FOTOT/ Orët e vizitës së Merkelit në Tiranë

SHPËRNDAJE

Ka një shprehje të vjetër gjermane që thotë se veprimet flasin më shumë se fjalët. Dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel e tregoi më së miri këtë në vizitën e sotme historike.

Ajo, së bashku me delegacionin e saj mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” në orarin që ishte paralajmëruar. Asnjë minutë vonesë.

Më pas, eskorta e saj u nis drejt Tiranës, ku kryeministri Rama priste në Kryeministri kancelaren gjermane. E veshur thjeshtë, si gjithnjë, me një xhaketë thuajse rozë dhe pantallona të gjëra të bardha.

Merkel zbriti nga automjeti që e shoqëronte, por vetëm pas rrotullimit te sheshi “Nënë Tereza”, duke respektuar kështu rregullat e qarkullimit rrugor.

Ishte një Merkel ndryshe nga ditët e fundit, ku çështja e krizës greke e kishte lodhur. Ishte një Merkel e freskët dhe e ndezur, ashtu sikurse ngjyrat e rrobave që kishte zgjedhur të vishte.

Ajo ishte e rrjedhshme dhe e qeshur. Përshëndeti me dorë qytetarët që ishin mbledhur në krah të Kryesisë së Kuvendit, që dëshmuan mikpritjen shqiptare.

Dhe pas kësaj, u takua me kryeministrin Rama. Të dy qëndruan drejt përpara flamurit kuqezi. U luajtën dy himnet respektive dhe më pas pati duartrokitje si në një ndeshje futbolli kur luan Gjermania, e cila është shumë e dashur për një pjesë të mirë të tifozëve shqiptarë.

Aty, Merkel sërish u ngroh dhe përsëri i përshëndeti qytetarët që kishin dalë ta prisnin. Pas prezantimit të dy delegacioneve, Merkel dhe Rama hynë në kryeministri.

Nisi takimi me dyer të mbyllura, ndërsa Rama e shoqëroi Merkelin të shihte Kryeministrinë. Ajo u ndal përpara portretit të Ismail Qemalit, kryeministrit të parë shqiptar.

Pas pak minutash, diku nga ora 15:40 nisi konferenca e përbashkët. Merkeli ishte sërish e qeshur. Falënderoi shqiptarët për mikpritjen dhe foli drejt për azilantët dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Për çështjet e BE-së dhe marrëdhëniet në Ballkan pamë një Merkel të ftohtë por të qartë. E ndërsa nisi konferenca pyetje-përgjigje me gazetarët buzëqeshja u bë sërish tipar dallues te kancelarja. U shkëmbyen batuta dhe më pas ajo u nis për të takuar Presidentin Nishani.

Pas takimit me të, u ritakua sërish me Ramën në Forumin Ekonomik ku ishte i pranishëm edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Atje ajo foli për punësimin dhe ishte e vendosur për ta ndihmuar Shqipërinë, jo përmes lëmoshës, por përmes mundësive reale për punësime profesionale.

Nuk munguan as batutat mes saj dhe kryeministrit Rama, po aq sa edhe temat për futbollin. Pas konferencës, Merkel u nis për në aeroportin “Nënë Tereza” për një tjetër vizitë, kësaj radhe në Beograd. 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

2 KOMENTET

Comments are closed.