FOTOT/ Adrola Dushi celebron lidhjen në festën e 27-vjetorit, si ia ruajtën miqtë sekretin duke mos nxjerrë në skenë të dashurin politikan

| 23:21
SHPËRNDAJE

Adrola Dushi festoi pak ditë më parë ditëlindjen në Dhërmi, ku gjatë festës luksoze të ftuarit u kujdesën që të mos dilte asnjë foto e të dashurit të saj nga Kosova, ish-kandidati për deputet në Kosovë, Albin Gashi, djali i avokatit të njohur, Tomë Gashi.

E veshur me një fustan gold, një ditë pas ditëlindjes së mikes së saj, Xhesika Berberi, Adrola festoi 27-vjetorin. ‘Vajza e ditëlindjes’ zgjodhi që ta bëjë të paharrueshme këtë ditëlindje, ndërkohë që financuesi ishte pikërisht i dashuri i pasur, edhe pse nuk doli aspak në skenë.

Prania e tij nuk u pa as në albumin e fotove që Adrola postoi në Instagram, ku ra në sy prania e shumë personazheve të njohur nga Prishtina, miq të të dashurit të saj. Gjithçka duket e menduar në detaj, teksa Adrola mblodhi rreth vetes njerëzit e saj më të dashur, me të cilët ka festuar deri në orët e para të mëngjesit.

Modelja , e cila la Amerikën për të nisur bashkëjetesën në Prishtinë me të dashurin, realizoi shumë video nga festa, ku më shumë sesa ditëlindje, ishte “zyrtarizimi” i dashurisë me biznesmenin. Ndërkohë që lart e poshtë përflitej se Adrola është në një lidhje dashurie me ish-kandidatin për deputet në Kosovë, Albin Gashi, miqtë e tyre e dinë të sigurt këtë.

Por Albini është diskret dhe deri tani nuk ka preferuar të dalë hapur apo t’ia bëjë dhuratat publike në rrjetet sociale, siç bëri mikesha e saj, Xhesika Berberi.

ADROLA DHE ALBINI, HISTORIA QË DOLI NË DRITË MË 14 SHKURT

Këtë Shën Valentin, modelja Adrola Dushi dhe rokeri Eugent Bushpepa u prezantuan si çift romantik të dashuruarish, brenda 4 minutave të klipit të ri të artistit, me titull “Stay with me tonight”, një prezantim që shkaktoi konfuzion në publik. E pas aludimeve se mes tyre kishte nisur një romancë, përderisa nuk i kursyen puthjet dhe përkëdheljet në publik, mediat e Kosovës zbuluan historinë e re të dashurisë së modeles me Albin Gashin, ish-kandidatin për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës.

Madje, nëna e një djali nga martesa me Adis Patushin, për dashurinë ka lënë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të nisur bashkëjetesën në Prishtinë me të dashurin e ri, një brun simpatik i komentuar jo pak vitin e kaluar në politikën e Kosovës. Sipas “Magazina.al”, Adrola 27- vjeçare ka nisur një lidhje me Gashin, ish-kandidatin 31- vjeçar për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Sipas së njëjtës medie, Adrola dhe Albini ishin fotografuar së bashku në Prishtinë dhe janë parë shpesh në publik, duke u prezantuar te miqtë si partnerë të vërtetë, që e kanë marrë shumë seriozisht këtë lidhje mes tyre. Madje, në disa komente thuhet se Adrola ka rënë kokë e këmbë brenda, pasi ka lënë jetën e vështirë dhe plot sakrifica në SHBA, për t’u rehatuar pranë të dashurit të ri biznesmen dhe politikan, djali i avokatit të njohur VIP, Tomë Gashi, i cili ka mbrojtur Albert Veliun, i njohur ndryshe si ‘Babalja’.

Kujtojmë që pak kohë më parë, e pyetur nëse është në një lidhje dashurie me një djalë nga Kosova, modelja zgjodhi t’i përgjigjej në mënyrë diplomatike, duke thënë: “Po kontribuoj në bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë”. Burime të afërta pranë çiftit kanë treguar se për lidhjen e tyre janë në dijeni edhe të afërmit, ndërkohë që janë duke bërë plane për një fejesë të afërt.

Madje, mediat e Kosovës kanë bërë pak lojë fjalësh me këtë ndryshim në jetën e Albinit, i cili nuk pati fatin të bëhej deputet në zgjedhjet e fundit, por pati fat në dashuri. Kujtojmë se Adrola Dushi ishte e martuar me djalin e një biznesmeni, Adis Patushin, me të cilin ka një djalë, Troin, ndërsa Albin Gashi nuk është komentuar ndonjëherë për ndonjë lidhje VIP.

Flitet se ata janë njohur në SHBA, ku Albini ka ndjekur studimet e larta, ndërsa Adrola u vendos bashkë me djalin për të ndjekur ëndrrën e saj si modele.

JETA E PANJOHUR E ISH-BASKETBOLLISTIT DHE BIZNESMENIT

Po kush është Albin Gashi, djali shtatlartë nga Prishtina, që ka nisur një lidhje serioze me vajzën nga Rrësheni, Adrola Dushi, e cila në vitin 2012 fitoi titullin “Miss Universe Albania”. Albin Gashi lindi në vitin 1989 në Prishtinë. Ai nisi studimet në San Diego, Kaliforni, për t’i përfunduar më pas në “Fordham University” të Nju Jorkut për Studime Ndërkombëtare. Si basketbollist i zoti, Albin Gashi, me bursë të merituar vazhdoi vitin e fundit të shkollës së mesme në Dallas të Teksasit.

Gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara themeloi kompaninë “Powow Entertainment”, që theu rekordet e aktivitetit kulturor të mbajtur në Kosovë, duke organizuar koncertet e shumta të këngëtarëve të njohur në botë. Vullneti i tij për zhvillimin e Kosovës e ktheu Albinin në vendlindje në vitin 2014, kur edhe e themeloi kompaninë “Omelink”, e cila merret me “Business Processing” dhe “Outsourcing”, duke hapur kështu vende të reja të punës.

Albin Gashi, djali i Tomë Gashit, iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, drejtuesit e së cilës e prezantuan kështu hyrjen e tij në rradhët e saj: “Në qershor 2017 u dyfishuam si VETËVENDOSJE, kurse në shtator 2019 u dyfishova si Albin. Albin Gashi na u bashkua në Lëvizje dhe është në listë të VETËVENDOSJES si kandidat për deputet të Republikës.”

I lindur në vitin 1989 në Prishtinë, Albini vijoi mësimet e shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, u shqua si basketbollist i talentuar dhe në vitin 2008, me bursë meritore vazhdoi vitin e fundit të shkollës së mesme në Dallas, Texas. Filloi studimet në San Diego, Kaliforni, dhe i përfundoi ato në Fordham University në New York, NY, si i diplomuar për Studime Ndërkombëtare. Gjatë studimeve themeloi kompaninë ‘Powow Entertainment’, që theu rekordet e aktivitetit kulturor të mbajtur në Kosovë, ku mbi 25 mijë persona ishin në stadiumin e Prishtinës. Shpresa e potencialit për zhvillimin e Kosovës e ktheu Albinin në Kosovë në vitin 2014, ku e themeloi kompaninë ‘Omelink’ për Business Processing Outsourcing, në të cilën ndër vite punësoi mbi 300 persona.

Njihem moti me Albinin. Do të punojmë gjatë bashkë. Do të korrim shumë fitore. E para në radhë është me 6 tetor”, shkruante Albin Kurti. Ndërsa vetë kandidati për deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Gashi, i ftuar në emisionin “DPT” në “T7”, u shpreh: “E kam parë që Lëvizja ka qëndrimet politike që përkojnë me realitetin në Kosovë dhe përshtatet me bindjet e mia. Unë kam studiuar në SHBA, pasi fitova një bursë meritore në shkollë të mesme. Kur u ktheva, u ballafaqova me realitetin kur kërkoja punë.

Punëdhënësit mundoheshin të shikonin lidhjet me babanë tim dhe jo arritjet e mia, kështu vendosa të hap kompaninë time”. I lodhur nga komentet e tipit “djali i avokatit”, ai u shpreh se arsyeja se pse babai i tij, avokati Tomë Gashi, është simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje është pikërisht ai. “Babai im ka filluar ta përkrahë Lëvizjen, sepse unë kam qenë mbështetës i madh i saj”, ka thënë ai.

Gjithsesi, Gashi tashmë është i interesuar më shumë për biznesin fitimprurës, që e bën të ketë një standard jetese të lartë. Ndërsa vajza e ardhur nga Rrësheni e që fitoi kurorën e “Miss Universe” në vitin 2012, është komentuar për hapat e shpejtë që hodhi në jetë, ku paralelisht me karrierën si modele, ajo u bë edhe nënë e re në moshën 20- vjeçare. Shtatzënia stopoi planet e saj në modeling, për t’iu rikthyer pasi solli në jetë djalin. Tashmë flitet se Adrola po bën plane serioze për një martesë të dytë para të 30-ve.

/Panoramaplus.al

    

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.