FOTO/ Pengmarrja e anijes, si e ka lidhur egjiptiani marinarin shqiptar

Jun 22, 2016 | 17:42
SHPËRNDAJE

“Panorama Online” siguron foton e një prej marinarëve shqiptarë të anijes së peshkimit të marrë peng nga një marinar egjiptian.

Marinari-Shqiptar12
Ne foto, nje prej marinareve shqiptare te marre peng

Ky në foto është një prej marinarëve të anijes së peshkimit, që ka 5 ditë që është zhdukur.

Anija është marrë peng nga marinari tjetër, egjiptiani Mohamed Sallam, 30 vjeç i cili pretendon se nuk është paguar nga pronari dhe kërkon 70 mijë euro që të lirojë pengjet.

Dyshohet se anija ndodhet pranë portit të Aleksandërisë në Egjipt.

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE: 

Në datë 18 qershor 2016, kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja, 54 vjeç, ka paraqitur kërkesën për nisje të mjetit lundrues për peshkim së bashku me 2 marinarë, shtetasin Luan Mema 56 vjeç nga Durrësi dhe shtetasin egjiptian Adel Mohamed Sallam, 30 vjeç. Motopeshkatorja “Çelepia 2” është në pronësi të shtetasit Murat Çelepia.

Punonjësit e Policisë sipas procedurave standarde ushtruan kontroll në bord dhe pasi u konstatua gjithçka në rregull në orën 14:30 të datës 18 qershor, iu dha leja për nisjen për gjueti në ujërat e brendshme territoriale.

Në orën 24:00 të datës 21 qershor 2016, pronari i anijes “Çelepia 2”, Murat Çelepia u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me motopeshkatoren.

Policia Kufitare ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetin lundrues. Megjithë kontrollin me radar dhe thirrjeve të vazhdueshme në kanalin e komunikimit, nuk është bërë e mundur gjetja fizike e motopeshkatores.

Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare janë koordinuar me Rojen Bregdetare. Trupa Detare e Forcave të Armatosura nisën në mënyrë të menjëhershme operacionin e kërkim-shpëtimit.

Në datë 22 qershor 2016 rreth orës 10:00 shtetasi egjiptian Adel Mohamed Sallam ka marrë në telefon bashkëkombasin e vet shtetasin egjiptian R. A., 53 vjeç, i cili punon në Portin Detar Durrës duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.

Ai kërkon 70 mijë euro duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura