FOTO/ Historiani publikon shifrat e tmerrshme: Ja sa fëmijë kanë qenë në Kampin e Tepelenës

Aug 26, 2018 | 18:54
SHPËRNDAJE

Nga Kastriot Dervishi/ Një statistikë për të internuarit në kampet tela me gjemba gjatë vitit 1950, paraqet të dhëna të frikshme në lidhje me numrin e fëmijëve të pranishëm aty. Asnjë regjim tjetër, asnjë pushtues, nuk është marrë me internime fëmijësh në shifrat që paraqiten. Veprime krejt origjinale që do i hasësh vetëm te komunizmi i Shqipërisë. Në këto kampe janë internuar tre kategori: pleqtë, gratë dhe fëmijët. Përgjithësisht, të internuarit përdoreshin si pengje për të arratisurit politikë. Liroheshin kur të arratisurit dorëzoheshin. Pra shteti i kohës, përdorte masivisht metodën e pengmarrjes, veprim ky që zakonisht e bëjnë grupet kriminale. Kampet tela me gjemba, pra aty ku vuhej një dënim në kushtet e izolimit, gati si burg, këtë vit nuk kanë pasur numra.

Tabela e të internuarve në kampe. Të nënvizuara janë shifrat e fëmijëve
Tabela e të internuarve në kampe. Të nënvizuara janë shifrat e fëmijëve

-Në Kampin e Tepelenës, në raport me gratë dhe pleqtë, fëmijët mbizotërojnë në periudhën e parë të vitit, pra nga janari deri në qershor. Në maj 1950, në Kampin e Tepelenës ka regjistruar një shifër rekord, 554 fëmijë të pranishëm. Në gusht të atij viti, kampi kishte gjithsej plot 1405 të internuar. Ky kamp ishte kryesisht me banorë të veriut të vendit.

Në Kampin e Valiasit, fëmijët janë shumicë gjatë gjithë vitit 1950. Në gusht është regjistruar shifra më e lartë e tyre, 372 fëmijë. Në tetor 1950, Kampi i Valiasit regjistron shifrën e 820 të internuarve. Ky kamp ishte kryesisht me banorë të jugut të vendit.

-Prania e fëmijëve në Porto Palermo vërehet vetëm në shkurt-mars 1950. Ky kamp ishte kryesisht me banorë të veriut të vendit./55

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura