Formacioni ndaj Flamurtarit/ Dilema për Muzakën, Lilaj e Soue nga avioni në fushë

Nov 14, 2017 | 21:28
SHPËRNDAJE

Kur mbeten edhe dy ditë nga ndeshja e së enjtes ndaj Flamurtarit, formacioni i Skënderbeut sa vjen dhe kristalizohet gjithnjë e më shumë. Trajneri Daja i ka idetë e qarta për rreshtimin. Duke u nisur edhe nga rëndësia e këtij takimi dhe shkalla e lartë e vështirësisë, trajneri i Skënderbeut nuk do t’i kursejë Lilajn dhe Souen, por menjëherë pas kthimit nga kombëtaret do të zbresin në fushë si titullarë.

skenderbeu

Kjo të paktën është ideja e trajnerit Ilir Daja. Lilaj kthehet sot në mbrëmje, ndërsa Soue të mërkurën në mëngjes dhe menjëherë të dy lojtarët do të vihen në dispozicion të trajnerit bardhekuq për të punuar në ditën e fundit të përgatitjeve në lidhje me ndeshjen e së enjtes në orën 17:00.

Në Vlorë, veç Lilajt dhe Soues, duket se edhe formacioni me rreshtimin 4-3-3 është gati për t’u hedhur në fushë. Në portë do të jetë kapiteni Orges Shehi, Vangjeli dhe Mici do të luajnë në krah të mbrojtjes, ndërsa Radas dhe Osmani do të jenë në qendër. Dilemat mbeten në mesin e fushës, teksa Muzaka duket se mban peng gjithë repartin.

skenderbeu

Nëse Muzaka ia del në kohë, atëherë Daja do të kthejë Alitin në formacion dhe Osmanin në mesfushë së bashku me Muzakën dhe Lilajn. Por, më shumë gjasa ka që Osmani të luajë në qendër të mbrojtjes, ndërsa mesi i fushës të formohet nga Shkodra, Lilaj dhe Taku.

skenderbeu

Zgjedhja e Shkodrës bëhet me qëllimin se jo vetëm që lojtari nuk ka pasur shumë hapësirë në ndeshjet e fazës së parë, por edhe sepse e njeh më mirë se kushdo ambientin në Vlorë. Sulmi duket i sigurt nën treshen e formuar nga Gavazaj në të djathtë, Xhejms në të majtë dhe Ali Soue në qendër. Pak a shumë kjo është zgjedhja e trajnerit Daja për ndeshjen e së enjtes në Vlorë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura