto porosi, që mes nesh e quanim “Coli me Lolin”, ishte që të mos rrinin kurrë të bisedonin me ne vetëm për vetëm: profesorët mund të na flisnin, brenda mureve të fakultetit, por me kusht që të ishin dy. Një ditë hymë në katedër dhe gjetëm një koleg vetëm. Duke harruar parimet vendëse, iu afruam për ta përshëndetur.

Ajo u zmbraps si me sustë dhe u zhyt në lexim, duke na shpërfillur krejt. Në fillim të qëndrimit tonë, duke dashur ta njihnim pak më shumë jetën shqiptare, i pyetëm kolegët se ku ndodheshin kinematë. Ata ulnin kokën përdhe dhe heshtnin. Ka raste kur është vështirë ta fshehësh hallin që të zë.

Shpjegimin e parë e morëm kur shkuam për herë të parë në kinema. Salla ishte e vjetër dhe publiku i padisiplinuar, çka nuk jepte një “imazh” shumë të mirë të Shqipërisë. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar që spiunllëku ishte aq i pranishëm në Shqipëri, sa që vështirë të dihej ku niste sekreti shtetëror kur dikush fliste haptas.

Shumë herë i patën ftuar kolegët në shtëpi, mirëpo ata gjenin gjithmonë një pretekst: një mbledhje, një gjyshe të sëmurë, foshnja që vuante nga dhëmbët, një kushëri nga rrethet që u vjen për vizitë…

Të lodhur nga këto arsye të kota, ua paraqitëm haptazi kërkesën tonë autoriteteve dhe atëherë na thanë se kishte “disa probleme të vogla”, sepse ne banonim në një pallat për të huaj.

E kishin rreptësisht të ndaluar të na vinin në shtëpi. Për më tepër, kolegët kishin frikë nga mikrofonat e vendosur në apartamentin tonë dhe druheshin se policia mund t’i qortonte për gjërat që mund të thoshin aty. Atëherë kërkuam të na jepnin një apartament në një pallat me shqiptarë, por kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër. Kolegëve nuk u lejohej kurrsesi të na jepnin adresën e tyre sepse kushedi, si tuhafë, ne mund t’u shkonim për vizitë, në gjashtë vjet, nuk na ftuan kurrë…

ARISTOKRACIA E KUQE

Ndërsa Partia Komuniste paraqitet në mënyrë krejt modeste në Kushtetutën e Bashkimit Sovjetik, neni 3 i Kushtetutës shqiptare theksonte: “Partia e Punës së Shqipërisë, pararojë e klasës punëtore, është e vetmja forcë politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë”. Partia nuk ishte një organizatë masash.

Në vitin 1986, ajo kishte 147 mijë anëtarë për një popullatë prej 3 milionë banorësh, pra më pak se 5%. Ajo ka rol ekzekutiv. “Organizatat bazë të Partisë varen nga organet qendrore të Partisë dhe e vendosin veprimtarinë e tyre mbi vendimet e organeve drejtuese të Partisë. Pra, njihet zyrtarisht aristokracia e kuqe e shkolluar dhe e mbartur me një mision të caktuar.

TRINIA ENVER-PARTI-POPULL

Teoricienët shqiptarë e kanë të vështirë ta pajtojnë ekzistencën e kësaj elite me tezën komuniste të “Popullit Sovran”. Megjithatë, çdo gjë ndriçohet më mirë në sajë të koncepteve, tepër marksiste-leniniste, të Mishërimit, të Hipostazës dhe të Zbulesës. Enver Hoxha, i cili deklaronte se e kishte krijuar klasën punëtore në Shqipëri, ishte ati krijues i proletariatit dhe mishërimi i fjalës së shenjtë marksiste-leniniste.

Partia ishte shprehja laike e atit dhe uniteti i saj ishte absolut. Ja se ç’thoshte një parullë: “Uniteti i Partisë është një realitet i sigurt dhe i mrekullueshëm”, kurse një tjetër theksonte “Partia është zemra dhe truri i popullit”. Trinia Enver-Parti-Popull përmendet në unitetin e tyre njësh të quajtur të “Çeliktë”. “Rroftë uniteti Parti-Popull”. “Parti– Enver, jemi gati kurdoherë”, brohorisnin pionierët e vegjël. “Populli në këmbë, me partinë në ballë dhe me shokun Enver në krye”.

Ky unitet duhej përforcuar vazhdimisht, folje kjo e magjishme dhe e kudondodhur që theksonte se kjo lidhje mes të treve ekzistonte, por duhej thelluar edhe më shumë. E pajisur me fjalën e shenjtë të Enverit, Partia ia “zbulonte” atë popullit, i cili ndërgjegjësohej për rolin e shenjtë që duhet të luante. Pra, masat ndërtonin socializmin dhe partia i “ndërgjegjësonte” për këtë.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Kjo dialektikë sillte kuptimin që jep fjalia “Ç’do Populli bën Partia e ç’thotë Partia bën Populli”. Populli drejtohej nga udhëheqës që silleshin si kolonizatorë të vërtetë. Shpesh e kemi pyetur veten nëse këta vërtet donin të dënonin vendin e tyre sepse ai është: i vogël, i varfër dhe me bestytni. Mospranimi i asnjë ndihme nga jashtë, edhe në rast tërmetesh të rënda, nuk kish ndoshta si motiv vetëm krenarinë kombëtare, por edhe vullnetin për t’u pjekur përmes dhimbjes.

Populli mbahej gjithmonë larg. Gjatë plenumeve, parakalimeve dhe festave zyrtare, lagjet ku zhvilloheshin këto ngjarje rrethoheshin dhe ndalohej qarkullimi. Më 1988 lejohej të ecje përgjatë Komitetit Qendror, por vetëm jo në trotuar. Në 6 vjet, shqiptarët kanë fituar të drejtën t’i afrohen trotuarit me 10 metra.

Kur mbaronte ndonjë ndeshje e rëndësishme në stadiumin “Qemal Stafa”, gardhi i jashtëzakonshëm i policëve e pengonte turmën të drejtohej nga Bulevardi i Dëshmorëve ku ndodhen dikasteret kryesore të pushtetit dhe Komiteti Qendror, duke i drejtuar njerëzit për nga rrugët anësore deri te Lana. Deri në 1985, nganjëherë, natën, dy mitraloza të rëndë qëndronin në gatishmëri në të dy anët e bulevardit.

Anëtarët e familjeve të udhëheqësve banonin në Bllok, një “lagje e ndaluar” pas Komitetit Qendror, ruajtur me ushtarë. Këta, me sa duket, janë një lloj garde pretoriane e përbërë prej fëmijësh të udhëheqësve politikë. Një francez që po shëtiste me makinë në Tiranë dhe që nuk e njihte mirë qytetin, deshi të kalonte nga Blloku dhe u ndodh ballë për ballë me dy mitraloza drejtuar në fytyrë.

Thuhej se më 1980-n e kishin vrarë në vend një turist të padisiplinuar. Ah sa imagjinatë ngjallte ky bllok shtëpish! Flitej për gostira, shthurje, thesare të mbledhur… kur u vije rrotull, vije re vilat e thjeshta. Me sa duket, “luksi” i udhëheqësve shqiptarë ishte relativ: ata jetonin si borgjezë të vegjël francezë. Natyrisht, për Shqipërinë që nuk dinte ç’ishte shoqëria e konsumit, ky ishte privilegj.

Njerëzit me pushtet jetonin mes njëri-tjetrit dhe nuk dilnin thuajse kurrë në këmbë nga strofullat e tyre. Anëtarët e Byrosë Politike përdornin “Mercedes” të zinj me perde në xhamin e pasmë, që të mos dallohej kush ishte brenda. Ministrat kënaqeshin me ndonjë “Peugeot”, kurse djemtë e prijësit të vdekur kishin “BMW” dhe “Alfa Romeo”. Në këtë vend të qeverisur nga rreth 20 fise, nuk kishte nomenklaturë.

Ja ç’thoshte Radio Moska e mirinformuar më 1962- shin: “Më shumë se gjysma e 53 anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë janë kushërinj. Në fillim, kemi katër çifte: Enver Hoxha me të shoqen Nexhmije, Mehmet Shehu me të shoqen Fiqiret, Hysni Kapo me të shoqen Vito, Josif Pashko me të shoqen Heleni Terezi. Gratë e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike dhe e Pilo Peristerit, kandidat për anëtar në Byronë Politike, janë motra.

Kadri Hazbiu, kandidat anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Punëve të Brendshme, është burri i motrës së Mehmet Shehut. Vëllai i gruas së Hysni Kapos është Piro Kondi, edhe ky anëtar i Komitetit Qendror…

“Qysh atëherë, disa martesa të tjera i kishin afruar edhe më shumë familjet e udhëheqësve. Byroja Politike ishte një lloj Olimpi i pakapshëm, Partia një kongregatë shumë e mbyllur, kurse populli kishte kishën e vet që përhapte fjalën e mirë: Frontin Demokratik. Në çdo lagje, Fronti kishte një zyrë të vetën ku shpërndante doktrinën, ku zgjidheshin konfliktet e vogla dhe riktheheshin në vijë të drejtë ata që kishin dalë nga udha.

E pamundur t’i shpëtoje Frontit. Ai përfshinte gjithashtu bashkimet profesionale, sindikatat “E drejtuara nga Partia e klasës punëtore”, Bashkimi i Grave dhe i Veteranëve drejtohej nga e veja e Hoxhës. Shqiptarët konsideroheshin nga pushteti si fëmijë që u duhej treguar udha. Ata e përdornin shpesh shprehjen “Do marr leje” në rast se u duhej të bënim diçka të pazakontë.

Marksizmi paraqitej si një profeci e pagabueshme. Pushteti zotëronte të vërtetën e shenjtë në emër të së cilës qeveriste dhe qortonte. Megjithëse e ardhmja e ndritur do të shfaqej një ditë në horizont, ekzistonte kompleksi ndaj demokracisë borgjeze, i cili shprehej nëpërmjet parullës: “Demokracia e vërtetë është demokracia e proletariatit”, parullë e cila rrekej të ngushëllonte proletarët.

Ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në Francë, në mars 1986, televizioni shqiptar shfaqi filmin “Nuk ka tym pa zjarr”, që fliste për historinë e një kandidati të ri për deputet, interpretuar nga Bernard Fresson, jeta politike e të cilit shkatërrohet nga një fotografi e trukuar që tregon gruan e tij në një festë të shthurur.

Fotografi pa skrupuj vritet nga porositësit e manipulimit, çka i shtyn studentët t’i thonë përgjigjet: “Nuk e ditkam, shyqyr që po ma thoni ju edhe që jam mbrojtur në Shqipëri!” Disa guxuan të qeshin. Askujt nuk i bëhej vonë për historinë e ideve. Konceptet e Marksit imponoheshin si një e vërtetë përfundimtare dhe jo si vazhdim i disa traditave.

Për ta, “materializmi” marksist ishte një teori spontane e dalë nga një tru i izoluar dhe gjenial. Kush guxonte të kundërshtonte edhe një pikë të vetme, konsiderohej blasfemues. “Marksizmi” që i ngulitën në kokë popullit ishte më tepër moral: një komunist i mirë duhet të jetë i ndershëm, punëtor, bujar, i gatshëm, vigjilent, vetëmohues dhe besnik ndaj vendit dhe Partisë.

Ky moral shoqëror ishte i ngjashëm me atë të Republikës së Tretë në Francë, terma të të cilit janë përdorur për të hartuar tekstet e librave të gjuhës frënge. Fjalët “punëtor” dhe “borgjez” janë sinonime të “i mirë” dhe “i keq”.

Prandaj edhe për ne, komplimenti më i madh që na ka bërë komisari politik i fakultetit ishte kur na tha: “Ju nuk jeni profesorë borgjezë, por proletarë”. Duke e ndier veten të nderuar, i kërkuam të na sqaronte. Sipas tij, ky emërtim lidhej me faktin se nuk mbanim distancë me studentët dhe nuk i përbuznim ata!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura