Formacion “italian”, sulmi i besohet Cikalleshit e Manajt. Ja si pritet të rreshtohet Shqipëria ndaj Andorrës

Mar 25, 2021 | 8:11
SHPËRNDAJE

Shqipëria nis sot aventurën për në “Katar “2022” në 20:45, duke sfiduar Andorrën. Edi reja, në konferencën e djeshme, mohoi eksperimentet dhe tha se do të hedhë në fushë lojtarët te të cilët ka më shumë besim se kanë mentalitetin e duhur për një ndeshje si kjo. Nga sa pritet, trajneri nuk do të ndryshojë as modul: pritet 3-5-2 tradicional, me kapitenin Berisha një kuadrat. Ndonëse, edhe Strakosha nuk mbetet pas.

KOMBETARJA

MBROJTJA – Shqipëria këtë herë vjen me një mur të Serisë A: Specia, Atalanta dhe Roma përbëjnë treshen e qendrës me Ismajlin, Gjimshitin dhe Kumbullën. Krahët trajneri i ka mbuluar me Elseid Hysajn si dhe Ermir Lenjanin. Ky i fundit është në dilemë me Myrto Uzunin, i cili vjen me superformë nga Hungaria dhe Ferencvaroshi. Kjo, në bazë edhe të provave të pakta që ka bërë, vetëm dy të tilla dhe dje në stërvitjen zyrtare në stadiumin e Andorrës e pardje në Barcelonë.

MESFUSHA – “Do të zgjedh ata te të cilët kam besim se kanë mentalitetin e duhur”, ishte fraza e përdorur nga Reja për formacionin, duke nënkuptuar edhe se për mesfushën do të luajnë më të mirët, pavarësisht formës së tyre aktuale. Keidi Bare është një maratonomak për rëndësinë dhe minutat me Espanjolin i cili pritet të luajë përkrah dy lojtarëve me shumë eksperiencë, si Gjasula dhe Ledian Memushaj. Të paktën për startin, më pas ndryshimet mbeten për t’u parë, duke qenë se Klausi e Lediani vijnë nga dëmtimet.

SULMI – Muskuj dhe cilësi, gola dhe precizion. Pritet që Sokol Cikalleshi dhe Rei Manaj të udhëheqin Shqipërinë në sfidën debutuese për këtë edicion kualifikuesesh.

for

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura