“Forca e ligjit” shqiptar apo italian?

Sep 2, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO/ Pellumb NakoNë një deklaratë të bërë në korrik 2018, Ministria e Brendshme, ndër të tjera thekson: “…Në lidhje me deklaratat, spekulimet apo keqkuptimet e gjetjeve të raportit vjetor të Antidrogës Italiane, Ministria e Brendshme gjen me vend të sqarojë: Shqipëria nuk është më në listën e vendeve që kultivojnë kanabis… Kjo është betejë e fituar në vitin 2017 dhe po konsolidohet në vitin në vazhdim…” ( JAVA NEWS, 13.07.2018) Por nga njoftimet mediatike, duket se edhe gjatë viti 2018 eksporti shqiptar i kanabisit drejt Italisë po vazhdon përsëri. Herë një ton, herë dy e herë disa kuintalë. Sasia ndryshon, skafistët po ashtu edhe mjetet e lundrimit që bëjnë transportin, kurse mënyra sesi forcat tona të sigurisë veprojnë, mbetet e pandryshuar. Brenda të njëjtit skenar. Guardia di Finanzia e shtetit italian realizon kapjen e mallit, mjetit dhe të trafikantëve, por thuajse gjithmonë e njoftuar nga pala shqiptare. Këtë fakt, herë e thotë Policia e Shtetit, herë media e herë italianët. Edhe në mos qoftë e vërtetë, këta të fundit kanë interes “t’i japin një dorë” Policisë shqiptare dhe ta konfirmojnë njoftimin e bërë prej tyre. Ndodh që Policia e Shtetit ta ndjekë vetë mjetin deri në një farë vendi. Më pas, stafetën e merr nukli i Guardia di Finanzias në Durrës, duke njoftuar kolegët e saj të ajrit dhe detit në bregun matanë. Në fund, tonelatat vërtetë mbërrijnë në Itali, por edhe Policia jonë së bashku me operacionin e saj “Forca e Ligjit” nuk ngelen të turpëruara. Në publik, është ajo që shfaqet se e ka bërë njoftimin apo ndjekjen fillestare. Pra, bashkëpunim i shkëlqyer me homologët e përtej detit, thuhet. Për hir të së vërtetës, shpesh janë edhe radarët ata që i shpëtojnë nderin Policisë sonë. Mesa duket, investimi për ndërtimin e tyre si dhe investimet e tjera për sigurinë detare, vite më parë, kanë qenë efikase dhe jetëgjata përderisa deri më sot nuk janë zëvendësuar me teknologji më të re.

Ndërkohë droga, në sasi më të vogla, vazhdon po ashtu të sulmojë edhe kufirin grek. Sasia e fundit kapte shifrën e dyqind kilogramëve. Por në rastin e shtetit grek nuk kemi njoftime për bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet partnerësh.

Nga e gjitha kjo, më e rëndësishmja mbetet pezull. Me bashkëpunim ndërkombëtar të Policisë ose jo, Shqipëria vazhdon të jetë vend prodhues dhe eksportues i kanabisit, ndryshe nga deklarimi i mësipërm i Ministrisë së Brendshme. Historitë për prodhim të vjetër apo të ri, bazuar në sekuestrimet e fundit në Itali e Greqi, kanë rënë poshtë. Prodhimi i ri ka filluar të eksportohet.

Për rastin e fundit me 700 kg, Policia e Shtetit në komunikimin publik i vuri theksin bashkëpunimit të saj me homologët italianë. Është e qartë se si njoftimi, edhe ndjekja e përbashkët e trafikantëve që bëhet në det, ka vlerën e saj pozitive. Të pakundërshtueshme. Por, a është e mjaftueshme për ta hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, të cilin e deklaroi publikisht Ministria e Brendshme? Vitin e shkuar, Italia deklaroi se sekuestroi 90 tonë kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Shifër kjo e kontestuar.

Shumë nga këto tonelata ndoshta janë kapur farë këtij lloj bashkëpunimi, por opinioni publik kombëtar dhe sidomos ai ndërkombëtar nuk e njohin këtë fakt. Bëhet fjalë për të hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikut, jo thjesht për njoftim apo bashkëpunim policor, me gjithë vlerën e tyre pozitive.

Sipas medias, gjatë këtij viti, sasia e kanabisit e sekuestruar nga autoritetet italiane i ka kaluar shifrat e 8 tonëve. Përsëri e njëjta skenë: Policia e Shtetit njofton kolegët italianë. Por fakti mbetet, 8 tonelatat erdhën nga Shqipëria, vendburimi i trafikut. Teoritë se krimi nuk ka kufij dhe kriminelët nuk kanë kombësi, se bashkëpunimi dhe partneriteti ndërkombëtar policor janë jetike si oksigjeni, vërtetë thuhen, por megjithatë, në fund fare, faturën e paguan emri dhe reputacioni i vendit. Shqipëria. E quajtur bollshëm si vend i burimit dhe eksportit për kanabisin.

Nëse do të perifrazohej e gjitha ajo që ndodh me drogën e mbërritur në Itali do të rezultonte se grupet kriminale brenda territorit shqiptar kanë fuqinë financiare dhe organizative që brenda kohës e cila u nevojitet, të gjejnë dhe sigurojnë gjithë mjetet dhe krahët e punës për të mundësuar mbjelljen e parcelave me kanabis. Të garantojnë njerëzit e duhur për t’i vaditur. Armët e nevojshme për t’i ruajtur. Më pas mobilizimin për t’i korrur. Specializimin për ta përpunuar, paketuar e magazinuar mallin e grumbulluar e në vazhdim guximin për ta transportuar. Dhe në fund, aftësinë për të gjetur mjetet dhe njerëzit e duhur për të realizuar trafikun ndërkombëtar nëpërmjet detit, drejt Italisë. Dhe pikërisht, në këtë segment të fundit kur në brigjet italiane finalizohet sekuestrimi dërrmues i mallit, futen njoftimet e Policisë shqiptare apo edhe bashkëpunimi ndërkombëtar i saj. Mjaft mirë, por shumë vonë. Shumë pak. Më tepër duket “Forca e ligjit” e Italisë se e Shqipërisë. Hetimi kryhet prej tyre dhe kur fillon ai, nuk ka njoftime për brendësinë e rasteve konkrete. Pala shqiptare njoftohet vetëm për identitetin e personave të implikuar. Asgjë më shumë.

Me fjalë të tjera, gjithë ky aktivitet kriminal që lidhet me kanabisin, shumë i ekspozuar në territor ( pavarësisht kultivimit në zona të thella dhe të vështira për t’u kontrolluar) me angazhim njerëzish jo të vogël në numër, nuk bie fare në sy të gjithë asaj armate të madhe inspektorësh të Rendit apo të Policisë kriminale të shtrirë në gjithë territorin e vendit, por ngelet në fatin e një sinjali radarësh apo të ndonjë informacioni në det. E gjitha kjo nga mungesa e kontrollit të territorit. Kur ky i fundit vazhdon të jetë i dobët, problemet e lidhura me sigurinë publike dhe luftën kundër krimit mbetet të jenë lidhur fort me fenomene që në rastin më të mirë kanë mungesën e vullnetit të lidershipit policor dhe në rastin më të keq, ortakërinë me krimin. Deklarata e Ministrisë së Brendshme nuk dëshmon shenjë serioziteti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura