Forca e Ligjit” dhe Çekaj që nuk ekstradohet

Oct 14, 2018 | 13:43
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO*

Opinioni publik ka qenë këto ditë shumë i përqendruar në çështjen dhe antiçështjen “Babale”. Askush ose pakkush ka mundur të tërhiqet nga një deklarim të ministrit të Brendshëm lidhur me pyetjen e një gazetari të “Panoramës”. Ky i fundit e pyeti ministrin nëse Arbër Çekaj, shtetas shqiptar, do të ekstradohet nga Gjermania në Shqipëri. Ministri, pasi e cilësoi pyetjen interesante dhe të pritshme, tha se kishte një ndryshim në këtë gjë: “Nuk është më çështje ekstradimi, por çështje bashkëpunimi”.

pellumb-nako

Nëse ministri pyetjen e quajti interesante, përgjigjjja e tij ishte shumë shqetësuese. Të dëshpëron. Jo në formë, por në problemin që zbulon. Shteti gjerman ka refuzuar kërkesën e shtetit shqiptar për ekstradimin e një shtetasi të saj, për një krim të kryer në territorin e tij. Kjo nuk është kaq e lehtë. Kaq periferike.

Bëhet fjalë pra, për personin, i cili kërkohet nga ana e autoriteteve ligjore të vendit tonë për rastin e importimit të 638 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri. Ai nuk do të vendoset në bankën e të akuzuarve të drejtësisë së vendit të tij. Megjithëse thuhet se ajo po reformohet thellësisht nga dita në ditë.

Në muajin shkurt të këtij viti, organet ligjzbatuese zhvilluan operacionin e mirëorganizuar me kodin “Last Snow” (Bora e Fundit), duke dokumentuar veprimtarinë e një grupi kriminal të lidhur me trafikun e kokainës. Në këtë operacion, personazhi kryesor, shtetasi Çekaj, arriti të largohet nga Shqipëria dhe të strehohet në shtetin gjerman. Por drejtësia jonë, pasi e shpalli në kërkim ndërkombëtar, i konfiskoi edhe llogaritë bankare. Ato kapnin shumat 38 mijë dollarë dhe 10 milionë lekë. Konfiskimi i kryer nga “forca e ligjit” i përket pikërisht individit, që kishte investuar miliona euro për importin e 638 kilogramëve kokainë, nga shitja e së cilës parashikonte të fitonte 180 milionë. Mesa duket, përgjegjësi i aktit, Arbër Çekaj, ose ka qenë tmerrësisht i pasur dhe shumicën dërrmuese të saj e ka shkrirë për të blerë mallin, ose mallin e kanë financuar të tjerë prapa tij. Duke qenë se i dyshuari duhej të jepte sqarime për këtë e pa të udhës t’ia mbathte drejt Gjermanisë. Normale.

Pavarësisht se nuk ka shumë rëndësi, lidhur me ekstradimin, ministri i Brendshëm bëri një konfirmim, të cilin normalisht duhet ta kishte bërë Ministria e Drejtësisë. Është ky institucion, i cili ka detyrimin institucional për të përgatitur gjithë dokumentacionin ligjor të nevojshëm për ekstradimin e të kërkuarit. Dokumentacion ky, që në rastin konkret u dorëzohet autoriteteve gjermane nëpërmjet rrugës diplomatike. Pra, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, përfaqësuese e shtetit shqiptar.

Komunikimi i kërkesës për ekstradim nëpërmjet kanalit diplomatik i jep asaj dimensionin e autoritetit të shtetit shqiptar. Angazhimin e institucioneve të tij. Kur kërkesa refuzohet nga shteti i kërkuar, në rastin konkret Gjermania, për mirësjellje akti i refuzimit nuk formalizohet nëpërmjet kanalit diplomatik, por lihet në heshtje. Kërkesa ngelet pa përgjigje. Kjo gjë u interpretua si shtyrje e ekstradimit, si hetim paralel që po kryejnë partnerët gjermanë apo siç u shpreh ministri, çështje bashkëpunimi. Retorika mund të ketë plot, por fakti mbetet i thjeshtë: Ekstradimi është refuzuar.

Ndërkohë, nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar lidhur me statusin e të kërkuarit nga drejtësia jonë. Nëse është i lirë, dëshmitar i mbrojtur apo i arrestuar. Në fund të fundit, Çekaj kishte hyrë lirshëm në Gjermani. Arrestimi i tij u krye me kërkesë të autoriteteve shqiptare me qëllim ekstradimi. Në momentin që ekstradimi refuzohet, automatikisht i kërkuari lirohet. I lirë apo i mbrojtur, statusi i tij denoncon ashpër shtetin shqiptar. Mesa duket, Çekaj di shumë. Di aq shumë, sa i intereson shtetit gjerman. Bëhet fjalë për trafik ndërkombëtar dhe Gjermania mund të ishte destinacion i mallit. I arrestuar ose jo , kjo nuk dihet nga opinioni ynë publik. Dhe përderisa nuk ka ndonjë njoftim zyrtar, hamendësitë, deduksionet mbeten të natyrshme. Refuzimi nuk është pak.

Sigurisht, vendimi për ekstradimin e Çekajt i takoi Gjermanisë firmëtare si dhe Shqipëria e Konventës Europiane të Ekstradimit. Në të tilla raste, çështja nuk mbetet vetëm në kufijtë e dosjes së paraqitur për të kërkuarin. Pra, procesi i ekstradimit nuk është thjesht tekniko-ligjor. Në procedurën e vendimit për ekstradim janë disa institucione që përfshihen. Secili i pavarur nga tjetri, me fuqi bllokuese, por që nuk gjykojnë të njëjtin aspekt. Nëse Gjykata e Apelit jep vendim pozitiv për ekstradim, ajo bazohet në faktet dhe ligjshmërinë e provave të paraqitura nga organet e drejtësisë së vendit kërkues. Më pas, vendimi i takon qeverisë. Ministria e Drejtësisë, së bashku me atë të Jashtme, nuk gjykojnë mbi dosjen dhe as influencohen prej saj. Gjykata është pushtet i pavarur. Qeveria gjykon mbi garancitë që jep vendi kërkues, konkretisht Shqipëria. Për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Standard të respektimit të të gjithë të drejtave të individit të akuzuar. Dhe nëse ky vendim është negativ, ekstradimi refuzohet. Në rastin konkret, vendimi i shteti gjerman është refuzim i ekstradimit të Çekajt. Kjo është e rëndë. Në lojë janë besueshmëria dhe autoriteti i shtetit shqiptar. Cilësia e Reformës në Drejtësi.

Garanci kërkoi edhe ligjvënësi ynë për të mos ekstraduar të dënuarit në mungesë. Edhe sikur Çekaj të ketë pasur veprimtari kriminale në Gjermani, ai nuk ka mundur të importojë kaq shumë kokainë në atë vend. Për rrjedhim, krimi për të cilin akuzohet në Shqipëri do të ketë përparësi ndaj atij eventual në Gjermani. Ndaj dhe ekstradimi do të ishte i mundur. Edhe nëse i kërkuari ynë dënohet, përsëri ka hapësira ligjore që ta kthejnë në Shqipëri.

Nuk e di se sa të drejtë ka shteti turk në kërkesën për ekstradim të shtetasit të saj Gylen, por ai nuk i dha dot garanci SHBAsë. Refuzimi i shtetit amerikan ka çuar në një degradim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ekstradimi i Gylenit nuk u kthye në çështje bashkëpunimi, siç thotë çuditshëm ministri. Në rastin tonë, bëhet fjalë për të akuzuarin kryesor të importit të një sasie kokaine të paparë në Shqipëri. Pavarësisht se kemi të bëjmë me profile të ndryshme, por tashmë dihet se Gjykata e Apelit e Kroacisë e aprovoi ekstradimin e Ballist Morinës drejt Serbisë. Gjithë opinioni shqiptar u shqetësua. Edhe nivele të larta politike të vendit. Dhe qeveria kroate e refuzoi ekstradimin. Për këtë vendim, ajo nuk mori në shqyrtim fajësinë ose jo të Morinës. Atë e kishte përcaktuar Gjykata e Apelit. Shteti kroat mori në konsideratë marrëdhëniet Serbi, Kroaci, Shqipëri. Dhe dëshmoi afërsi me vendin tonë. Serbia nuk jepte garanci për gjykim të paanshëm, të drejtë dhe i paragjykon shqiptarët.

Kurse ministri ynë thotë se tashmë është çështje bashkëpunimi. Po nëse Çekaj ekstradohej drejt Shqipërisë, nuk do të kryhej ky bashkëpunim? Po vetë ekstradimi nuk është bashkëpunim? Madje i nivelit më të lartë sepse tregon besueshmëri, reciprocitet. Jo! Nuk është kështu siç thotë ministri. Shteti gjerman e ka refuzuar ekstradimin. Ai nuk beson në drejtësinë shqiptare, në garancitë e ofruara prej saj. Dhe nuk duhet harruar se refuzimi i ekstradimit në rastin konkret merr përmasat e një refuzimi të statusit të vendit kandidat në këtë kohë, kur Shqipërisë i duhet të japë prova konkrete se lufton seriozisht krimin e organizuar.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura