Fotot në bulevard dhe antifashizmi fasadë

Nov 15, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

ENRIKETA PAPA papa

Që prej fillimit të muajit nëntor, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” valëviten fotografi të përmasave gjigante të heronjve të popullit, që Bashkia Tiranë i ka vendosur për dekor me rastin e 75-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Përveçse kuriozitetit për të ditur se cili institucion shkencor apo akademik, përveç atij bashkiak, ka vendosur për të varur ato foto të mëdha, një tjetër nxitje për këtë shkrim u bë ndjesia për të kuptuar të vërtetën pas atyre fotove gjigante të “heronjve”. Cilët janë ata/ato? Kur janë shpallur heronj dhe heroina të popullit? Kur u vranë? Para apo pas 1945? Mbi të gjitha, a duhen varur në bulevard fytyrat e heronjve, prej të cilëve ka edhe nga ata që kanë faj në vendosjen e diktaturës së proletariatit dhe kanë qenë vegla të diktaturës në persekutimin komunist? Si përkujtohen ngjarje sensitive si Lufta Antifashiste, kur studiuesit ende debatojnë mbi të vërtetën e luftës?

Përkujtimi ka të bëjë me kujtimin dhe gjurmimin e së kaluarës dhe ka një rëndësi të madhe për identitetin e një grupi apo komuniteti. Tekstet e shkruara, muzeumet, fotografitë, monumentet, të gjitha mund të shërbejnë për të përkujtuar ngjarje, njerëz, vlerat apo të kaluarën e një komuniteti. Gjithsesi, duke parë ato fotografi s’ka se si të mos mendosh se si një bulevard, që mban emrin “Dëshmoret e Kombit”, merr kah dhe shndërrohet në një muze publik, që ekspozon historinë e heronjve të Luftës Antifashiste në Shqipërinë posttotalitare. Thënë ndryshe, ai bulevard i mrekullueshëm i planifikuar dhe i ndërtuar pikërisht në ato vite të vrullshme shndërrimesh politike dhe ekonomike nga ata që na pushtuan më 1939, kthehet më 2019 në një muze gjigant të kujtesës, na shfaq një imazh gjigant gjithëpërfshirës, në kuptimin që Assman (totalisierende Visionen) i jep së kaluarës së shfaqur në përvjetorët përkujtimorë të mbushur plot me elemente pseudo-sakrale. Pikërisht në këtë bulevard, me këto imazhe gjigante të një realiteti të caktuar historik, e kaluara shndërrohet në vend kujtese (realm of memory), e cila rikonstruktohet dhe konceptualizohet. Përmes ekspozimit të atyre fotografive të heronjve/heroinave të popullit, instancat publike marrin pozicion dhe u kujtojnë dhe u tregojnë njerëzve versione “zyrtare & publike” të një historie të përbashkët, gjithëpërfshirëse.

Sipas Anderson, një histori e përbashkët është një element thelbësor në konstruktimin e një “komuniteti imagjinar (imagined community), përmes të cilit individë apo grupe përfytyrojnë vetveten si anëtarë të një kolektivi, të një populli me një të shkuar dhe një të ardhme të përbashkët. Prandaj dhe politika e përfaqësimit historik publik paraqitet si një politikë kryesisht konsensuale, duke “ngritur në qiell” besimin nacional dhe civil përpara ndryshimeve shoqërore. Megjithatë, kundërshtitë mbi faktin se si duhet përkujtuar e kaluara – si mbi faktin se si kanë ndodhur ngjarjet, apo ç’lloj ngjarjesh duhen treguar – janë një fenomen universal. Për Burke, shpesh ndodh që historitë e “fitimtarëve” tregohen për dekada me radhë dhe kryesisht kanë mbështetjen e njerëzve që janë në pushtet. Politikanët apo njerëzit me pushtet mund të manipulojnë kujtesat, duke kushtëzuar rrëfimin e një lloj historie, duke i nxitur njerëzit të mendojnë në një mënyrë të caktuar dhe grupe të fuqishme mund të reklamojnë ato versione mbi ngjarjet, që iu vijnë për shtat apo pasqyrojnë nevojat e tyre. Burke gjithashtu pohon se, “historia edhe mund të harrohet nga fitimtarët”, duke lënë në hije ngjarje që nuk u interesojnë, apo që duan t’i anashkalojnë e lënë në harresë.

Sa nga ato heronj dhe heroina përfaqësojnë historinë gjithëpërfshirëse të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ata që ngritën armët kundra fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë? A janë ekspozuar në bulevard fotot e Abaz Kupit, Safet Butkës, Hysni Lepenicës, Skënder Muços, Muharrem Bajraktarit dhe patriotëve të tjerë që luftuan kundra pushtuesve? Ku janë bazuar politikanët e Bashkisë Tiranë në vendimmarrjen për të identifikuar heronjtë e Luftës Antifashiste vetëm me heronj të shpallur gjatë komunizmit në Shqipëri dhe për t’ua ekspozuar qytetarëve të vërtetën historike të ndërtuar kësisoj gjatë periudhës së diktaturës së proletariatit? A përbëjnë ato foto të vërtetën objektive mbi Luftën Antifashiste, apo janë fasadë të një të kaluare të përbashkët të shoqërisë shqiptare? E vërteta e Luftës Antifashiste është monovokale, apo multivokale, me shumë kontradikta dhe kundërshti, apo të gjithë bien dakord se formacionet partizane dhe partizanet e rënë në luftë për çlirimin e atdheut ishin të vetmit që ngritën armët kundra pushtuesit? Sa nga ata në foto vdiqën gjatë Luftës Antifashiste/ sa nga ata përfaqësojnë Shqipërinë komuniste? Sa nga ata kanë kontribuar me funksione politike pas 1945? A shërbejnë ato foto për të kujtuar “të kaluarën e lavdishme” e LANÇ-in, version zyrtar dhe hegjemonik i ndërtuar gjatë diktaturës, përjashtues ndaj alternativave sfiduese?

