FOTO të rralla/ Zbulohet letra e Ramiz Alisë: Dritëro Agolli zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në vend të Shuteriqit

Oct 2, 2018 | 13:28
SHPËRNDAJE

Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”. Zbulohet dokumenti i vitit 1973 me firmën e Ramiz Alisë, mbi ndryshimet në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, emrat e rinj që zëvëndësonin “Gardën e vjetër” si; Xhemal Dini, Anastas Kondo e Kujtim Buza, dhe pagat përkatëse që ata do të përfitonin në ato funksione në krye të Lidhjes

shkrim-1

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Ashtu siç kemi parë edhe në pjesën më të madhe të kapitujve paraardhës të këtij libri me dokumente arkivore që i përkasin vitit 1973, pas një maratone të gjatë mbledhjesh me diskutime dhe analiza të shumta që u mbajtën në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të vëndit, të cilat kishin nisur që nga janari i atij viti kur Enver Hoxha reagoi për herë të parë kundër Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, në muajin qershor që erdhi mjaft i “nxehtë”, u mbajt Pleniumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ku si pikë e parë e rendit të ditë ishte shkarkimi i kryetarit Dhimitër Shuteriqi, (i cili e mbante atë funksion që nga mesi i viteve ’50-të) dhe zgjedhjen, apo më saktë emërimin në vënd të tij të Dritëro Agollit, që prej disa kohësh mbante postin e Sekretarit të asaj Lidhje.

shkrim-2

Siç pamë dhe nga kapitulli i kaluar, shkarkimi i Shuteriqit erdhi pas një sërë kritikash dhe akuzash për “frymën liberale” që ai kishte lejuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, gjë të cilat kishin filluar ndaj tij prej kohësh, duke kulmuar me akuzat e rënda që iu bënë në Pleniumin e Lidhjes, si p.sh., “Nuk i është kundërvënë asnjëherë koncepteve të Fadil Paçramit në fushën e traditës, apo “duke qenë në krye të Lidhjes, nuk luftoi kundër shfaqjeve dhe ndikimeve të huaja e liberalizmit” etj etj. Gjë të cilat Shuteriqit iu pasqyruan edhe në karakteristikën e tij të punës, apo më saktë në “pretencën” që iu dërgua udhëheqjes më të lartë të PPSH-së dhe Komitetit Qëndror.

Pas shkarkimit të Shuteriqit dhe “zgjedhjes” së Agollit në krye të Lidhjes, që siç kemi parë edhe nga mjaft dokumente të publikuara në kapitujt paraardhës, ai (Agolli) ishte njeriu që mbajti flamurin e sulmeve ndaj Shuteriqit dhe gjithë kryesisë së vjetër të Lidhjes që akuzohej për “liberalizëm”, gjëja që u komentua më shumë në Pleniumin e Lidhjes, ishte “zgjedhja” e Xhemal Dinit (ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Shkodrës që mbulonte propagandën), në postin e sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kjo, pasi ai (Xhemali), nuk njihej dhe nuk merrej me asnjë lloj krijimtarie, por thuhej se katapultimi i tij në atë post erdhi; sa për shkak të miqësisë që kishte me Xhelil Gjonin, aq dhe si shkodran dhe patriot i Ramiz Alisë. Gjë e cila nga mjaft shkrimtarë dhe artistë u komentua nën zë apo dhe diku diku edhe fare hapur, si një regres që po ndodhte tashmë me Lidhjen e Shkrimtarëve.

Dhe ky konstatim u vërtetua plotësisht, pasi ai nuk qëndroi shumë kohë në atë detyrë, duke u larguar ashtu siç dhe erdhi. Dokumentin në fjalë me vendimet e Pleniumit të Lidhjes që mban firmën e Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën, po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim, ekskluzive për gazetën TemA.

shkrim-3

PARTIA E PUNES SHQIPERISE

KOMITETI QENDROR Tiranë, më 3.7.1973

Nr. 1766 Prot.

L a n d a: Emërime kuadri

LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE

T I R A N E

Aprovohet vendimi i Pleniumit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë mbi ndryshimet në përbërjen e kryesisë së Lidhjes si më poshtë.

1. Dritëro Agolli, deri tani Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, me pagën mujore, lekë 13.000, në vënd të Dhimitër Shuteriqit që ngarkohet me punë pranë Akademisë së Shkencave.

2. Xhemal Dini, deri tani sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit Shkodër, zgjidhet sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, me pagë mujore, 12.000 lekë, në vënd të Vilson Kilicës i cili emërohet pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.

3. Anastas Kondo, tani në profesion të lirë, zgjidhet sekretar për Letërsinë me pagë mujore lekë 10.000.

4. Hamide Stringa, tani sekretare për Muzikën, shkarkohet nga kjo detyrë dhe emërohet pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve.

5. Kujtim Buza, tani shef sektori në Komitetin e Kulturës pranë Ministrisë së Arsim-Kulturës, zgjidhet sekretar për artet figurative, me pagë mujor 10.000, në vënd të Ksenofon Dilos, i cili të emërohet skenograf në Teatrin e Operas dhe Baletit.

SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TE PPSH

10/8/1973 RAMIZ ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura