Fondet e pensioneve, sa do të rriten për tri vite

Feb 11, 2016 | 12:01
SHPËRNDAJE

Qeveria e kishte lënë bosh kolonën e rritjes së pensioneve në programin ekonomik të viteve 2016-2019. Por një sqarim i mëvonshëm i Ministrisë së Financave thekson se rritje do të ketë.

Më saktë, bëhet fjalë për indeksim të pensioneve. Pas paktit me FMN-në dy vite më parë, qeveria ka ngrirë rrogat e administratës dhe rritjen e pensioneve. Për këto të fundit është parashikuar vetëm indeksim sipas inflacionit të një viti më parë.

qeveria

Të 650 mijë pensionistët e kujtojnë rritjen qesharake të një viti më parë, me 1.4 për qind. Por këtë vit, të paktën nga fondet e parashikuara në buxhet, pritet që rritja të afrohet në 2 për qind. E njëjtë pritet të jetë deri në vitin 2019. Qartësisht, qeveria nuk do të rrisë të ardhurat e shtresës më në nevojë të shoqërisë, duke i qëndruar kështu besnike FMN-së dhe uljes së shpenzimeve.

PARASHIKIMET Në kuadrin makroekonomik dhe fiskal 2017- 2019, në zërin “Politika të reja pensionesh” nuk ka asnjë shifër. Normalisht kjo do të thotë se nuk do të kishte asnjë lëvizje në të ardhurat e pensionistëve. Por vetë Financat sqaruan dje se do të ketë një rritje.

“Fondi i përcaktuar për rritjen e pensioneve është i përfshire në fondin total të shpenzimeve të Fondit të Sigurimeve Shoqërore për vitet 2016-2018 në mënyrë që të përputhet plotësisht me përcaktimet ligjore të buxhetit 2016”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Por sa do të jetë ky fond. “Fondi i parashikuar për rritjen e pensioneve për periudhën 2016-2018 është: 1,170 milionë lekë për vitin 2016, 1,250 milionë lekë për vitin 2017, 1,335 milionë lekë për vitin 2018 dhe 1,400 milionë lekë për vitin 2019”. Shifrat duken të larta, por realisht nuk janë.

SA RRITEN Në verën e kaluar, qeveria vendosi rritjen e pensioneve me 1.4 për qind. Vendimi “Për indeksimin e pensioneve” kishte edhe një faturë financiare. “Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 568.000.000 (pesë- qind e gjashtëdhjetë e tetë milionë) lekë”.

Pra afërsisht sa gjysma e fondit të parashikuar për këtë vit. Nga ana tjetër, edhe inflacioni i këtij viti është lëkundur në shifrat nën 2 për qind. Qartësisht, qeveria ka vendosur vetëm të indeksojë pensionet. Kaosi me shifrat në “Kuadrin makroekonomik dhe fiskal 2017-2019” është edhe më i madh.

Kështu vjet qeveria kishte parashikuar 1.2 miliard lekë për politika të reja pensionesh, dhe shpenzoi vetëm 568 milionë lekë, pra gjysmën. Edhe këtë vit, Financat thonë që shifra e “politikës së re për pensionet” është 1,170 milionë lekë, pra më pak se vjet, por duhet të pritet fundi i qershorit për të kuptuar sa do të shpenzohen për rritjen, apo indeksimin e pensioneve.

Për ta qartësuar, indeksimi i pensioneve është një kusht ligjor, pra nuk ka lidhje a është bujare apo jo qeveria. Çdo qeveri e ka detyrim indeksimin. Rritja e pensioneve është një tjetër zë, që varet nga politika sociale e qeverisë, në favor ose jo të pensionistëve.

Fakti që qeveria i llogarit shpenzimet për pensionet në fondin e sigurimeve shoqërore, do të thotë që nuk bëhet fjalë për rritje, por thjesht për zbatimin e detyrimit të indeksimit të tyre.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura