FOTO/ Zbardhet Veriu i Shqipërisë, trashësia e borës i kalon 15 cm

Jan 4, 2016 | 7:16
SHPËRNDAJE

Pas dy ditëve të para të festës së vitit të ri, për banorët e rajonit verilindor  dimri është shfaqur me gjithë ashpërsinë e tij, me temperature të ulta  dhe  reshje të dendura dëbore.

bora nw kukws (2)
Pamje nga Kukesi sot

Reshjet e dëborës  janë shfaqur  fillimisht në bashkinë e Tropojës, ku trashësia e dëborës ka arritur në 20 centimetra, ndërsa nga mesdita, reshjet  e dendura të  dëborës janë bërë prezente në të gjithë rajonin verilindor.

Burime zyrtare të policisë rrugore bëjnë të ditur se, si  pasojë e ngricave  dhe reshjeve të dëborës, kanë nisur të shfaqen edhe vështirësitë e para  në lëvizjen e mjeteve në akset kryesore rrugore. Kështu  në aksin rrugor tuneli i Kalimashit-Kukës-Morinë, trashësia e dëborës ka arritur në  mbi  15 centimetra.

Për mbajtjen nën kontroll të situatës po punojnë 4 borëpastruese.

Ndërsa në akset rrugore  Krumë – Qafë  Prush, Bajram Curri – Lekbibaj, Bajram  Curri  – Qafë Morinë dhe Bajram Curri  –  Valbonë, ku trashësia e dëborës ka arritur në rreth  20  centimetra,  nga policia u është kërkuar  drejtuesve të mjeteve  të  lëvizin me  shpejtësi të kufizuar dhe  me zinxhirë.

Për mbajtjen   nën kontroll të gjendjes  nga   firmat kontraktuese  që tashmë janë të gjitha në   punë   në akset rrugore që kanë marrë përsipër, po hidhet kripë e skorje me synim mbajtjen e  tyre hapur, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës  që   po vazhdojnë.

Reshjet e dëborës  në zonat më të thella kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve. Kështu në akset rrugore Kukës – Shishtavec, Kukës – Peshkopi   është vështirësuar ndjeshëm lëvizja e mjeteve.  Ndërsa reshjet e dendura të dëborës thuajse e kanë bërë të pakalueshme aksin rrugor që lidh Kukësin me zonën e Arrnit.  Po ashtu thuajse e pakalueshme është bërë rruga që lidh  zonën e grykë  Cajës dhe Kalimashit sit me qytetin e Kukësit   për shkak të trashësisë së dëborës që ka arritur në mbi 20 centimetra.

Ndërkohë, si rrjedhojë e reshjeve të shiut gjatë paradites  së sotme  ka patur edhe  rrëshqitje të dherave e gurëve në trasenë e autostradës.

Gjithsesi, deri tani situata është mbajtur nën kontroll  dhe lëvizja e mjeteve ka vazhduar normalisht, edhe pse me shpejtësi të limituar.

Gjithsesi vazhdimi I reshjeve të dendura të dëborës gjatë orëve të natës mund të sjellë përkeqësim të situatës, vecanërisht në zonat e larta malore, bile edhe izolim të fshatrave rurale.

RIZA HOXHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura