Fondi, Fieri dhe Buxheti

Oct 5, 2017 | 10:31
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Pas Lu-së, FMN-së dhe akuzave të opozitës, Kryeministri Rama më në fund ka folur për publikun. Edhe pse nuk pritej, ndryshe nga zakonisht konsultimet për buxhetin e vitit të ardhshëm, dokumentit më të rëndësishëm të shpërndarjes së parave të një shteti, nisën që në fillim të muajit tetor, në Fier. Mbetet e paqartë nëse do të jetë një platformë diskutimesh ku qeveria prezanton veten apo do të dëgjohen më shumë kërkesat e komuniteteve.

Në të dyja rastet transparenca dhe vëmendja ndaj rastit “buxhet” është lajm pozitiv. Në fjalën e tij Rama tregoi disa detaje lidhur me aspektin fiskal dhe administrativ të vitit të ardhshëm: Zhdukje e certifikave dhe burokracisë ekonomikisht shteruese, përfshirje të biznesit të vogël në regjimin e TVSH, finalizim të kadastrës fiskale, realizimin e projektit 1 miliard për rindërtim, mbështetje të rritjes ekonomike përmbi 5%, 10 vjet pa taksa për hotelet me pesë yje etj.

Janë ndërhyrje të duhura dhe të pritura, por nuk mjaftojnë. Sipas publikimeve mbi raportet e investimeve të huaja për gjashtëmujorin e parë 2017, ashtu si ishte paralajmëruar, efektet e rënies së peshës së likuiditetit nga projektet madhore të energjisë kanë filluar të ndihen. TAP dhe Devoll Hydropower, të cilët mbanin mbi 60% të hyrjeve nga jashtë, tashmë do të fillojnë të përfundojnë këtë mision financiar sublim për vendin tonë.

“Nëse brenda vitit 2020 do të kemi një dilemë mes uljes së shpenzimeve, huamarrjes së shtuar dhe rritjes së taksave, duhet absolutisht të mos ndërhyjmë në shtimin e peshës fiskale”, janë fjalët e Theresa May drejt këshilltarëve të saj ekonomikë. Në vitin 2019, sikur asgjë të mos ndryshojë, do të mbetemi vetëm me investimet nga industria nxjerrëse, nga aktivitetet financiare, nga telekomunikacioni, si dhe nga prurjet në sektorin e pasurive të paluajtshme. Duke iu referuar këtyre fronteve dhe historisë së tyre investuese, mund të parashikojmë se do të kontribuojnë me rreth 350 milionë euro në IHD, larg shifrës 950 milionë euro me të cilën u mbyll viti 2016.

Atëherë, si do të zëvendësohen këto mungesa në buxhetin e shtetit? Kjo duhet të jetë pyetja me të cilën fle dhe zgjohet qeveria. Kjo çështje ka dy anë, njësoj si pikturat, atë nga e cila nuk duhet ta mbështesim dhe atë nga duhet ta vështrojmë. Nëse funksionon ky paralelizëm, e para do të ishte analiza e fundit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e dyta pikërisht termi “model i ri ekonomik”, i cili potencialisht mund të kthehet në politikën më të rëndësishme kombëtare.

ÇFARË THA FMN NË RAPORTIN E SAJ?

Ndër zbulimet e grupimit skanues të Fondit renditen shumë aspekte që kërkojnë vëmendje. Aty thuhet se pavarësisht nga fuqizimi i rimëkëmbjes, konsolidimi fiskal pritet të ngadalësohet në përfundim të vitit 2017. Gjithashtu, parashikimi për periudhën afatmesme duket i favorshëm, me kusht që të mbahet ritmi i reformave. Ekspertët ndërkombëtarë kanë arritur në përfundimin se nevojiten masa shtesë për të mobilizuar burime për shpenzimet e rritura prioritare në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.

Më tej konsulentët me bazë në Washington vlerësojnë se respektimi i programit buxhetor afatmesëm është me rëndësi për uljen e rrezikun e angazhimeve të pafinancuara dhe të detyrimeve të prapambetura. Për sa i përket programit 1 miliard euro, të cilin kryeministri e ritheksoi ditën e djeshme, programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Ndërsa për sa i përket tregut financiar, zhvillimi i institucioneve të tregut të kapitalit kërkon standarde të larta në fushën e transparencës dhe drejtimit të brendshëm.

Ashtu si paralajmëroi dhe krijimi i bursës së parë private shqiptare, njëkohësisht me rëndësi kryesore për thellimin financiar do të jetë edhe një treg dytësor likuid për letrat me vlerë. Këto janë rreziqe iminente, por shkëlqejnë në mungesë të problemeve të ardhshme.

ÇFARË MUND TË BËJË QEVERIA RAMA 2 NË KËTË MANDAT 4-VJEÇAR?

Modeli i ri ekonomik nuk është thjesht një fjalë e bukur në horoskopin politik të parlamentit. Për të shmangur mungesat e ardhshme në paratë e derdhura për sektorin energjetik, ashtu si shpjegohet në paragrafët e parë të këtyre radhëve, duhet patjetër të mbështetet prodhimi. Fermat, fabrikat, industrinë përpunuese, kapacitetet nxjerrëse, software të teknologjisë, si dhe produktet e dijes janë e vetmja mënyrë që kemi për të konkurruar në rajonin dhe botën e cila teoritë e David Ricardos më shumë i kujton sesa i aplikon.

Buxheti i vitit 2018 dhe i viteve pas tij ka për detyrë të incentivojë, mbështesë dhe frymëzojë pikërisht këta operatorë ekonomikë. Prodhuesit janë ata që krijojnë vendet e punës, jo administrata shtetërore. Shërbimet kapilare të një shoqërie relativisht të re janë adrenalina financiare e këtij vendi dhe jo punësimet e partisë. Kultivimi dhe eksportimi i dijes është zgjidhja e vetme në mungesë të një “naftësjellësi” hipotetik të ardhshëm. Çfarëdo takse apo subvencionimi që respektivisht pengon apo ushqen këta aktorë të lëmit zhvillimor të këtij vendi duhet të zhduket apo reflektohet në buxhetin e vitit 2018. Volteri shpjegonte se “Në përgjithësi, puna e një qeverie është tërheqja e parave nga atje ku janë, për t’i dërguar atje ku duhen”.

Meqë jemi 3 muaj përpara miratimit legjislativ të buxhetit, meqë ndodhemi përpara shumë aktiviteteve dëgjimore apo këshillimore të qeverisë me palë të treta qytetare e tregtare dhe meqë kemi hyrë në gjysmën e varfër të investimeve të mëdha ekzistuese, na takon të transmetojmë alarmin dhe njëkohësisht të punojmë për zbulimin e zgjidhjeve përpara se të thahen paratë nga jashtë. Derisa kompani si Google apo Tesla të vendosin të investojnë në Shqipëri, këto janë rrugët e vetme të shpëtimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura