FOTOT/ Ekspozohen për herë të parë urdhrat dhe librat e ndaluar në diktaturë

Feb 28, 2020 | 13:55
SHPËRNDAJE

unnamed (1)

ANILA DEDAJ/ “Muaji i kujtesës”, përmbushi ciklin në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Ditën e djeshme, përmes ekspozitës “Libra të ndaluar në komunizëm”, vizitorët patën mundësi të shikonin nga afër tituj veprash të ndaluara, si dhe një sërë dokumentesh arkivore të mundësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit, ku pasqyroheshin udhëzimet e politikat e sistemit komunist, që çuan në marrjen e masave të veçanta ndaj tyre.

87578497_2605056929778296_6587711204716707840_o

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, u shpreh se “bashkëpunimi me Arkivin e Shtetit, përmes urdhëresave të Ministrisë së Arsimit, na bëjnë të kuptojmë më qartë logjikën e një periudhe kohore që po harrohet”.

Ai sqaroi më tej se, nëse te veprat e para të ndaluara autorët konsiderohen si bashkëpunëtorë të fashizmit, gradualisht nis lufta ideologjike me pushtetin. “Fillimisht ndalimi u bë më vendim gjykate e më pas me urdhra partie”, tha ai. Dhe në fakt, saga e censurës në vendin tonë nis me autorët e konsideruar si bashkëpunëtorë të armiqve të popullit. Është 27 marsi i vitit 1948 dhe Partia lajmin e kobshëm për vendimin e Gjykatës Popullore e boton në gazetën “Bashkimi”.

87887683_2605056616444994_7301702238676713472_o

Urdhri është i prerë, në të thuhet se “duhet të hiqen nga qarkullimi një sasi librash e të përkohshmesh të dëmshme për shoqërinë” dhe se vendimi duhet aplikuar në të gjithë vendin. Në krye të listës qëndron At Gjergj Fishta, i cili pasohet nga të tjerë autorë, si: Mid’hat Frashëri, Kristo Floqi, Hamit Gjylbegaj, Pjetër Gjini, Mehdi Frashëri, Terenc Toci, Ernest Koliqi, Gjon Shllaku, Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Mustafa Kruja, Justin Rrota, Tajar Zavalani, Kristo Dako e shumë të tjerë.

87644852_2605056959778293_1771048559282487296_o

Vendimi i Gjykatës shoqërohet edhe me një artikull-akuzë ndaj autorëve të mësipërm, ku goditjet më të rënda janë ndaj Fishtës. Në këtë shkrim të botuar 78 vite më parë tentohet të justifikohet vendimi, duke theksuar se i përgjigjet dëshirës së “masave punon jëse, si dhe të rinjve e intelektualëve progresistë të vendit”. Në vendimin e Gjykatës Popullore të ’48-ës ndalohen krahas librave edhe revista, gazeta e përkthime, të cilat në gazetën “Bashkimi” konsiderohen se kanë në përmbajte ideologji fashiste. “Jo vetëm që nuk ndihmojnë në edukimin dhe zhvillimin e popullit, por përkundrazi, janë pengesë në këtë drejtim dhe u shërbejnë vetëm armiqve tanë.

87885281_2605056943111628_7783616518683623424_o

Vepra të tilla nuk përputhen me frymën e re të demokracisë; me traditat e Luftës Nacionalçlirimtare, mbi të cilat ecën populli ynë; janë kundra punës dhe vullnetit të masave; kundra vëllazërimit me popujt përparimtarë dhe në radhë të parë me demokracitë e reja”, citohet më tej. Ndërsa Fishtën, Gjon Shllakun, Anton Harapin etj. i cilësojnë si “agjentë të huaj, që kanë shtrembëruar realitetin historik të vëllazërimit dhe bashkëpunimit që ekzistonte në mes popullit tonë dhe popujve të tjerë të Ballkanit”.

87453446_2605057436444912_4714798708506492928_o

Fishta kryqëzohet veçanërisht me akuzën se gjatë gjithë jetës punoi për krijimin e një hendeku artificial në mes popullit tonë dhe popujve sllavë “Por historia e vërtetë e popullit e hodhi këtë poshtë, sepse ajo vërteton se populli donte vëllazërimin dhe bashkimin me fqinjët e tij. Këtë e provoi akoma më mirë në mënyrë të padiskutueshme Lufta Nacionalçlirimtare dhe bashkëpunimi dhe vëllazërimi në Luftë kundra fashizmit. Populli ynë i njeh mirë edhe agjentët intelektualë të kalbur në shërbim të të huajve; njerëzit e lekut dhe të njëqind flamurëve si Ernest Koliqi, Tajar Zavalani, Terenc Toçi, Vasil Alarupi, Selaudin Toto, Fiqiri Llagami etj. Shkrimet e tyre u kanë shërbyer gjithnjë armiqve të popullit tonë”, thuhet më tej.

87867215_2605057746444881_5738924911389310976_o

CENSURA E PAKURSYER, NGA AGOLLI TE KADARE NË FONDET REZERVAT

Në vitet pasuese censura hedh grepin, me një larmishmëri urdhëresash nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, ku ndër të tjera i kërkon Bibliotekës Kombëtare të heqë nga qarkullimi vepra të autorëve, redaktorëve ose përkthyesve “për shkak të figurës moralo-politike”. Këto vepra, mandej ruheshin sipas kërkesës në Fondet Rezervat, çka solli shënjimin e tyre dhe të skedave me siglat R (Rezervat), ShR (Shumë të rezervuar), RA (Autor i rezervuar) të botimeve të fondit shqip dhe atij të huaj.

87797897_2605059173111405_6600026739970146304_o

Në disa raste kërkohej që “emrat të mbuloheshin me vijë të zezë (pra të mos lexohen dot)” dhe vetëm atëherë librat mund të nxirreshin në fond të lirë. Urdhëresa të tilla vijuan deri në vitet e fundit të diktaturës. Më 20 janar të 1986- ës, Drejtoria e Botimeve kërkon fshirjen e emrave si Mustafa Gërblleshi, Eqerem Biba, Pal Doçi etj., si dhe të rishikohej një nga dramat e Ibsenit që mbante parathënien e shkrimtarit Bashkim Shehu, deri në fshirjen e emrit të këtij të fundit.

Emri i Shehut në këtë ekspozitë rishfaqet edhe në veprat që kanë qenë pjesë e Fondit Rezervat të Bibliotekës Kombëtare, mes shumë autorësh, përkthyesish e redaktorësh si: Kasëm Trebeshina, Mustafa Gërblleshi, Mitrush Kuteli, Bilal Xhaferi etj.

87778009_2605057239778265_5315418308252532736_o

Ndonëse Petro Marko përbën një nga rastet ndaj të cilit u morën masat më të ashpra, nga censura nuk shpëtuan as të tjerë personalitete të letërsisë, si: Dritëro Agolli, Vedat Kokona, Haki Stërmilli, Sabri Godo, Xhevahir Spahiu, Arben Xoxa, Moikom Zeqo, Fadil Paçrami, Pal Doçi, Eqerem Biba, Kudret Velça, Ruzhdi Mata etj. Një kënd i veçantë në ekspozitën “Libra të ndaluar në komunizëm” u dedikohet katër veprave të shkrimtarit Ismail Kadare, si: “Dasma”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëntori i një qyteti” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Ndërsa “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” gjendet mes botimeve të censuruara të Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura