FOTOT E RRALLA/ Dom Avgustini kleriku që në ’97 ndali luftën civile

Jun 1, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Monsinjor Luçjan Avgustini, i cili u nda nga jeta një javë më parë në moshën 53- vjeçare, nuk do të mbahet mend vetëm si bariu i mirë, ipeshkvi i Sapës apo personi që kontribuoi për të varfrit, për fe e për kombin shqiptar.

13335427_558902100964850_255071196_n

Dom Luçjan Avgustini është një prej protagonistëve kryesorë, bashkë me klerikët e tjerë të Shkodrës, që në vitin e kobshëm 1997 dhanë një kontribut të pamasë, duke ndikuar drejtpërdrejt që Shkodra të mos shkonte në një luftë civile.

Përhapja e fjalëve se katolikët do t’u bien myslimanëve apo e kundërta, apo se është helmuar uji në 1997-n në Shkodër, bënë që në mungesën totale të shtetit shqiptar, kur institucionet kishin rënë, dom Luçjan Avgustini, haxhi Faik Hoxha, haxhi Fejzi Zaganjori dhe at Aleksandër Petani të organizoheshin për të shmangur vëllavrasjen dhe luftën civile.

SI E NDALËN KLERIKËT LUFTËN CIVILE NË ‘97

Nëse edhe klerikët do të kishin heshtur në 1997-n, bilanci i vrasjeve në Shkodër do të ishte më tragjik. “Kishin filluar të përhapeshin fjalë se myslimanët do t’u bien katolikëve dhe se katolikët do t’u bien myslimanëve, se do të bëhet vëllavrasje e se do të prishen kisha e xhamia. Kjo nuk ndodhi.

13330449_558902094298184_738278507_n
Dom Avgustini me haxhi Fejzi Zaganjori dhe at Aleksandër Petani, gjatë marshimit në Shkodër

Dom Luçjani bashkë me disa të tjerë kanë ardhur në xhaminë Ebu Bekër dhe na propozuan që në atë gjendje rrëmuje ne të flinim në kishë, ndërsa ata në xhami për t’i mbrojtur, nëse katolikët vinin për të sulmuar xhaminë apo myslimanët kishën. Përgjigjja jonë ka qenë që kishat dhe xhamitë i mbron Zoti dhe se për problemet e tjera jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në mënyrë që të mos krijojmë luftë civile”, rrëfen haxhi Zaganjori.

13342134_558902107631516_1714690242_n

“Njerëzit kishin filluar të urrenin njëri-tjetrin. Ishin disa persona që kishin qëllim destabilizimin e qytetit, por monsinjor Avgustini dhe të tjerët morën përsipër që të dalin për të thyer të gjitha barrikadat që ishin në Shkodër. Po të mos ishin këta persona, sot do të kishim një tjetër histori për Shkodrën. Monsinjor Avgustini dha gjithçka nga misioni i tij”, tregon at Nikolla Petani, i biri i Aleksandër Petanit.

Ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit, një ndjenjë e fortë mbante të lidhur klerikët, të cilët jo vetëm nuk ranë pre e provokimeve që mund të kulmonte me luftën civile në Shkodër, por morën në dorë fatet e qytetit për ta shpëtuar Shkodrën. Haxhi Zaganjori tregon se, u konkludua që të tre të dilnin në qytet dhe të bënin thirrje për uljen e armëve.

13321115_558902114298182_1678199530_o

“Jemi takuar me të gjithë krerët e shtetit, sepse ne donim që të vendosnim një kryetar dege në Shkodër për ta riorganizuar policinë, pra e morën përsipër komunitetet fetare këtë punë, kaq keq kishte shkuar gjendja”.

DALJA E KLERIKËVE NË QYTET

Nuk ishte e lehtë që në ato ditë të vitit 1997, kur popullata ishte armatosur dhe në depo gjeje vetëm dyert e shqyera, të dilje rrugëve.

Klerikët e bënë, edhe pse krismat e armëve nuk lejonin që qyteti të gjente qetësi. “Ka pasur krisma armësh kur ne lëviznim, por ne, të dorëzuar Zotit, s’kishim asnjë lloj frike. Madje edhe kur u përhap lajmi se është helmuar uji, në atë kohë janë lidhur altoparlantët e xhamisë dhe kishës me Radio Shkodrën, e cila jepte bisedat tona dhe u përhapnin në qytet”, shprehet haxhi Zaganjori.

 

“Misioni i klerikut janë njerëzit, është paqja, dhe kleriku nuk ka frikë as nga arma. Klerikët, bashkë me dom Luçjan Avgustinin ishin protagonistë në ato ngjarje historike për t’i dhënë Shkodrës vendin që meriton”, thotë at Petani.

Jeta e monsinjor Avgustinit

Luçjan Avgustini lindi më 23 gusht të vitit 1963, në Ferizaj të Kosovës. Më 15 gusht të vitit 1989 shugurohet meshtar në Zym të Hasit. Në fillim të marsit 1991, vjen për herë të parë në Shqipëri. Në prill të vitit 1993 emërohet famullitar në Ferizaj.

Në vitin 1994, duke pasur parasysh nevojat e mëdha të Kishës në Shqipëri, ofrohet vullnetarisht për mbarështimin e shërbesës baritore në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Në vitin 1997, më 24 maj, emërohet prej Atit të Shenjtë, Shën Gjon Pali II, Kapelan i tij, duke i dhënë titullin “Monsinjor”.

Në dhjetor të vitit 2006 emërohet ipeshkëv i Dioqezës së Sapës. Më datë 6 janar të vitit 2007 shugurohet ipeshkëv në Katedralen Nënë Tereza në Vaun e Dejës. Në vitin 2012 zgjidhet nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, detyrë të cilën e vazhdoi deri kur u nda nga jeta. Mori pjesë edhe në marshimin në Paris, pas sulmeve në “Charlie Hebdo”.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura