FOTOT/ Nis aksioni, Veliaj bën zap karburantet, e fillon nga… “Veliaj Petrol”

Aug 10, 2017 | 12:16
SHPËRNDAJE

Siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për mbylljen e pikave të karburantit pa licencë ushtrimi aktiviteti. Edhe pse, s’ka asnjë lidhje mes dy fiseve, kryebashkiaku Veliaj duket se ka zgjedhur një fabul për këdo biznes karburantesh që nuk paguan prej vitesh detyrimet ndaj Bashkisë. Pika e parë e karburantit që po bllokohet është pikërisht “Veliaj Petrol”, pranë zonës së Pallatit me Shigjeta në kryeqytet, e cila e ushtronte aktivitetin e saj pa dokumentacionin e nevojshëm.

veliaj petrol

Që në orët e para të mëngjesit, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me atë të Shtetit, si dhe tatimet dhe ISHTI, kanë bllokuar njësinë “Veliaj Petrol” të shitjes me pakicë të karburanteve dhe të gazit të lëngshëm për automjetet.

Institucionet e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me organet e tjera shtetërore do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme dhe do të bllokojnë të gjithë këto aktivitete tregtare, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.

Veliaj e paralajmëroi goditjen një ditë më parë duke theksuar në një intervistë televizive se “nëse 93% e familjareve paguajnë me korrektesë taksat modeste të Bashkisë, atëherë dhe biznesi duhet të bëjë të njëjtën gjë. Pas një beteje jo të lehtë, ndërtuesit po paguajnë 10-fish taksën për ndërtimin. Atëherë dhe milionerët e karburanteve duhet të paguajnë taksën e licencës së shitjes me pakicë në qytet”.

Në Tiranë numërohen 173 karburante të cilët kanë probleme me sigurinë në zona urbane, burim aksidentesh dhe cilësi që lë për të dëshiruar. Ky numër është ndër më të lartët për banorë në rajon e për më tepër shumica nuk paguan detyrimet lokale. Fill pas deklaratës së Veliajt, pronarët e karburanteve kanë nxituar të aplikojnë për licencat duke derdhur detyrimet në Bashki. Autoritet lokale do të bëjnë dhe mbyllje definitive të shumë karburanteve pa leje për të ulur numrin e lartë të këtyre pikave në qytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura