Gjuetia e paligjshme po rrezikon zhdukjen e disa llojeve të rralla të kafshëve e shpendëve kryesisht në zonën mes Pukës dhe Mirditës. Në malin e Munellës vazhdon aktiviteti i paligjshëm i gjuetisë pavarësisht moratoriumit nga Ministria e Mjedisit për ta ndaluar atë.
Në mal dhe zonat rreth tij rriten arinj, derra të egër, lepuj të egër, gjela të egër e kafshë të tjera me gëzof vazhdojnë që të jenë shënjestër e gjuetarëve apo edhe banorëve të zonës. Një kaproll ose i quajtur ndryshe dre i vogël është masakruar ditët e fundit edhe pse është një nga llojet e rrallë që kemi në Shqipëri.
Disa derra të egër të vrarë e të rreshtuar janë bërë gati për t’u shitur ose gatuar në ndonjë restorant siç ndodh rëndomtë. Fotot i ka bërë një qytetar që nuk ka preferuar të identifikohet gjatë lëvizjeve për biznesin e tij nëpër Shqipëri.
Qytetari A.F në rrjetet sociale shprehet me këto fjalë: “Vazhdon masakra. Me ligj e ndaloni me vepra kurrë nuk e ndaloni. Vetëm vazhdoni e masakroni kudo”, ndërsa poston pamjen e kaprollit të vogël.
Munella është një nga vendet ku deri para pak vitesh jetonte edhe rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) por që sot mendohet të jetë zhdukur për shkak të gjuetisë barbare pa asnjë kriter, që siç duket edhe nga fotografitë e shkrepura pranë malit vijon të lulëzojë.
© Panorama.al














