Fotot nga paparazzi/ Pas problemeve me drogën, Kastro Zizo shfaqet i relaksuar në krah të partneres së re

Aug 13, 2022 | 18:33
SHPËRNDAJE

Kastro Zizo është ndër personazhet më kontrovers në vendin tonë. Artisti ka treguar se i tillë është edhe në jetën private. Baba i tre fëmijëve, ai ka pasur raporte me ulje-ngritje nga ku edhe kanë ardhur në jetë tre fëmijët e tij. Por ndryshe nga historitë e mëparshme, këtë herë Kastro kishte vendosur që ta mbante sekret identitetin e partneres së tij.

Vitin e kaluar, Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, u bë baba për herë të tretë. Partneren e tij, Sara, artisti e mbajti të fshehtë deri kur ajo solli në jetë djalin e pagëzuar me emrin Dante. Këngëtari na e prezantoi partneren për herë të parë pikërisht në ditën e lindjes së saj, ku bashkë me postimin e një fotoje me të, shkroi statusin: “Edhe 100 shpirt! Të dua!”.

Këtë herë paparaci i “Panoramës” e ka fotografuar çiftin në rrugët e Bllokut, ku duken të dy veshur sport, teksa po ecin në këmbë. Ashtu si shihet edhe nga fotot, Sara është veshur me pantallona të shkurtra dhe kanotiere. Për t’u ‘maskuar’ partnerja e këngëtarit mbante syze dhe kapele, por duket se fama e Kastros e ka tradhtuar çiftin. Qëkur u zbulua lajmi për lidhjen e re të tij, Sara ishte një emër shumë i lakuar, por pak e njihnin imazhin e saj.

Vetë Klevis kishte zgjedhur që ta mbante sekrete këtë histori, si dhe imazhin e partneres së saj, duke preferuar ta shijojë këtë histori larg famës. Por teksa janë bërë prindër të Dantes, duket se nuk i ka rezistuar dot dëshirës për të prezantuar edhe dashurinë e tij. Megjithatë, si një natyrë mjaft e tërhequr nga rrjetet sociale, të pakta kanë qenë daljet e tij me Sarën. Vetëm pak kohë më parë, në një rrëfim të tij të sinqertë, artisti zbuloi vështirësitë që kishte kaluar në jetë prej alkoolit dhe abuzimit me drogën.

Gjatë një interviste të dhënë në “Ditë pas Dite”, artisti rrëfeu një nga momentet më të vështira të jetës së tij. Ai foli hapur për abuzimin me alkoolin dhe drogërat, si dhe pasojat që i kanë sjellë. Kastro rrëfeu gjithashtu momentin kur ka vendosur që të heqë dorë përfundimisht nga veset e tij.

“Jam paragjykues ndaj të gjithë pijanecëve sepse e kam kaluar dhe njerëzit habiten që kam këtë qasje timen ndaj njerëzve që pijnë alkool sepse kam pirë vetë. Dhe në fakt habitem si më kanë duruar njerëzit kur unë kam qenë ashtu. Alkooli është ndër elementet më shkatërrues të njerëzimit. Vendosa të heq dorë kur pashë që marrëdhëniet e mia sociale me të dashurën, me shokët, me njerëzit që punoja, me fëmijët, ishin drejt një rrënimi pa futur fare që do të ishte ndoshta e para, rrënimi im psikologjik apo rrënimi im fizik.

Gjithë ai abuzim ka kosto në trupin tim, por ishte një natë që pata një luhatje tensioni të fortë. Realisht ishte një natë që pashë… isha pranë vdekjes. Me një tension që vetëm po rritej… Ishte një vendim i asaj nate, isha me babain në urgjencë, d.m.th., ishin një sërë faktorësh që hoqa dorë. Për fëmijët e mi, sepse vij nga një ambient që rrethohem me dashuri”, tha Kastro Zizo.

Po ashtu, ai shtoi se “shtylla” ku është mbështetur në periudhën e vështirë të largimit nga pijet alkoolike dhe drogërat ka qenë bashkëshortja e tij Sara, e cila sipas Kastros ka ndër të tjera nerva të hekurta që arrin ta përballojë, por duke qenë mirënjohës që i ka qëndruar gjithnjë pranë. “Pija alkool për t’i shpikur halle vetes. Doja të dhunoja veten, të tjerët, doja të dukesha keq te të tjerë. Kalova disa muaj pendesë psikologjike, për të gjithët ata njerëz”, tha Kastro.

Ai foli gjithashtu edhe për familjen e tij, së cilës i është përkushtuar plotësisht kohët e fundit. Ai është baba i tre fëmijëve, dy nga martesat e para, dhe një me partneren e tij aktuale, Sarën. Kastro u tha se djali i tij i vogël, Dante, i ka ndryshuar jetën dhe të qenit baba 36 vjeç e ka bërë të kuptojë më shumë gjëra, ndër to se dëshiron të bëjë edhe më shumë fëmijë në të ardhmen.

“Te çuni i dytë dhe fëmija i tretë, mosha, pjekuria, kam përshtypjen kryesisht mosha është ajo që më ka ndryshuar. Kur jam bërë baba për herë të parë kam qenë 21 vjeç, tani e kam djalin 16 vjeç. Herën e dytë me vajzën kam qenë 28 vjeç. D.m.th., ki parasysh moshën, ki parasysh elementët alkoolikë, ki parasysh jetën që bëja, nuk kam qenë babai ideal. Por nuk ka shumë baballarë idealë.

Të bëhesh baba 36 vjeç qenka një gjë… i paalkoolizuar, i padroguar, pa të gjithë këto veset e këqija u bëke baba i përkushtuar. Kam një dedikim të jashtëzakonshëm ndaj djalit. Të tre janë shumë të lezetshëm, por ky i vogli… Nëse unë thosha që do e mbyllja me tre fëmijë, por pa katër nuk e mbyll”, rrëfeu artisti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura