Denoncimi/ “Vëllai i Rroshit me rrahu në zyrën e OSHEE-së, Elvisin e mbështeta në 2011-n”

Jul 1, 2016 | 8:24
SHPËRNDAJE

Julian Kola ka rënë pre e dhunës nga Drejtori i OSHEE-së për qytetin e Kavajës, Saimir Rroshi. Ky i fundi është vëllai i kreut të Bashkisë së Kavajës. 56-vjeçari ka vetëm pak ditë që është kthyer nga Franca në Shqipëri. Shkak për përplasjen fizike me vëllain e Rroshit është bërë një detyrim prej 27 mijë lekësh ndaj OSHEE që kishte nga shtëpia që sapo kishte blerë.

PicMonkey Collage
Julian Kola (majtas), shenjat e dhunës dhe Saimir Rroshi (djathtas)

Pasi është ndeshur me pretendimin e pa arsyetueshëm ligjërisht të punonjësve të OSHEE-së, pasi nuk kanë asnjë të drejtë të ndërpresin lidhje me energji nëse klienti nuk ka detyrime të prapambetura të një periudhë të gjatë kohore (mbi tre muaj), Kola ka shlyer detyrimin.

Pasi u ka treguar faturën punonjësve të OSHEE-së, ata janë detyruar që të bëjnë rilidhje të energjisë elektrike, tregon Kola për “Panorama”.

krah
Plagët në krah të 56-vjeçarit nga Kavaja

56-vjeçari më tej ka shkuar pranë zyrave të OSHEE-së për të ndryshuar emrin në kontratën e lidhur me OSHEE pasi ekzistuesja ishte në emër të ish-pronarit të shtëpisë.

Në zyrat e OSHEE-së ai tregon se ka dëgjuar kreun e saj, Saimir Rroshi duke iu hakërryer punonjësve me fjalë nga më të ulëtat. Rroshi ka kërkuar shpjegime pse kanë kryer rilidhje të energjisë, pasi sipas tij nuk duhet ta bënin këtë me urdhër të tij.

afsfas
Shenjat e dhunës ndaj Julian Kolës

Në këto momente, Kola ka ndërhyrë duke thënë se pse kërkon që t’i ndërpresin energjinë kur është në rregull me detyrimet. Por, Rroshi është kundërpërgjigjur duke e goditur me grushte në kokë dhe shkelma në prani të mbi 10 punonjësve të zyrës së OSHEE.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga drejtori i OSHEE-së, 56-vjeçari ka marrë plagë në këmbë dhe krah, siç mund të shihen edhe në foto. E gjitha kjo thotë, Kola është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Përveç dhunës, Kola është ndeshur dhe me papërgjegjshmërinë e Policisë, e cila në vend që t’i ofronte atij mbështetje i ka kërkuar llogari për atë që kishte ndodhur.

Madje gjatë denoncimit, punonjësit e policisë i kanë “sugjeruar” që të gjejë avokat apo të paraqitet në Prokurori.

56-vjeçari Kola thotë se gjitha kjo ka prapavijë politike. Kola thotë se është i djathtë por në fushatën e vitit 2011 mbështeti Elvis Rroshin pasi e njihte atë nga afër prej vitesh. Por, më pas Kola doli kundër Rroshit. Kola shprehet se edhe pas denoncimit të bërë në Polici, kërcënimet ndaj tij vazhdojnë ende.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura