Fondi prej 270 mijë eurosh i BE-së për arsimin shkon për sallonin e bukurisë

Oct 14, 2020 | 23:50
SHPËRNDAJE

Në Maqedoninë e Veriut kanë nisur hetimet, për shkak të dyshimeve se një agjenci për arsim, ka ndarë 270 mijë euro për një sallon flokësh. Këto para janë fonde të Bashkimit Evropian të dedikuara për arsim.

A1C90C9B-C5C2-409C-BB37-33254E2ECD4F_w1023_r1_s

Lidija Dimova si drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, është vendosur në fokus të opinionit pas publikimit të hulumtimit të portalit ‘A1on’, ku theksohet se këto mjete, nga programi arsimor ‘Erasmus’ i janë ndarë sallonit të floktarisë dhe ondulimit, “V.E.Z. Trade”, që është në pronësi të Zoran Zllatkovskit.

Policia Financiare në koordinim me Prokurorinë për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nuk kanë dhënë shumë detaje për të mos u dëmtuar procesin hetimor.

Dyshimet kanë të bëjnë me atë se fondet evropiane u janë ndarë firmave, të cilat në bazë të dhënave të regjistrit qendror, veprimtari primare nuk e kanë edukimin.

Si problematike është parë edhe ndarja e mjeteve nga fondet evropiane për projektin e trajnimit të gomarit kroat në vlerë prej 80 mijë euro për një shkollë.

Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit i cili është duke e udhëhequr këtë lëndë, bën të ditur se që nga muaji maj, në adresë të këtij institucioni kanë mbërritur pesë denoncimet e para anonime me dyshimin se drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane, Lidija Dimova, ka keqpërdorur mjetet e fondeve evropiane.

Bajrami gjithashtu bën të ditur se deri te Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka arritur edhe denoncim nga një subjekt juridik për keqpërdorimin e buxhetit shtetëror, përkatësisht lidhur me një furnizim publik nga ana e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane.

“Numri i paraqitjeve lidhur me institucionin në fjalë ka arritur në pesë paraqitje apo denoncime, të cilat përmbajnë dyshime të ndryshme lidhur me punën e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, nën dyshimin se ata i përshkruhen udhëheqësisë aktuale apo zonjës Lidija Dimova. Kemi detektuar disa institucione te të cilat janë paraqitur denoncimet e njëjta nga persona anonimë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nuri Bajrami.

Ai njëherësh bën të ditur se Komisioni për parandalimin e korrupsionit lidhur me këtë lëndë tashmë ka kërkuar informata nga institucionet relevante, siç është Ministria e Arsimit, drejtoria e Policisë Financiare, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati i punës dhe ai për arsim.

“Nga përgjigjet që i kemi marrë nga institucionet përkatëse, jemi informuar se këto institucione tashmë kanë filluar me ndërmarrjen e veprimeve konkrete lidhur me dyshimet e shtruara që kanë të bëjnë me dyshimet e ngritura për punën e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri”, ka thënë Bajrami.

Nga Prokuroria Publike kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë proceduar denoncimet që kanë arritur në Komisionin për parandalimin e korrupsionit, e që kanë të bëjnë me lëshimet financiare sa i përket punës së Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, por edhe denoncimin që drejtuesja e kësaj agjencie, Lidija Dimova ka bërë për punën e strukturës së kaluar të institucionit në fjalë.

Nga prokuroria kanë theksuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që ky rast të zbardhet plotësisht.

Ndërkohë nga Komisioni Evropian kanë bërë të ditur se tashmë po hetohen të gjitha informacionet për keqpërdorimin e mjeteve evropiane dhe nëse konstatohet parregullsi në shpenzimin e këtyre mjeteve, atëherë shteti si garantues, do të duhet t’i kthejë këto mjete prapa në Bashkimin Evropian.

Por, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, Lidija Dimova në një konferencë për mediat të mërkurën, i ka quajtur të pabaza akuzat për keqpërdorimin e mjeteve evropiane, duke theksuar se çdo financim i projekteve është realizuar në përputhje të plotë të procedurave për shfrytëzimin e fondeve programi “Erasmus Plus”.

Dimova madje është shprehur se nuk ndjehet aspak fajtore duke theksuar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti i drejtoreshës së kësaj agjencie.

“Jam shumë e lumtur nëse vërtet ato (institucionet) kanë hapur hetim për rastin. Ajo që është me të vërtetë është problematike është njollosur se programi ‘Erasmus Plus’, i cili aktualisht është programi më i popullarizuar në Bashkimin Evropian”, tha Dimova. /Rel/

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura