FOTO-EMRI/ Sulmohet makina e biznesmenit, autorët i lënë dhe një mesazh, detajet nga ngjarja

Jan 25, 2021 | 10:15
SHPËRNDAJE

makina e sulmuar

Goditet dhe thyhen xhamat e makinës së një biznesmeni nga Shkodra. Sipas korespondentit të Panorama, makina tip Tiguan me targë AA 289 OA ngjyrë e bardhë është sulmuar në fshatin Hot i Ri, pjesë e njësisë Rrethina të bashkisë Shkodër.

Burimet e korespondentit të Panorama.al, bënë me dije se mjeti është në pronësi të biznesmenit Nikolin Shqau.

Makina ndodhej e parkuar përpara derës së shtëpisë të biznesmenit në Hot të Ri kur disa persona e kanë goditur mjetin duke thyer xhamat dhe duke shkaktuar edhe disa dëme të tjera.

Përmes sinjalit të mjetit, biznesmeni ka kuptuar se diçka ka ndodhur dhe kur ka dalë jashtë ka parë makinën e dëmtuar.

Menjëherë ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës dhe efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet.

Autorët e kanë goditur mjetin tip Tiguan me një shufër hekuri duke thyer xhamat në pjesën e përparme dhe të pasme të mjetit.

Më pas shufrën e hekurit e kanë hedhur brenda makinës. Ndërkohë në anën e djathtë të mjetit, afër pasqyrës autorët kanë lënë edhe një letër të shkruar, teksti i të cilës nuk dihet, por për hetuesit ky është një mesazh ndaj biznesmenit.

Janë të paqarta arsyet e kësaj ngjarje të ndodhur pasi Nikolin Shqau ka deklaruar se nuk ka konflikte me ndonjë person, raporton korespondenti i Panorama.

Megjithatë i vetmi dyshim është tek një person i cili i ka kërkuar pronarit Shqau që ta marrë në punë tek bizneset e tij dhe ky i fundit ka refuzuar për një sërë arsyesh, megjithatë është vetëm një prej pistave të mundshme.

Policia vendore e Shkodrës vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar që sulmuan mjetin e biznesmenit Nikolin Shqau.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura