Opozita ka vendosur që të marrë një sërë aksionesh që kryesisht konsistojnë në protesta në sallën e Parlamentit, por edhe gjatë zhvillimit të komisioneve të ndryshme, në Kuvend.
Deputetët iu desh të përballeshin me Gardën për t’u futur në sallën e Kuvendit, ku përplasjet nuk munguan. Natyrisht që deputetët e Partisë Demokratike ia dolën që të futeshin në ambientet ku edhe po zhvilloheshin komisionet, por jo pa dëmtime.
Deputeti Asllan Dogjani duket se ka mbetur i lënduar, teksa po përpiqej të futej në Kuvend. Ai shihet në hyrje teksa shikon krahun, që me gjasa i është dëmtuar gjatë përpjekjeve për tu futur brenda.
Ndërkohë Etilda Hoti, e cila është një deputete që s’ka spikatur kurrë në aktivitetet politike të organizuara, ndjek me rigorozitet të gjitha seancat plenare.
Deputetja e PD-së ka preferuar që të qëndrojë larg zhurmës së deklaratave të kolegëve të saj. Dhe duket se kjo foto është padyshim treguesi më i mirë i angazhimit të saj politikë.
Teksa kolegët e saj po zhvillonin një aksion të ashpër opozitar për tu futur në ambientet e Kuvendit, deputetja e re ka zgjedhur që këtë pamje ta shijojë nga salla e komisionit, ku edhe po merrte pjesë.
Si një spektatore, më shumë sesa një protagonist, Elda ka preferuar që skenën ta xhirojë me telefonin e saj, por jo të bëhet pjesë e këtij aksioni, që duhet thënë kryesisht kishte më shumë protagonist meshkuj.