Shumë studiues i përshkruajnë praktikat dhe paraqitjet e historisë publike si instrumente të luftës për hegjemoni midis grupeve të ndryshme sociale. Studiues si Foucault, Mosse apo Samuel e identifikojnë historinë publike me “master narrative”, që elitat politike nga lart ua imponojnë qytetarëve të tyre poshtë. Imagjinata historike e përhapur nga qeveria dhe nga masmedia përkrahin “komunitetin imagjinar” dhe shtypin kujtesat autentike lokale dhe kujtesat e grupeve apo identitetet kolektive. Paraqitjet/përfaqësimet historike publike si p.sh. ekspozita, memorialët e luftës apo ceremonitë përkujtimore shpesh janë të dykuptimta, me qëllim për të kënaqur grupe/fraksione të caktuara sociale. Ato kështu nuk janë kujtesë kolektive, por më mirë me thënë janë “kujtesa të mbledhura” – pra, kujtesa të veçanta, shpeshherë edhe kontradiktore, të cilat bashkohen në një vend të vetëm (bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Fotot e heronjve të popullit). Në të tilla përkujtime dhe memorialë, kujtesa është monovokale dhe s’lë vend për versione të tjera se si e kaluara kujtohet. Aq më tepër, përjashton dhe margjilizon ato grupe që e kundërshtojnë versionin publik mbi të kaluarën, duke i lënë në harresë

Të gjitha këto lloj funksionesh të kujtesës përmblidhen në tri kategorizime, që sipas Adeleide Assman janë: funksioni legjitimues, delegjitimues, si dhe përzgjedhës i kujtesës, ku gjithmonë kujtesa lidhet si një proces selektues i atyre që vendosin mbi përkujtimin apo harresën e ndodhive domethënëse të së kaluarës për grupin a komunitetin kolektiv. Në rastin e fotove në bulevard, Bashkia Tiranë vihet në rolin e historibërëses, duke u imponuar qytetarëve versione të një historie të kaluar, e cila jo gjithmonë është paqtuese. Përkundrazi, për një shoqëri posttotalitare si shoqëria shqiptare, popullit i imponohet një version hegjemonik i historisë, i cili është tepër kontradiktor, ku dhe vetë historianët ende zhvillojnë debate të nxehta mes tyre, në kërkim të së vërtetës objektive.

Historia është shkencë selektive, përzgjedh ngjarje, personazhe apo vende, të cilat i përdor për të treguar të kaluarën. Por ato që lexojmë në librat historikë, ato që përkujtojmë nga imponimi hegjemonik publik mbi të kaluarën tonë, apo ato që kanë ndodhur në të kaluarën, nuk janë të gjitha ato që në të vërtetë kanë ndodhur. Përkundrazi, në librat historikë gjejmë ato ngjarje a personazhe, të cilat janë përzgjedhur nga historianët për t’u futur/shkruar aty në interes të legjitimimit politik. Megjithatë, jo çdo gjë mund të shkruhet në një libër shkollor të historisë, aq më tepër në libra që janë shkruar gjatë komunizmit në Shqipëri (Yjet e pashuar) mund të merret si e vërtetë historike objektive sot, nga këndvështrimet e një shkence të lirë nga shabllonizmat ideologjike dhe të përzgjidhet për t’iu ekspozuar qytetarëve si e vërtetë historike absolute. Kështu që, patjetër që del e nevojshme të përzgjidhen ngjarjet e së kaluarës që do të paraqiten në tekste, por gjithsesi aspekti selektiv ka përbrenda edhe aspektin subjektiv dhe vetë historianët e dinë që nuk janë perfektë në shkrimin e historisë. Por sot mund të paraqiten edhe versione të tjera të ngjarjeve apo historisë, përpos atij zyrtari, duke nxitur dhe mendimin e pavarur. Megjithatë, ekziston rreziku që në këtë paraqitje të alternativave në narrativën historike të përfundohet në paraqitjen e historisë nga dy këndvështrime, atë pozitiviste, të drejtë dhe në atë negativen apo të gabuarën. Pra, paraqitja e historisë në dy pole, pohuese dhe mohuese. Por kjo do ta shndërrojë historinë në një sallë gjyqi, ku paraqiten vetëm dy versione të faktit apo dy versione të ngjarjes, ku në fund vendoset se versioni i gabuar është ai gënjeshtari.

Historianët janë të ndërgjegjshëm se njerëzit e kanë tepër të vështirë dhe nganjëherë të pamundur të besojnë se ekziston më shumë se një version i “saktë” mbi të njëjtën ngjarje. Pse? Pasi tradicionalisht, në shkolla e tekste shkollore, në përvjetorë përkujtimorë, siç është dhe rasti i fotove në bulevard, historia është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet nga një plan njëdimensional, pa debate dhe kundërshti. Por çdo gjë në publik paraqitet si një histori e plotë e ngjarjeve, pa u lënë vend mëdyshjeve. Një interpretim hegjemonik i së shkuarës, e cila vazhdon të konfliktojë shoqërinë posttotalitare shqiptare.

*Pedagoge, Universiteti i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura