Forumi Ekonomik, Vuçiç ‘thumbon’ Ramën, shtrëngon duart me Mustafën

May 28, 2015 | 9:57
SHPËRNDAJE

Në nisje të Forumit Ekonomik të Vjenës që zhvillon sot ditën e dytë të punimeve në Tiranë, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është takuar me kreun e qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa.

Gjate takimit Vucic- Mustafa

Vuçiç dhe Musatafa kanë qenë në shoqërinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonise Gruevski dhe disa të ftuarve të tjerë dhe duket se takimi mes tyre ka qenë miqësor.

Madje Vuçiç ka pasur një shtrëngim duarsh me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Një ditë më parë, mediat serbe shkruanin se kryeministri i Serbisë Vuçiç, kishte deklaruar do te dale nga salla nëse Kosova prezantohet si shtet.

Fjalën e tij Vuçiç e nisi me një ‘thumbim’ për kryeministrin Rama duke i kujtuar atij se foli më shumë se 10 minuta, kohë e parashikuar për folësit.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar, Vuçiç nuk e braktisi forumin kur foli kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.  


Rama: Ta bëjmë Europën të na shohë si një rajon të vetëm

Kryeministri Edi Rama, duke folur në samitin e Forumit Ekonomik të Vjenës, theksoi se kjo është një mundësi mjaft e mirë për vendet e Ballkanit që të tejkalojnë mosmarrëveshjet politike që kanë dhe të shohin përpara drejt integrimit të rajonit në BE.

Rama theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të veprojë si një i vetëm, sepse sipas tij, vetëm kështu, do të mund të integrohen të gjitha vendet e rajonit.

“Duhet të rritemi së bashku dhe t’i kërkojmë së bashku Komisionit Europian që të na ndihmojë. Samiti i 27 gushtit në Vjenë është një tjetër mundësi për të marrë përfitime konkrete nga ky procesh. Është një mundësi e mirë për të përcaktuar atë që mund ta bëjmë më mirë, të gjithë së bashku”, tha Rama.

Ai shtoi më tej se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shohin me seriozitet investimet e përbashkëta në infrastrukturë, si edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Sipas Ramës, ka ardhur koha që vendet e Ballkanit ta shohin njëri-tjetrin ndryshe, në mënyrë që edhe BE-ja, ta shohë Ballkanin me një sy tjetër.

“Ballkani është i vogël dhe ne duhet të kontribuojmë me njëri-tjetrin në mënyrë që Europa të na shohë me sy tjetër”, tha Rama. 

Foto familjare e kryeministrave


Vuçiç: Duhet të shkojmë me Ramën me projekte konkrete në Bruksel

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç propozoi që bashkë me Shqipërinë të firmosin disa projekte konkrete dhe të kërkojnë financim në Bruksel.

Fjalën e tij Vuçiç e nisi me një batutë për kryeministrin Rama, i cili fjalën e tij e zgjati më shumë se 10 minuta, kohë e parashikuar përpara nisjes së forumit.

“E dija që Edi do ta kalonte kohën, e bën gjithmonë këtë punë. i kam propozuar Edit që të firmosim bashkërisht disa projekte të përbashkëta dhe të shkojmë në Bruksel dhe tua kërkojmë. Nëse nuk e marrim këtë ne nga ana jonë, si Serbi, jemi të gatshëm që ta nisim vetë. Sigurisht që nuk është e lehtë, por më e rëndësishme është që ta nisim”, tha Vuçiç. 

Mustafa: Mosmarrëveshjet i kthejmë në ura të zhvillimit të përbashkët

Pas kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili vlerësoi se Kosova është e gatshme për bashkëpunim me çdo fqinj, si edhe të zgjidhë çështjet e hapura që ka me vendet në rajon përmes dialogut.

Mustafa vlerësoi se Kosova ka nevojë më shumë se asnjë vend tjetër në rajon për mbështetje dhe bashkëpunim me vendet fqinje, për shkak të tranzicionit të vonuar. Ai tha se Kosova është e gatshme të marrë pjesë në projektet e përbashkëta infrastrukturore, si edhe të japë kontributin e saj në proceset integruese.

“Jemi në fazën që mosmarrëveshjet t’i shndërrojmë në ura të zhvillimit të përbashkët dhe synimet tona t’i bëjmë realitet që të gjendemi sa më shpejt në familjen europiane. Ky është synimi i Kosovës dhe e kemi shprehur këtë në të gjitha takimet me fqinjët”, tha Mustafa.

“Ne po përpiqemi të mbyllim përmes dialogut çështjet e hapura me Serbinë dhe vendet e tjera. Gjithashtu jemi të hapur ndaj investitorëve në fusha të ndryshme të ekonomisë. Kosova është e gatshme që brenda këtij viti të lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë përmes dy autostradave në mënyrë që të ulet vëllimi i kostove të këmbimeve tregtare”, vijoi Mustafa më tej. 

Gjukanoviç: Integrimi i Ballkanit me rëndësi edhe për BE-në

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç u shpreh sot në Forumin Ekonomik të Vjenës se integrimi i rajonit është i rëndësishëm edhe për vetë Europën.

“Nuk ka asnjë dyshim që Ballkani Perëndimor i duhet të vazhdojë me rrugën që ka nisur drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Kjo është me rëndësi për secilin nga vendet tona dhe sidomos për Europën. Jemi të shqetësuar nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Maqedoni. Por edhe pa këtë ne kemi mbartur shumë çështje që nga koha e Ish Jugosllavisë. Mendoj se është me shumë rëndësi që dinamika pozitive e dialogut Serbi- Kosovë të ruhet në të ardhmen”. 

Gruevski thumbon Ramën: Disa liderë të Ballkanit, të kenë kujdes me deklaratat

“Disa liderë të Ballkanit duhet të bëjnë kujdes me deklaratat që japin, pasi populli maqedonas është mjaft i ndjeshëm ndaj politikave të rajonit”. Kështu deklaroi kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski në Forumin Ekonomik të Vjenës që mbahet në Tiranë. Në këtë mënyrë, Gruevski thumboi kryeministrin Rama, por ndoshta edhe atë të Kosovës për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe më gjerë.

Më tej, Gruevski tha se Maqedonia i ka plotësuar kriteret e vendosura nga BE-ja, si për t’u anëtarësuar në NATO, ashtu edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Mirëpo, për ngecjen e proceseve, Gruevski fajësoi Greqinë duke thënë se është fqinji jugor, ai që po e pengon Maqedoninë. 

Vuçiç, BE-së: Jemi të tejngopur me seminare, na duhen para për vepra konkrete

Kreu i qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vucic i ka bërë thirrje të hapur BE, për një përgjigje konkrete për fondet që i duhen rajonit. Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik, Vucic, duke nënvizuar kënaqësinë që liderët e rajonit takohen mes tyre, shtrëngojnë duart, përmirësojnë marrëdhëniet, theksoi se ajo që ata kanë nevojë është një gjë e prekshme për njerëzit. 

“Ajo që kemi nevojë është një gjë që është e dukshme, e prekshme për njerëzit, do të shkojmë në Vjenë për dy muaj dhe shpresoj se do të kemi dicka për t’i treguar kancelares gjermane dhe të gjithëve ne dhe së pari qyettarëve tanë, t’u tregojmë që po, kemi hartuar disa projekte të përbashkëta që janë në proces e që kanë të bëjnë me rrugët, hekurudha, ndërkohë që të gjithë e dimë që I kemi përcaktuar projektet e rëndësishme, kemi rënë dakord në Bruksel. Ajo që dua të them është që përshpejtimi i integrimit në BE është me rëndësi, pasi rajoni është ende i brishtë e një sërë problemesh ekonomike e politike na vijnë pas, nuk jemi të vërbër përballë tyre”-tha ai.

Vucic tha copë se në këtë fazë duhen disa para. “Për ta thënë thjeshtë, jemi të tejngopur me seminare, na duhen para për rrugë e hekurudha, mund të shihni buzeqëshjet nga të gjithë ne, nëse nuk na jemi dot aq para na thoni, pasi ne na duhen e duhet ta dimë këtë. Njerëzit tanë duan rezultate konkrete mund të mos jetësojmë gjithcka, por dicka, qoftë edhe me forcat tona, e kështu qoftë, BE është vonë me mbështetjen ekonomike. Kjo është një thirrje me zë të lartë nga ne që BE, KE të analizojë, ta kqyrë situatën, ta vlerësojë e të na ndihmojë në mënyrën më të mirë të mundshme. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura