Fotografia si ritual, 170 fotografi të Marubëve ekspozohen në Milano

Nov 8, 2018 | 9:29
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Fotografi e filxhanit të kafes së mëngjesit, e pjatës së supës, duke zbritur me ashensor, duke kaluar vijat e bardha, duke folur në telefon, e pakrehur, e palyer, shumë e krehur, shumë e lyer…

Pjeter Marubi, autoportret
Pjeter Marubi, autoportret

Sot fotografohet gjithçka, edhe publikohet gjithçka, aq sa duket sikur njerëzit nuk kanë më nevojë për intimitet e privatësi. Dikur fotografia ishte diçka e rrallë. Gjatë viteve të diktaturës, shqiptarët dilnin fotografi vetëm në dasma, ndonjë gëzim familjar, gjatë zborit, festën e 1 Majit apo 28 dhe 29 Nëntorit… Imagjinoni se sa të rralla ishin ato në fillim të shekullit të 20, kur edhe të fotografuarit ishte në “rininë” e vet.

Familja e Sadri Keçit, Kel Marubi
Familja e Sadri Keçit, Kel Marubi

Asokohe fotografia përmblidhte në vetvete një ritual: përgatitje, impenjim emocional, veshjet më të mira… Këtë atmosferë e përcjellin në kryeqendrën e modës, në Milano, 170 fotografi të përzgjedhura nga arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi. “L’archivio Marubi. Il rituale fotografico” (Arkivi Marubi. Rituali fotografik), titullohet ekspozita e kuruar nga Zef Paci, që do të marrë pjesë në Trienalen e Milanos, në datat 16 nëntor deri më 9 dhjetor 2018, si një bashkëpunim i parë me La Triennale dhe Museo di Fotografia Contemporanea.

Po ashtu, ekspozita organizohet nga Muzeu Marubi në kuadër të kalendarit të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti– Skënderbeu”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Kel Marubi me familjen
Kel Marubi me familjen

EKSPOZITA

Imazhet e përzgjedhura për ekspozitën, dikur konsideroheshin “të padobishme” për kujtesën historike, ndërkohë që në to na shfaqen portrete, veshje, qëndrime, që ofrojnë një informacion të pasur për kohën kur janë realizuar, statusin social të të fotografuarve, etj.. Mes 500 mijë negativësh, jo vetëm të Pjetër e Gegë Marubit, por edhe të Kel Kodhelit, Picit, Jakovës, Rraboshtës e Nenshatit, kuratori Zef Paci ka përzgjedhur vetëm 170 syresh.

Procesioni i trupit të Krishtit, Kel Marubi, 1929
Procesioni i trupit të Krishtit, Kel Marubi, 1929

“Ekspozita është ngritur mbi përballjen mes strukturës së ritualit dhe asaj praktike në një studio fotografike. Shumë fotografi të arkivit janë rezultat i një procesi të gjatë, më shumë se një shkrepje e shpejtë. Ashtu si në ritualet e së shkuarës, fotografitë përfshijnë gjeste të veçanta, përdorimin e disa objekteve dhe veshjeve speciale. Në këto fotografi gjejmë disa elementë: procesin, alkiminë, ambientimin e veçantë, sjelljen. Procesi i shkrepjes së një fotografie përmbante veprime me vlera simbolike: ishte porositur dhe praktikuar në raste specifike, mund të krijonte apo evidentonte kalimin nga një gjendje në një tjetër, krejt si në një rit.

Teofik Puka, Gegë Marubi, 1932
Teofik Puka, Gegë Marubi, 1932

Pra, kishte qëllime të tjera që kënaqnin dhe përmbushnin nevojat shpirtërore apo emocionale të atyre që e praktikonin këtë rit. Karakteristikat që kishte fotografia shpjegojnë magjinë e ritualit, funksionin e saj social”, shpjegon kuratori Zef Paci për “Vogue Italia”. Paci thotë se kanë qenë vetë fotografitë që e kanë drejtuar dhe e kanë futur në botën e këtij rituali, kur ende nuk e kishte një temë dhe metodologji përzgjedhëse në mendje.

“Në të vërtetë nuk kam përdorur një metodologji specifike, ishte vetë arkivi që m’i ofroi. Lejova që imazhet të më magjepsnin dhe kështu gjeta rrugën time. Në rastin tonë, pikënisja ka qenë vlera e fotografive si një arkiv, në të cilat gjejmë informacione mbi motivin e prodhimit dhe mbledhjes së tyre, si fillim për përdorim personal e më pas për një përdorim institucional, kur arkivi kaloi nën administrimin e shtetit. Kjo trajektore shënoi një ndryshim në qasjen drejt imazheve të ruajtura dhe ka ndikuar në regjistrimin, promovimin dhe përdorimin e tyre. Kam përzgjedhur imazhe që përgjatë një periudhe janë lënë mënjanë si të padobishme për kujtesën tonë historike. Imazhet në arkiv ofronin tipologji, pozicione, refleksione që mund të ishin kontradiktore”, thotë kuratori.

Sipas tij, këto imazhe flasin shumë më shumë se një histori e shkruar. “Ky arkiv është ndërtuar përgjatë një shekulli. Kemi një histori me shumë ulje-ngritje e ndonjëherë, historia e shkruar është vetëm një version i fakteve reale. Është një dritare mbi të shkuarën dhe, nëse i kombinojmë me fakte të tjera, mund të jetë e dobishme për të kuptuar më shumë”, thotë ai, duke shtuar se duke i parë këto fotografi në një tjetër kontekst historik dhe social, mund të heqësh paralele me të tashmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura