Forumi për trashëgiminë, apel qytetarëve: Të mbrojmë Kalanë e Lezhës

Jul 25, 2016 | 19:42
SHPËRNDAJE

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore i bën thirrje qytetarëve të bashkohen për mbrojtjen e Kalasë së Lezhës.

Kalaja e Lezhës
Kalaja e Lezhës

Prej dy javësh, Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës për rishqyrtimin vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i jepte të drejtë kompanisë që fitoi të drejtën të marrë me qira për 20 vjet Kalanë e Lezhës, që prej vitit 2011.

Për të dytën herë Ministria e Kulturës do të humbiste gjyqin, duke i hapur rrugë fillimit të punimeve për ngritjen e një kompleksi turistik brenda mureve të kalasë dhe mbi zonën arkeologjike. Vendimi u bë publik vetëm 10 ditë më pas nga ana e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila reagoi ndaj vendimit “skandaloz” siç e quajti ajo, në faqen e saj në “Facebook”.

Pra, mund të konsiderohet një reagim qytetar dhe jo institucional, përderisa ky reagim nuk është postuar, të paktën në faqen sociale të Ministrisë së Kulturës. Pas publikimit të vendimit nga Kumbaro, ka reaguar Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili e ka konsideruar “neglizhencë të pafalshme të Ministrisë së Kulturës” humbjen e gjyqit.

Po ashtu edhe “fshehjen” e vendimit të Gjykatës së Apelit, që sipas Forumit u bë publik vetëm pas mbledhjes së këtyre të fundit. Duke premtuar se do të ofrojnë asistencën e tyre për përballjet e tjera ligjore, Forumi ka ngritur shqetësimin e mungesës së një reagimi zyrtar nga ana e Ministrisë së Kulturës.

“Kanë kaluar dy javë nga humbja e gjyqit për Kalanë e Lezhës dhe ende asnjë njoftim zyrtar apo deklaratë për shtyp nga Ministria e Kulturës për këtë skandal. Deri më sot kemi vetëm një postim për të larë duart në “Facebook”- un personal të ministres Kumbaro dhe “fjalën e saj të burrit” të dhënë me telefon për disa gazeta, se asgjë nuk do të ndërtohet në kala. Po në rast se ministrja do të largohet nga detyra në javët e ardhshme, a do të mjaftojë fjala e saj si garanci për Kalanë e Lezhës?!, është shprehur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

APELI

Megjithë kritikat e vazhdueshme ndaj Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve që merren me trashëgiminë, madje duke e konsideruar edhe “tradhti” të vetë ministres Kumbaro, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka vendosur të jetë në krah të këtyre të fundit në betejën për Kalanë e Lezhës.

Që në momentin kur Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në vitin 2011 vendosi të japë me koncesion për 20 vjet Kalanë e Lezhës, Forumi doli kundër tij dhe do të përshëndeste anulimin e tij prej qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013. KKR-ja e re me në krye ministren Mirela Kumbaro do të anulonin vendimin e qeverisë paraardhëse, duke e quajtur atë të paligjshme, por subjekti privat që kishte fituar koncesionin do të hidhte në gjyq Ministrinë e Kulturës, aktivistë të Forumit dhe gazetarë, që mbështetën anulimin e vendimit për qiradhënien e Kalasë së Lezhës dhe ndërtimin e moteleve, bareve, restoranteve e fushave të tenisit në këtë kompleks monumental.

Gjyqi i humbur nga Ministria e Kulturës, por jo nga aktivistët e Forumit. Ky i fundit rendit emrat e aktivistëve që u është dashur të përballen me akuza për shpifje apo dëmtim imazhi dhe njëkohësisht bëjnë edhe një thirrje qytetare, për t’iu bashkuar kauzës për mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe në rastin konkret, të kalasë së Lezhës. “Mjaft emra nga anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të përfshirë direkt në debatet për çështjet kulturore të Lezhës dhe Kalasë së saj: Lorenc Bejko, Fatmira Nikolli, Artan Lame, Auron Tare, Gjerak Karaiskaj, Artan Shkreli, Arben Biçoku, Etleva Nallbani, Anila Basha, etj., janë sulmuar dhe janë hedhur nëpër gjyqe për mbrojtjen që u kanë bërë kauzave publike (sigurisht nga njerëz apo shoqëri me interesa ngushtësisht private).

Por, çështja e Kalasë së Lezhës ende mbetet emergjencë dhe kërkon mbrojtjen qytetare. Shpesh revoltohemi kur shohim shtetin që ngre duart dhe qaravitet. Por ky është shteti ynë. Nëse na dhemb trashëgimia, çdo qytetar duhet të rreshtohet në mbrojtje të saj”.

Paulin Zefi: Protesta para Ministrisë së Kulturës, nëse nuk mbrohet çështja

Me tone më të ashpra kundrejt Ministrisë së Kulturës dhe ministres Kumbaro shprehet edhe Paulin Zefi, ishpërgjegjës i Kulturës Kombëtare në Lezhë, i cili, përveçse ia faturon MK-së, humbjen e gjyqit, bën apel, për protestë para dyerve të Ministrisë, në rast se ky institucion do të vazhdojë mbrojtjen e çështjes, në të njëjtën mënyrë, si deri më sot. Madje ai shkon deri në kërkesën e dorëheqjes nga ana e ministres Mirela Kumbaro.

Paulin Zefi
Paulin Zefi

Për Zefin humbja e çështjes në Gjykatën e Apelit është “rezultat i neglizhencës dhe paaftësisë së Ministrisë së Kulturës, e cila po favorizon në mënyrë të vetëdijshme vendimet kriminale të Gjyqësorit shqiptar, vendime të cilat realisht bazohen në dispozitat ligjore në fuqi (Partneriteti Publik-Privat), ndërkohë që vetë MK-ës justifikohet në mënyrë të dëshpëruar, duke tentuar që t’i hedhë hi syve, të gjithë opinionit publik shqiptar!

I vetmi institucion, i cili po mban një qëndrim të palëkundur, duke mbrojtur interesin publik, pra, identitetin historik të kështjellës së qytetit tonë, është vetëm Bashkia Lezhë, pavarësisht se kompetencat e saj janë pothuajse të papërfillshme, duke qenë se ky monument kulture, që nga viti 2014 administrohet 100% nga Ministria e Kulturës.

Në rastin më të keq, pra, nëse MK-ës do të vazhdojë që ta ndjekë këtë çështje ligjore me të njëjtën performancë anakronike dhe antikombëtare, atëherë të gjithë ne duhet që të organizohemi në një protestë paqësore jo pranë kështjellës, por pikërisht përballë dyerve të Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar dorëheqjen e ministres, Mirela Kumbaro dhe më pas të rikthehemi këtu në Lezhë, për të mbrojtur simbolin identitar të qytetit tonë të lavdishëm”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura