FOTO/ Vrasja në Ksamil, po shkonte për të peshkuar, si e ruajtën autorët viktimën

Aug 22, 2017 | 16:28
SHPËRNDAJE

Vangjel Çiko, 50 vjeç, shënon viktimën e tretë në zinxhirin e vrasjeve pas ekzekutimit të Aleksandër Bardhit, në shtator të vitit të kaluar. 50-vjeçarit të njohur me nofkën “Gelo”, iu bë atentat para shtëpisë së tij në Ksamil.

policia

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të së shtunës në lagjen “Baxho” në hyrje të qytezës së Ksamilit. Çikos iu zu pritë dhe u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në momentin që ka dalë nga shtëpia dhe po hynte në automjetin e tij tip “Mercedes Benz”, të cilin e kishte të parkuar në oborrin e banesës.

Autorët e vrasjes duket se po ruanin momentin për ta vrarë, pasi ndaj 50-vjeçarit u qëllua kur ishte duke dalë nga shtëpia për të shkuar për peshkim. Këtë Çiko e bënte thuajse çdo natë, pasi ai ishte peshkatar i vjetër dhe i njohur në Ksamil. Banorët tregojnë se familja Çiko është në gjendje të keqe ekonomike dhe peshkimi ishte një mjet jetese për 50-vjeçarin.

Në momentin që “Gelo” doli nga dera e banesës për të marrë automjetin për të shkuar për peshkim, atentatorët qëlluan disa herë me armë zjarri nga një pemë ulliri ku qëndronin të fshehur në një distancë të afërt. Për pasojë 50- vjeçari mbeti i vdekur pranë automjetit me gjashtë plumba në trup dhe në kokë.

Në momentin e vrasjes, mësohet se zona ka qenë pa energji elektrike, gjë e cila ka favorizuar autorët e vrasjes. Nuk dihet nëse shkëputja e energjisë është bërë nga vetë autorët apo nga ndonjë problem i rastësishëm. Më- sohet se atentatori është ndihmuar nga një person tjetër që e priste me një automjet, i cili fillimisht nuk u ndez.

SARANDE/ SHPRESA DINE

vangjel ciko ksamil

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura