FOTOT/ Nga “Valuta” te Dyqanet me Komision, ku mund të blije mallra nga jashtë në Tiranën e pasçlirimit

Oct 24, 2019 | 10:49
SHPËRNDAJE
Shitësja Naile Bylyku/ Dyqani i “Valutës”
Shitësja Naile Bylyku/ Dyqani i “Valutës”

UVIL ZAJMI/ Ju kujtohen dyqanet e valutës, ato me komision, aty ku tregtohej e blihej mall “ndryshe”, në vitet e para pas çlirimit? Bëhet fjalë për dyqane të hapura, të lejuara dhe të kontrolluara nga shteti, ku çdo gjë këmbehej me valutë: Nga njëra anë shteti, që me këto forma e dyqane kishte gjetur një mënyrë për të mbledhur floririn, dollarin e sende të çmuara nga persona, familje, dhe nga ana tjetër njerëz që merrnin para, të ardhura nga shitja e tyre.

Këmbimi bëhej me një kartëmonedhë të posaçme, të cilën e shpërndante vetëm Banka Shqiptare, me të cilën mund të blije vetëm në dyqanet e valutës, ku tregtoheshin kryesisht mallra të ardhura nga jashtë, deri edhe ato ushqimore. Madje, mbi kartëmonedhë shkruhej: “E vlefshme vetëm për dyqanin e shitjes me ar dhe valutë”. Dyqanet e valutës, ato me komision, kanë ekzistuar thuajse në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, nga Korça, kur një e tillë ka qenë përballë sallës së vjetër të Pallatit të Kulturës, apo Dyqanit të Rakos, ngjitur me kinema “Gramozin”. Pastaj në Durrës, në bulevardin kryesor, apo në Shkodër, në shëtitoren tradicionale, sot “pedonalja” pranë Gjuhadolit.

“Aty kam blerë manikyrin e parë, ka qenë viti ‘58, do martohesha dhe ishte dhuratë e burrit”, kujton profesoresha Lili Bleta për “Panorama”.

Por, ai i Tiranës ka qenë i veçantë, madje jo vetëm ai. Dyqanet më të njohur ishin tre: Dyqani i Valutës, “Zingoni” dhe ato me Komision. “Zingonin” dhe atë të “Valutës” i bashkonte Rruga e Postës, i pari në krye të kryqëzimit me Rrugën e Barrikadave, ndërsa tjetri para se të dilje te sheshi “Avni Rustemi”. Ndërsa ato me komision kanë qenë disa, që e kanë ndryshuar vendin kohë mbas kohe. Ishte një mekanizëm që ka funksionuar të paktën për një 20-vjeçar, nga vitet ‘50 deri në ’70, duke u bërë dyqanet e modës, stilit dhe më të preferuarat, ku blinin njerëzit e elitës, por jo vetëm.
pazari

“VALUTA” TEK ISH-BANJAT PUBLIKE, PROJEKT I ITALIANIT FOGAR

Ndërtesa e ish-Valutës u ndërtua nga familja Demneri në fillim të viteve ‘30, me projektin e një arkitekti të njohur italian, Luigi Fogar, një ndër të njohurit edhe në grupin e arkitektëve të Pallatit të Brigadave. “Ai u ideua për hotel dhe si banjë publike në Tiranë, e para e atij lloji jo vetëm në kryeqytet, por edhe në Shqipëri. Tre kate, një dyqan nga një për secilin e vëllezërve Ali, Zyhdi e Xhavit Demneri. Kati i parë ishte salloni me shërbime, permanent, berber, ndërsa pjesa anësore për bateritë e dusheve. Pasi u shtetëzua më 1946, kati i parë u përdor për shumë vite si dyqan i valutës, ndërsa sipër, rreth viteve ’50, ka qenë edhe redaksia e gazetës “Luftëtari”.

Kishte një hyrje kryesore, pasi të tjerat u bllokuan, bashkë me vetrata të mëdha xhami. Në vitin 1970, afërsisht, kur u mbyll valuta, u transformua në një “pastrim kimik” gjigant për kohën, i vetmi në Tiranë, madje edhe në Shqipëri. Shërbente kryesisht për diplomatët, familje e njerëz të elitës. I tillë vazhdoi deri në vitin 1990″, thotë Famir Mneri për “Panorama”. Pas ’90-ës, ishte gati projekti për t’u hedhur në Parlament, që edhe ajo ndërtesë të trajtohej si ato të shërbimeve, pra, si godinë publike “pastrimi kimik”, por u kundërshtua nga pronarët dhe ky projekt nuk u realizua.

Edhe dyqani me komision ka qenë një mënyrë shkëmbimi dhënie-marrje, shitje malli nga marrëdhënie e familjarëve, individëve me shtetin, një formë që ka funksionuar për shumë vite. Të paktën në vitet ‘50-60 ishin mjaft të frekuentuar nga ata që dërgonin mallin për ta shitur dhe ata që e blinin. Në kryeqytet kanë qenë disa, që me kohë kanë ndryshuar vendet. Ismail Tërshana, dekoratori, zbukuruesi për një gjysmë shekulli i vitrinave të dyqaneve kryesore të Tiranës, i njohur me emrin “Mali”, kujton: “Në ato dyqane çonin sende të çmuara, të persekutuarit, ish-tregtarë e pasanikë, deri edhe nga Shkodra i binin aty. Aty motra më ka blerë një pallto të mrekullueshme. Ka qenë viti 1960, kur kam filluar punë si zbukurues i dyqaneve”.

Si funksiononte dërgimi i pakove nga jashtë dhe si tërhiqeshin?

Familjarëve ose individëve që u sillnin pako nga Amerika, Italia, u vinte fletënjoftimi nga Posta Qendrore, ku informoheshin se u kishte ardhur një pako. Disa i dërgonin te dyqani me komision, disa jo, se kishin frikë nga Sigurimi, që i njihte ata, të cilëve të afërmit u dërgonin nga jashtë.

Pse i çonin te dyqani me komision?

Ka qenë një formë e organizuar nga vetë shteti. Ishte kohë krize e madhe ekonomike, aplikoheshin tollona, autorizimi, jo vetëm për ushqime, por edhe për veshmbathje. Ato ishin i vetmi vend apo dyqan i sigurt për të shitur diçka personale. Paraprakisht, një komision i vlerësonte, jepnin më pas një faturë, duke marrë një përqindje. Lekët t’i jepnin kur malli shitej. Për mjaft familje ishte një ndihmë e madhe për të jetuar.

Çfarë malli tregtohej aty?

Mall i ri, por edhe i përdorur në gjendje shumë të mirë, me veshje të reja ose të përdorura, copa, stofi, ora dore, veshje, pallto, këpucë, apo plaçka të tjera. Blinin edhe vetë ata që i kishin çuar kur shihnin çmime të leverdishme. Në atë dyqan, kujtoj, që motra më bleu një pallto të mrekullueshme. Tek ai i Pazarit të Ri shiteshin qilima, sixhade, aparate fotografikë, deri edhe gjëra të çmuara, si unaza me vlerë. Edhe vetë shteti kishte raste kur dërgonte mall aty. Kujtoj që edhe motorë MZ, 120 kubikë janë tregtuar, kushtonin 2000 dollarë.

Ju kujtohen disa nga dyqanet me komision të Tiranës?

Dyqani me komision ishte te Rruga e Barrikadave, pranë ish-Muzeut të Luftës, dyqanit të sportit, afër “Shekos”, tregtarit korçar me metrazhe. Një tjetër, në Rrugën e Durrësit, pranë kryqëzimit me Ministrinë e Arsimit dhe rrugën “Fortuzi”. Një tjetër në rrugën “Qemal Stafa”, përballë hyrjes anësore të Pazarit të Ri. Një tjetër tek ish-Rruga e Postës, pra, kanë qenë disa. Dhe kanë funksionuar deri nga mesvitet ‘70. Në vitrinat e tyre nuk kishte dekorime, zbukurime.

banka
Kartëmonedhë e kohës, me të cilën mund të blihej në dyqanet e valutës

Po emra shitësesh, a mbani mend?

Një ndër shitësit e paharruar të dyqanit me komision ka qenë Ismail Alla. Pastaj, nëse nuk gaboj, Drita Sata, Engjëllushja, në dy dyqane të ndryshme.

Ish-shitësja Naile Bylyku: Si funksiononte “Dyqani i Valutës”

“Aty blinte gruaja e Kont Ferrës e Pal Mirashit. Thyheshin xhamat kur shiteshin pardesy me reflekse”. Kështu tregon Naile Bylyku, që ka shërbyer për vite me radhë në “Dyqanin e Valutës”.

Ka qenë viti 1962, kur Naile Bylyku filloi punë pikërisht, në “Dyqanin e Valutës” si shitëse. “Isha pa punë, kur në një mbledhje sporti, Enver Rada i thotë një drejtuesi që ‘Bylyku, kapiteni ynë i ‘17 Nëndorit’ e ka gruan pa punë’. ‘Ashtu,-tha ai,-ajo do fillojë punë te Valuta’. Dhe të nesërmen, në prani të zv/drejtorit të Valutës, Vait Zelka, nisa punë”, shprehet Nailja.

Si e kujtoni fillimin në punën e re?

Isha e ndrojtur dhe donim një punë më të lehtë. Nuriu, burri im, futbollist, kishte marrë fletë për të filluar tek artistikja “Migjeni”, se isha qëndistare shumë e mirë. Ishte ai që nguli këmbë, dhe praktikisht nisa punë në pavijonin ushqimor. Punonim me orar, dy herë në ditë, 8-13 dhe 16-19. E diela ishte pushim.

Sa dyqane valute ishin në Tiranë?

Tre: I madhi me një banak në formë U-je, me veshje, metrazhe, gjithçka, ishte kati i parë i ndërtesës së ish-banjave, te Demnert, siç njihej, dhe tjetra ushqimorja ngjitur me të, dy ndërtesa që janë ruajtur edhe sot. E treta, ajo e mobilieve me valutë, ishte te rruga “Qemal Stafa”, pranë shkollës “Fan Noli” dhe Pazarit. Hilmia dhe Vlefta kanë qenë disa shitëse të dyqanet e valutës. Në këto dyqane blihej edhe me valutë abone.

Si funksiononte dyqani ku punonit ju?

Tek ushqimorja ku tregtohej djathë, gjalpë, vaj etj., ishim tri gra që shërbenim: dy shitëse, unë dhe Sadije Mara, përballë njëra-tjetrës dhe nën krah, në ballë të hyrjes ishte arkëtarja Zylfije Gabrani. Çdo blerje paguhej tek arkëtarja.

Si veprohej me valutën?

Nga monedha e huaj deri te sendet e çmuara, shteti t’i konvertonte me kartëmonedhë valutë, kështu quhej. Njerëzit që u vinin dollarë amerikanë, kanadezë, australianë i këmbenin, duke marrë valutë dhe Banka Qendrore ishte i vetmi vend zyrtar, që ajo mund të shkëmbehej. Vlera ishte 1 me 5, pra 1 lek valutë-5 lekë tonat.

Cilat blinin te “Dyqani i Valutës”?

“Dyqani i Valutës” kishte klientët e tij, frekuentues të rregullt. Kujtoj gruan e Kont Ferrës, atë të Pal Mirashit. Sportistë, artistë, shkrimtarë, intelektualë, qeveritarë, zyrtarë, por edhe njerëz të thjeshtë. Një mall i valutës, nga të gjithë, kuptohej ku e kishe blerë, si të veçanta, për nga cilësia e kualitet i lartë. Por, aty blinin të gjithë, kush mundej, edhe me para nga tregu i zi.

Kishte edhe treg të zi?

Sigurisht. Madje, pranë dyqaneve qëndronin persona që fshehurazi këmbenin paranë me valutë.

Çfarë malli tregtohej te valuta?

Malli kryesisht vinte nga vendet e Lindjes. Ishte mall i mirë, i preferuar. Te sektori i metrazhit, veshjeve, ishin tri shitëse, midis tyre Serverte Alla, Leni. Në atë të këpucëve, çadrave, Niqi Egzarka dhe një arkëtare, Tefta. Te dyqani i tretë, ai i mobilieve, ishin shitëse Ikbale Bego dhe Violeta. Ishte gjë e veçantë për kohën, kur dikush kishte blerë një “dhomë gjumi me valutë”.

maks]

Zakonisht i kujtojmë dyqanet e para ’90-ës edhe për radhët e gjata, po aty?

Kur dilnin pardesy me reflekse, që visheshin nga dy krahët, 4000 lekë kushtonin, apo stof kinez, 5300 lekë, një hekur rumun, filxhanë kafeje, çadra, apo këpucë çeke me gomë peshku etj. Me 9 mijë lekë valutë, blije një frigorifer “Fiat”, afërsisht 45 mijë lekë për kohën. Kishte radhë që në orët e para të mëngjesit dhe në mjaft raste thyheshin xhamat kur hapej dyqani.

I kontrollonte shteti dyqanet e valutës?

Në mënyrë sistematike, pasi ato ishin dyqane të preferuara edhe si vende pune. Kishte kontrolle me blerës provokues, për të parë nëse abuzohej apo jo.

Edhe kontrolle sanitare?

Sidomos tek ushqimorja. Kishte raste kur mbi bidonët e vajit, qarkullonin edhe minj. Kujtoj, u lajmërua Qendra Sanitare dhe doktor Luloçi ngriti një komision. Erdhën e bllokuan disa ditë valutën ushqimore, pasi vendosën sende ushqimore me helm për të eliminuar minjtë.

Kur u mbyll valuta?

Rreth viteve ‘70. Më 1972, pasi bëra një kurs dyvjeçar për shitëse, fillova në NTU, në Trupin Diplomatik, fillimisht te ndërtesa përballë Parlamentit sot, ku ishin një ushqimore, fruta-perime dhe dyqani i mishit, me Dem Demnerin dhe Myrveten. Funksiononte si vetëshërbim për të huajt. Pastaj, ai u transferua te Blloku i Ambasadave te Rruga e Kavajës.

Dyqanet e preferuara në vitet ‘50-’60

Një nga dyqanet e preferuara ishte ai ku blinin anëtaret e Byrosë Politike, qeveritarë, ministra, familjet e tyre. Ndodhej në rrugën midis Pallateve Agimi e Shallvareve, ish-lokal Berlini. Ka funksionuar të paktën një dhjetëvjeçar, midis viteve ‘50-‘60. Një ushqimore, por edhe një magazinë me veshje, ishte në dispozicion të udhëheqjes. Malli u dërgohej në shtëpi qeveritarëve, zyrtarëve me automjete, vënë qëllimisht për to, shoqëruar gjithmonë me një faturë mujore. Në mjaft raste, në emër të tyre merrnin edhe të afërm dhe shpenzimet vendoseshin në llogarinë e qeveritarit. Një tjetër ishte ai i Diplomatëve, posaçërisht e vetëm për trupin diplomatik. Ai që mbahet mend ende është ai te ndërtesa përballë Parlamentit sot, ngjitur me ishBibliotekën Kombëtare, një ndërtesë dykatëshe e bukur, që ka mbetur edhe sot e pandryshuar. Dyqanet ishin në katin e parë, ai ushqimor, fruta-perime, i mishit, dhe blerja ishte me para shqiptare. Duke qenë se aty filluan të futeshin edhe qytetarë të ardhur, fshatarë, që nuk dinin kujt i shërbehej, një fakt i tillë u bë problem e me dyshime nga Sigurimi dhe pas viteve ‘70, ai u shpërngul, duke u vendosur brenda Bllokut të Ambasadave, ku janë sot. PANORAMA.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura