Fotolajm/ Ky është prokurori që iu refuzua viza për të hyrë në SHBA

Mar 31, 2016 | 11:07
SHPËRNDAJE

Agron Gjana është drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit, të cilin ambasada amerikane nuk e pajisi me vizë hyrëse, duke i refuzuar kërkesën dhe duke mos e lejuar të udhëtonte drejt SHBA.

Pas refuzimit të vizës, ai ka qëndruar në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit kryesuar nga kryeprokurori Llalla ka vazhduar udhëtimin për në SHBA, sipas planifikimit.

 

Agron Gjana, personi në rreth, prokurori që SHBA nuk i dha vizë
Agron Gjana, personi në rreth, prokurori që SHBA nuk i dha vizë

 

Refuzimi i vizës për kryeprokurorin e Durrësit ka hapur debate, për shkak se vendimi vjen vetëm pak kohë pasi ambasadori Donald Lu deklaroi se SHBA ka anuluar vizat për një numër gjyqtarësh e prokurorësh të përfolur në Shqipëri.

Ai eshte emëruar në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla, në datën 7 maj të vitit 2015.

Propozimi i bërë nga prokurori i Përgjithshëm ka marrë fuqi pasi është dekretuar nga Presidenti i Republikës, që ka miratuar transferimin e Gjanës drejtues në Prokurorinë e Durrësit.

Normalisht, çdo proces emërimi apo transferimi në Prokurori në nivele drejtuese shoqërohet me një fazë verifikimi si nga prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Presidenti që ka të drejtë të kërkojë informacion për emrin e propozuar në Polici, SHISH, gjykata dhe kudo tjetër.

Më herët, po me urdhër të kryeprokurorit Llalla, prokurori Agron Gjana nga Kukësi ka drejtuar Prokurorinë e Krujës për një periudhë më tepër se njëvjeçare, para se të merrte drejtimin e Prokurorisë së Durrësit ku është drejtues aktualisht.

Burime nga Prokuroria kanë thënë se Gjana nuk ka qenë në punë të martën dhe të mërkurën, ndërsa delegacioni i prokurorëve që kanë shkuar në SHBA është nisur ditën e diel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura