FOTOT/ Jugu, vendi i VIP-ave, si erdhi për pushime në ‘85 Albano Carrisi. Sa frekuentohej bregdeti jonian para ndërrimit të sistemeve

Sep 1, 2020 | 13:58
SHPËRNDAJE

Albano Karrizi-Prodi-vizita-KsamilNGA UVIL ZAJMI

Ajo ka qenë një vizitë e paprogramuar nga askush dhe pa asnjë protokoll zyrtar. Gjithçka, surprizë. Ishte pranverë e vitit 2005, kur Romano Prodit, ish-Kryeministrit italian të ndodhur në Shqipëri për motive pune, i kanë propozuar, organizuar dhe rezervuar një udhëtim drejt Sarandës, Ksamilit. Për këtë vizitë të rrallë na rrëfen Rexhep Korbi, “Xhepja” siç e njohin të gjithë në Ksamil, administrator i një lokali të thjeshtë, pas të cilit ish-Kryeministri italian u dashurua nga mikpritja e gatimi. Kjo ishte arsyeja që ai e shtyu edhe një ditë më shumë qëndrimin e tij në Ksamil.

Ndonëse kanë kaluar shumë vite, ajo ka qenë dhe mbetet ndër vizitat më të paharruara për Rexhep Korbin, familjen e tij, edhe pse të tjera personalitete kanë ardhur, qëndruar, frekuentuar, larguar e rikthyer tek ai. Midis tyre, politikanë shqiptarë e persona të njohur. “Ajo me Romano Prodin ka qenë dhe mbetet krejt ndryshe. Ruaj foton, të cilën e kam vendosur në një vend të dukshëm. Një njeri i thjeshtë, komunikues, shumë njerëzor. I pagoi vetë të gjitha shpenzimet”, rrëfen për gazetën Korbi.

Gazetari A. Shqarri duke intervistuar kengetarin Albano, Ksamil 1985 (1)

SARANDA, KSAMILI I PREFERUAR PËR VIP-AT E FAMSHËM E ‘MISTERIOZË’

Ajo linjë bregdetare në perëndim të Shqipërisë, në veçanti ajo joniane, nga Karaburuni ku bashkohet apo ndahet Adriatiku me detin Jon, është krejt ndryshe. Ndonëse periudhë e frikshme pandemie, frekuentimi i asaj zone nuk ka munguar, të mbrojtur, por edhe jo, me maska, por edhe pa to. Një udhëtim që nis nga Muzina apo nga Parku i Llogarasë, zbritja, fshatrat që kalon njëri pas tjetrit, të gjitha rrugët të çojnë në Sarandë, Ksamil dhe Butrint. Dikur, ajo ngjitje apo zbritje ka qenë e vështirë në ato rrugë, thuajse e pamundur. Më ka qëlluar kur shoqëroja një grup me turistë italianë, para ’90-ës, që në ngjitjen e Llogarasë më kërkuan të ndaloja autobusin për të vijuar në këmbë nga frika, ankthi që i përfshiu.

Tash e kaherë, shumëçka ka pësuar ndryshime kolosale të paimagjinueshme dhe ajo vijë joniane mbetet e preferuar, jo vetëm për popullsinë, turistët, por edhe për mjaft personalitete të njohura të artit, politikës vendëse, deputetë, kryeministra shqiptarë e të huaj, deri edhe presidentë. Por edhe për xhirime filmash, për aksionet e famshme të rinisë, deri edhe arratisjet e bujshme. Sidomos në të kaluarën, ajo zonë ka qenë pak e njohur nga izolimi, censura, mbyllja gjysmëshekullore.

Ksamili

Disa dekada më vonë, shumëkush e kujton tentativën për ta kaluar me not ngushticën e Otrantos drejt Vlorës, nga notari italian me profesion avokat, Poalo Pinto, në vitin 1985. Pastaj arratisjet e bujshme. Mbi të gjitha, kur anija me familjarë himarjotë, njerëz të besuar u larguan në formë ekskursioni nga Himara, për të mos u kthyer më dhe kërkuar azil politik në Greqi. Kush e kujton, ka qenë një ndër arratisjet më tronditëse për diktaturën. Apo ajo e dy motrave e vëllait, që nga Saranda tentuan të arratisen drejt Korfuzit me not në një natë të errët, të frikshme, duke shmangur prozhektorët dhe sistemin ruajtës. Ndërsa dy motrat mundën të shpëtojnë falë një anijeje që i ndihmoi, vëllai humbi jetën në atë rrugëtim drejt shpresës. E kundërta, kur personalitete të artit zbresin në Sarandë, Butrint, Ksamil.

Ndër ta këngëtari Albano, i cili kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, nga Saranda dha një intervistë me gazetarin Ahmet Shqarri. “Ishte surprizë, – kujton Shqarri. Takimi me të erdhi falë ‘Rrethit Çiklistik’. Ka qenë verë e vitit 1985, ndodhesha në Gjirokastër, pasi kishte përfunduar gara e një etape, në hotel ‘Turizmi’, krejt papritur shoh një person që e kisha parë në televizionin italian. E njoha. Ishte këngëtari Albano. U interesova dhe pas prezantimit, me shumë mirësjellje e lamë të takoheshim të nesërmen në Ksamil. Ka qenë ndër intervistat e mia shumë emocionale, të paharruara, por ajo u dha pas dy muajve në TVSH, kur Albano ishte larguar prej kohësh nga Shqipëria”, përfundon Shqarri.

Ishte korrik 2011, Roger Taylor, bateristi i grupit të famshëm “The Queen” i Fredi Mërkurit, zbret në Sarandë. “Për të mos u identifikuar nga publiku dhe gazetarët, ai ka humbur në morinë e grupeve të vizitorëve të huaj, që iu drejtuan qytetit antik të Butrintit. Kuriozitet i tij ka qenë edhe Kalaja e Lëkurësit dhe qyteti i Sarandës, nëpër të cilin ka lëvizur me këmbë dhe pa u njohur e pa u shqetësuar nga askush. Pas një qëndrimi prej 10 orësh në “kryeqytetin” veror të turizmit shqiptar, Taylor dhe familja e tij kanë bërë rrugën e kthimit, duke lundruar me jahtin e tyre drejt ishullit të Korfuzit”, shkruan “Telegraf”. Në vitin 2012, një tjetër yll i muzikës rrok raportohet të ketë kaluar në ujërat shqiptare. Bëhet fjalë për këngëtarin e famshëm Jon Bon Jovi, i cili sipas mediave tona ka shëtitur me jaht bregdetin e jugut, nga Vlora në Sarandë. Ndonëse autoritetet portuale nuk jepnin informacione zyrtare për këtë vizitë private, raportohej se pas Shqipërisë jahti luksoz i është drejtuar Korfuzit.

Në fakt, lajmi për turistët e veçantë (me Bon Jovin kanë qenë edhe persona të tjerë me rëndësi, por që identiteti i tyre nuk bëhet i ditur) ka dalë fillimisht nga Korfuzi. Në qershor 2019, kantautorja dhe modelja e njohur, bashkëshortja e ish-Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, Karla Bruni, vjen në Butrint për të kënduar në një koncert që u mbajt në mbrëmjen e 21 qershorit, në ditën e Festës së Muzikës.

Duke u prezantuar për herë të parë para publikut, ajo interpretoi disa nga këngët e albumit të ri të saj. “Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe uroj të mos jetë e fundit. Herën tjetër do vij sërish me fëmijët për të ndenjur disa ditë me pushime”, ka deklaruar ajo. Qershor 2020. Kritiku italian i artit dhe politikani i njohur Vittorio Sgarbi i ndodhur në Palasë, ka tentuar të lahet, por dallgët e mëdha ia kanë vështirësuar notimin. “Sgarbi u zhduk papritur në det për shkak të dallgëve, por më pas u shfaq përsëri, duke u përpjekur për të dalë në breg. Ka qenë vajza e tij Alba dhe një roje shpëtimi nga vendpushimi, të cilët e ndihmuan që të dilte nga deti. Në këtë incident, Sgarbi humbi syzet e tij që nuk i heq kurrë”, kanë komentuar mediat shqiptare vizitën e fundit të tij në atë zonë të Shqipërisë.

1977, Romano Prodi ne Vlore.
1977, Romano Prodi ne Vlore.

KUR PRODI VINTE NË VLORËN  E NDEZUR E TË TRAZUAR

“Mëngjesin e 13 prillit 1997, tre helikopterë ushtarakë të marinës italiane zbritën në një zonë të pabanuar në Vlorë. Në njërin prej tyre udhëtonte Kryeministri italian, Romano Prodi. Ai ishte nisur për të takuar kreun e qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino, dhe Presidentin Sali Berisha, por s’mund të vinte pa u kërkuar ‘falje’ vlonjatëve për atë që kishte ndodhur, fiks 15 ditë më parë nga tragjedia e Otrantos. Vlora ishte nën terrorin e bandave në atë periudhë dhe nga pamjet duket qartë se si njerëz të armatosur me kallashnikov shoqëronin eskortën e tij.

Ai ndaloi disa minuta në Vlorë duke dhënë mesazhe paqeje dhe duke premtuar ndihma nga qeveria italiane, për t’u nisur sërish me helikopter për në Tiranë”, referon shtypi i kohës. E tillë ka qenë atmosfera, situata tejet e tensionuar, një Shqipëri e përfshirë nga revoltat popullore, kaosi, depot e armëve të hapura, njerëz të armatosur kudo. Sigurisht që mbërritja e tij pati jehonë. U zhvilluan takime me zyrtarë e drejtues të shtetit, u shtri dora për bashkëpunim, shpresë, mbështetje që jepte dhe garantonte Italia fqinje për Shqipërinë e goditur.

Ish kryeministri italian Romano Prodi dhe familja e Rexhep Korbit, Ksmail 2005
Ish kryeministri italian Romano Prodi dhe familja e Rexhep Korbit, Ksmail 2005

Ka qenë dhe mbetet një ndër vizitat më të bujshme, të rëndësishme, nisur nga rrethanat kur ai zbriti, qëndroi dhe u largua nga Shqipëria. Por, nuk ka qenë e vetme. Më pas ai është rikthyer sërish, sigurisht në situata krejt ndryshe, tejet paqësore, si një mik i hershëm, i respektuar nga shqiptarët. Me profesion jurist, docent universitar, ish-Kryeministër dy herë i Italisë, President i Partisë Demokratike italiane, ish-kryetar i Komisionit Europian, ish-ministër i Drejtësisë dhe i Ekonomisë, deputet, i mbiquajtur “profesor” për statusin akademik që ka, një ikonë e politikës italiane./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura