FOTO/ Ndalimi i Edmond Begos në Greqi, zbardhet urdhër-arresti i Interpol-it

Aug 20, 2018 | 17:52
SHPËRNDAJE

Gjykata e Igumenicës caktoi masën arrest me burg për biznesmenin shqiptar Edmond Bega, i njohur nga drejtësia shqiptare edhe me emrin Manoli Bega. Ai u ndalua tre ditë më parë teksa kthehej nga Greqia në Shqipëri pasi kishte kaluar atje disa ditë pushime.

Edmond BEGO

Këtë masë, drejtësia Greke e dha sipas urdhër-arrestit të Interpol Romës, kopjen e së cilit e ka publikuar “Report Tv”. Siç dhe shihni në foto, ky është urdhër arresti me nr serial 70 2011 që prangosi biznesmenin shqiptar dikur ish-president i futboll klub Lushnjes.

Ky urdhër arresti është në emër të shtetasit Bego Edmond i datëlindjes 31.12.1970 me vendlindje Lushnje, gjeneralitete këto të cilat i korrespondojnë biznesmenit të ndaluar nga policia greke.

Sipas këtij urdhër-arresti ndërkombëtar Bega kërkohet nga pala italiane për një dënim me nr 1735 të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Apelit në Torino në vitin 2008. “Report Tv” raporton se ka kontaktuar edhe me avokatin e tij Ardian Leka. Avokati shprehet se masa e arrestit është 30 ditor deri në mbërritjen e dosjes nga Italia.

“Ndaj klientit tim u dha sot masa e sigurisë, ai do të qëndroj në burg me një afat maksimal jo më shumë se 30 ditë deri sa drejtësia italiane të sjell kërkesën për palën greke”.

Më tej Leka shtoi se edhe urdhër arresti i Interpol është i bazuar në vendimin e shlyer në Shqipëri.

“Klienti im e ka shlyer njëherë këtë dënim dhe po të shihni urdhër arrestin ndërkombëtar ai përkon me dënimin e shlyer nga Bega në Shqipëri, ku sipas vendimit të Gjykatës së Lartë është i njëjti dënim me numër 1735 dhënë në vitin 2008”.

Kërkesa e Interpol Romës drejtuar palës greke për arrestimin e Edmond Begos

Por cila është historia e dënimit të Begës?

Ai është dënuar fillimisht nga drejtësia italiane me 27 vite burg me akuzën e organizatës kriminale të trafikut të drogës, por pas ankimimeve dënimi i mbetur pa shlyer është ulur në 11 vite dhe me një amnisti nga shteti italian në 7 vite e 4 muaj certifikuar dhe nga kasacioni i Romës.. Ai nuk shkeli në Itali gjatë kësaj kohe dhe dënimi i tij u kërkua nga Ministria italiane e Drejtësisë të konvertohet në Shqipëri.

Edmond Bega ështa arrestuar nga policia shqiptare në dhjetor 2009 dhe nga ai moment ai ka filluar betejën me drejtësinë shqiptare.

Ky dënim u kërkua të njihej në Shqipëri dhe sipas konvertimit këtu ai u dënua përfundimisht me 7 vite e 4 muaj siç ishte dënuar dhe në Itali.

Me vendimin e datës 2 qershor 2010 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pasi ka njohur dënimin me 7 vite e 4 muaj i ka njohur Begës edhe përfitimin nga amnistia e përgjithshme me 3 vite duke e dënuar atë përfundimisht me 4 vite e 4 muaj. Dënim të cilin Bega e ka shlyer duke përllogaritur momentin e tij të arrestimit në dhjetor 2009 e deri në lirimin e tij.

Vendimi i gjykatës shqiptare për të konvertuar dënimin nga 21 vite burg në 4 vite 4 muaj burg

/Shqiptarja.com/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura