Fotot e panjohura të Ramiz Alisë gjatë Luftës që s’u publikuan kurrë në regjimin komunist, pasi Nexhmije Hoxha…

Dec 9, 2019 | 7:59
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa foto të panjohura me imazhe të rralla të ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë dhe kreut të shtetit, Ramiz Alia, që i përkasin periudhës së Luftës dhe pas saj në vitet 1943 – ’47, ku ai ka dalë me disa nga shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, kuadro kryesorë të luftës partizane, si: Hysni Kapo, Gjin Marku, Rrahman Parllaku, apo me emisarët jugosllavë Velimir Stojniç e Njaz Dizdareviç, foto të cilat edhe pse ruheshin në arkivin e PPSH-së, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist nuk u bënë kurrë publike nëpër botime librash historike apo albumesh që botoheshin në rastet e përvjetorëve jubilare të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”…pjimage (10)

Ashtu siç kishte bërë kreu komunist i Bashkimit Sovjetik, Josif Visarjanoviç Stalini në vëndin e tij që nga periudha e Luftës dhe më pas sa ishte gjallë, duke ngritur dhe propaganduar me të madhe “kultin e individit” dhe “rolin e tij udhëheqës dhe vendimtar” si në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas në ndërtimin socialist të vëndit, pikë për pikë e kopjuan atë dhe bënë të njëjtën gjë edhe pjesa më e madhe e udhëheqësve komunistë të vëndeve të Europës Lindore që ishin dhe mbetën satellite e vasalë besnik të Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit.

Një prej tyre ishte edhe Enver Hoxha i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës në nëntorin e vitit 1944, (pasi kishte marrë gradën gjeneral-kolonel në Kongresin e Përmetit), dhe gjatë gjithë jetës së tij deri sa vdiq në prillin e vitit 1985, u kujdes që të rregullonte imazhin e tij. Kjo gjë ndodhte jo vetëm në librat dhe tekstet shkollore të historiografisë zyrtare ku shkruhej “jeta dhe lufta e tij”, por edhe kudo ku paraqitej imazhi i tij me foto të ndryshme në këto tekste dhe albume apo në mjetet e propagandës masive si Televizionin Shqiptar, Kinostudion “Shqipëria e Re”, e kudo ku shfaqej e propagandoheshin fotot, imazhet dhe portreti i tij.

Kështu një rëndësie të madhe iu kushtua kryesisht fotove dhe imazheve të Enverit gjatë periudhës së Luftës që publikoheshin dhe propagandoheshin në albumet e ndryshme që botoheshin dhe dilnin në raste përvjetorësh jubilarë të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ku shumë foto të tij i nënshtroheshin retushimit, pasi që nga viti 1944 e në vijim deri sa ai ishte gjallë, pothuaj çdo vit dilnin “grupe të ndryshme armiqësore” dhe pothuaj pjesa më e madhe e bashkëluftëtarëve të tij që nga periudha e Luftës dhe më pas “në ndërtimin socialist të vëndit”, u hoqën nga këto libra e albume duke u retushuar, apo duke mos u vënë fare në ribotimet e tyre.

Lista e bashkëpunëtorëve që Enveri i eliminoi është shumë e gjatë, por krahas atyre bashkëpunëtorëve të Enverit që fotot e tyre retushoheshin e hiqeshin nga librat dhe albumet, edhe ata bashkëpunëtorë të ngushtë të tij nga udhëheqja më e lartë e PPSH-së që nuk u shpallën “armiq, agjentë  e tradhëtarë”, duke filluar nga Hysni Kapo, Ramiz Alia, Manush Myftiu, Adil Çarçani, Spiro Koleka, Haxhi Lleshi, Myslym Peza, e gjithë të tjerët, nuk i shpëtuan çensurës?!

Kështu në të gjithë botimet zyrtare që janë bërë në libra, tekste shkollore dhe albume të ndryshme që nga viti 1945 e deri në shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, fotot e tyre, kryesisht ato të periudhës së “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” (1939-1944) ishin mjaft të pakta, edhe pse në fondin e fotove në arkivin e Komitetit Qëndror të PPSH-së ndodheshin e ruheshin me qindra  foto të periudhës së Luftës. (Një pjesë e madhe e tyre janë bërë nga Mandi Koçi, fotograf pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i dënuar më pas me burg politik kur punonte si operator në Kinostudion “Shqipëria e re”).

Kështu, p.sh. për Hysni Kapon nuk ka më shumë se dy tre foto të periudhës së Luftës të botuara në libra, tekste shkollore dhe albume të ndryshme, ku më kryesorja është ajo ku ka dalë me Baba Fejzon dhe Shefqet Peçin, si dhe dy a tre të tjera ku ai ka dalë me shtabin e Brigadës së V-të Sulmuese. Por dhe ato nuk janë fotot më të mira të Hysni Kapos, për të mos thënë se janë fotot më të këqija të tij si imazhe. Po kështu edhe për Ramiz Alinë ka vetëm dy tre foto: njërën që ka dalë me një grup të madh partizanësh të Brigadës së VII-të Sulmuese ku ndodhet dhe Adil Çarçani, tjetra në Kongresin e Rinisë në Helmës të Skraparit, dhe e treta ajo që Ramizi ka dalë diku në rrethin e Mirditës në vitin 1944 me Bilbil Klosin, Zihni Sakon dhe Josif Pashkon. Po përse ndodhte kjo gjë, pra fakti që për dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës, siç ishin Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, botoheshin aq pak foto që u përkiste aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre gjatë Luftës, ndërsa për Enverin botoheshin dhe publikoheshin me dhjetra e dhjetra foto?!

Kjo është fare e thjeshtë pasi e gjitha bëhej në funksion të rritjes së kultit të individit të Enver Hoxhës pasi sa më shumë që botoheshin e publikoheshin foto dhe imazhe të tij, aq më shumë krijoheshin iluzione në popull dhe besoheshin ato që shkruheshin për të në libra dhe tekstet të historiografisë zyrtare, pra: “roli i tij udhëheqës dhe vendimtar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, dhe e kundërta ndodhte me bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, si p.sh. Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, ku duke mos u publikuar imazhet e fotove të tyre, ai rol normalisht zvogëlohej.

Pra nga sa më sipër cituam, fotot e Luftës për bashkëpunëtorët e ngushtë të Enverit, jo vetëm që ishin të pakta, por dhe ato ishin fotot më të papërshtatëshme të tyre jo vetëm nga cilësia. Dhe e gjitha kjo, pra publikimi i këtyre librave, albumeve dhe teksteve të historiografisë zyrtare (ku ruhej, kurohej dhe propagandohej imazhi i Enver Hoxhës) bëhej me një vendim të Komitetit Qëndror të PPSH-së, dhe për zbatimin e tyre ngarkohej Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, ose nga institucione të tjera siç ishte Shtëpia Botuese “8 Nëntori” e Librit Politik, etj., që lejen për botim duhet ta merrnin nga Komiteti Qëndror i PPSH-së. Pra, thënë më qartë atë që vendoste Enveri e zbatonte dhe e kishte “merak” Nexhmija.

Por Hysni Kapo dhe Ramiz Alia ishin vetëm “preja e rrradhës” për sa i përket publikimit të fotove dhe imazheve të tyre që përkisnin periudhës së Luftës, pasi kjo kishte filluar që me bashkëpunëtorët e tjerë më të ngushtë të Enverit, si p.sh. Koçi Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Tuk Jakovën, Omer Nishanin, e të tjerë, për të përfunduar me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun. Kjo gjë shikohet qartë duke krahasur fotot e tyre të publikuara dhe botuara para dhe pas viteve ‘90-të. Sa më sipër dhe në këtë kontekst, Memorie.al po publikon në këtë shkrim disa foto të rralla të Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, foto të cilat i përkasin periudhës së Luftës dhe dy tre vjet më pas, ku disa prej tyre publikohen për herë të parë. Në ato foto, Ramizi ka pozuar me Hysni Kapon, apo me Rrahman Parllakun e Gjin Markun, dy komandanët e tij të Luftës që ai i la në burg edhe pas vdekjes së Enverit, ku gjeneral-major Gjin Marku edhe vdiq. Po kështu një tjetër foto është ajo ku Ramizi ka dalë me tre nga bashkëpunëtorët dhe miqtë e ngushtë të tij, si Nako Spiro e Liri Belishova (që i ka pasur dhe epror të tij), si dhe Fadil Paçrami, ku të tre patën fund tragjik edhe për shkak të Ramizit. /Memorie.al

20-1-Fotografi-1 27-1-Fotografi 30-1-Fotos-1 109-1-Fotografi 20191209_001456 Fadil-Paçrami-Liri-Belishova-Nako-Spiru-Ramiz-Alia-1945 Gjin-Marku-dhe-Rrahman-Parllaku Hysni-Kapo-Ramiz-Alia-dhe-Nijaz-Dizdarevic-1944.bmp-1

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura