Fondet për bujqësinë/ Peleshi: Fermerët, 3 muaj kohë për financimin e projekteve

Nov 16, 2018 | 9:31
SHPËRNDAJE

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural filloi turin e informimit të fermerëve mbi thirrjen e parë të aplikimeve për mbështetje në bujqësi, agropërpunim dhe zhvillim rural nëpërmjet IPARD II.

peleshi

Dorëzimi i aplikimeve nis më 30 nëntor dhe do të mbyllen më 30 janar 2019. Aplikimet për mbështetje në tre masat e IPARD do të dorëzohen pranë zyrës qendrore të AZHBR. Grandet në bujqësi do të mbështesin: investime në fermë deri në 70 për qind të vlerës, për investime nga 10,000 euro deri në 500,000 euro; investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale deri në 50 për qind të vlerës për investime nga 25,000 euro deri në 2,000,000 euro; investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat (agroturizëm, turizëm rural, produkte tradicionale etj.) deri në 65 për qind të vlerës për investime nga 10,000 euro deri në 400,000 euro. Ministri Peleshi i pranishëm në takimin e parë të këtij turi informues me fermerë dhe sipërmarrës në Qarkun e Tiranës, e konsideroi këtë program si mundësinë më të madhe që bujqësia dhe fshati ka pasur ndonjëherë.

“Mbështetja më e madhe që bujqësia shqiptare, agropërpunimi, zona rurale, ka pasur ndonjëherë në të paktën 30 vitet e fundit. Në datën 30 nëntor fillojmë të presim aplikimet, kjo thirrje qëndron e hapur deri në fund të janarit, pra kemi 3 muaj kohë për të kthyer një projektide apo një dëshirë në një projekt aplikimi, ky është qëllimi i këtij turi që filluam dhe do të shpërndahemi me intensitet të lartë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ministri.

Peleshi theksoi edhe njëherë mundësitë e mbështetjes që krijon IPARD. “Masa e parë që mbështetet nga IPARD-i, janë investimet në fermë, në bujqësi edhe blegtori, mbështeten investime në vlerën nga 10,000 deri në 500,000 euro, në masën minimalisht 60%”, tha ministri i Bujqësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura