FOTO/ I shpëtoi mrekullisht vdekjes nga plumbi i kunatit, ja kush është i plagosuri në Vlorë. Detajet e përplasjes me armë pas aksidentit

Nov 19, 2019 | 14:40
SHPËRNDAJE
Egli Nake, i plagosuri
Egli Nake, i plagosuri

Përplasje me armë pas aksidentit me makinë, arrestohen katër persona. Një aksident rrugor për pak sa nuk u bë shkak për një ngjarje që mund të kishte përfunduar me viktima. 

Dy automjete, një tip “Golf” dhe një tjetër “Alfa Romeo”, janë përplasur me njëra-tjetrën në aksin rrugor Levan-Vlorë mbrëmjen e së dielës. Pas përplasjes në vendin e quajtur “Mbikalimi i Levanit”, makina që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, “Alfa Romeo”, e drejtuar nga Miri Tefai, është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pala e dëmtuar në këtë rast, drejtuesi i makinës “Golf”, e ka ndjekur nga pas. Dy palët janë takuar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Novoselës”, pranë një pike karburanti, duke bërë që mes dy drejtuesve dhe pasagjerëve të nisë një konflikt për shkakun e aksidentit.

Gjatë momenteve të konfliktit, Miri Tefai, i cili dyshohet se ka qenë në efektin e pijeve alkoolike, ka qëlluar në ajër me armë zjarri, ku për pasojë ka mbetur i plagosur gabimisht Egli Naken, i cili rezulton të jetë edhe kunati i tij.

Fatmirësisht, plagosja ka qenë e lehtë, ndërsa 25- vjeçari ndodhet në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Për çfarë ndodhi gjatë orëve të natës, fillimisht në afërsi të Levanit dhe më pas pranë mbikalimit të fshatit Novoselë në Vlorë, Policia morri informacion nga Spitali Rajonal i Vlorës për mbërritjen e një personi të plagosur me armë zjarri, që çoi më pas në zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke arrestuar Miri Tefain, 41 vjeç, banues në Vlorë; Sajdi Qarrin, 20 vjeç, banues në Fier; dhe Egli Naken, 25 vjeç, po banues në fshatin Ferras të Fierit.

Arrestimi i këtij të fundit u krye në ambientet e spitalit. Gjithashtu, nga Policia konfirmohet edhe arrestimi i E.K., 27 vjeç, banues në Zharës të Fierit, i cili është punonjës (roje), pranë vendit ku ndodhi konflikti. Ai akuzohet se nuk ka njoftuar Policinë për atë që kishte ndodhur në pikën e karburantit dhe për këtë arsye akuzohet për “Moskallëzim krimi”.

Ndërkohë, të tre personat e tjerë të përfshirë në ngjarje, që janë autori i plagosjes, kunati i tij dhe një shok i tyre që ndodhej në makinë me ta, akuzohen për veprat penale si “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosja”, “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. “Mbrëmjen e kaluar, në Spitalin Rajonal Vlorë ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi E.N., 25 vjeç, banues në fshatin Ferras, Fier.

Menjëherë pas veprimeve hetimore të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes, ka rezultuar se në aksin rrugor pranë mbikalimit të Levanit janë përplasur automjetet ‘Volskwagen Golf’, me drejtues shtetasin E.B., pasagjerë shtetasit E.Y., Xh.T., dhe ‘Alfa Romeo’, me drejtues shtetasin M.T. e pasagjerë shtetasit S.Q. dhe E.N..

Këta të fundit, në tentativë për t’u larguar me mjetin e tyre nga vendi i ngjarjes në drejtim të Vlorës, janë ndjekur nga 3 shtetasit e tjerë me “Golf” dhe ka nisur konflikti midis tyre në mbikalimin e Novoselës, pranë një karburanti, ku si pasojë, duke qenë edhe nën efektin e pijeve alkoolike, dyshohet se shtetasi M.T. ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe aksidentalisht ka plagosur kunatin e tij, shtetasin E.N., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën”, bëhet e ditur nga Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura