“Foltorja përpiqet të bëjë puç institucional”/ Anëtari i Kryesisë së PD: Kërkon të delegjitimojë opozitën, ta bëjë humbëse me SHBA-në! Duhet të gjejmë një mënyrë që…

Dec 11, 2021 | 19:43
SHPËRNDAJE

Kuvendi Kombëtar, që u zhvillua sot, i thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe vendimet e marra prej tij, ishin pjesë e diskutimeve të Kryesisë së Partisë Demokratike.

fitimzekthipd

Anëtari i Kryesisë, Fitim Zekthi ka shprehur kritika të shumta, për atë që ai e quan “organizatë revolucionare”. Burime për Panorama.al, bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë pasdite, Zekthi shprehet se Kuvendi Kombëtar i sotëm, kërkon të delegjitimojë opozitën.

Sipas tij, kjo lëvizje di të çojë në një përplasje brenda partisë çka mund të shkaktojë dhe krisje të marrëdhënieve me SHBA-në. Më tej, Fitim Zekthi deklaroi se “Foltorja” po përpiqet ose të bëjë revolucion, ose grusht shteti.

“E konsideroj atë që ndodhi sot në stadium si kulmimin e një lëvizjeje që kërkon të deligjitimojë jo thjesht institucionet e PD por opozitën në tërësi. Ajo kërkon ta nxjerrë plotësisht opozitën nga legjitimiteti dhe ta fusë atë në një trajektore përplasjeje absurde, padiskutim humbëse me SHBA, ta fusë në një rrugë në të cilën hyjnë vetëm organizatat revolucionare. Organizata të tilla apo lëvizje të tilla si Foltorja në fund përpiqen të bëjnë ose revolucion ose grusht shteti. Marrëdhëniet tona me SHBA janë jetike jo sepse ato janë vendi më i fuqishëm në botë por sepse janë garanti deri edhe i mëvetësisë sonë, janë shpresa se mund të kemi një Shqipëri më të mirë. Pa SHBA-në në Shqipëri do kemi ose diktaturë ose luftë civile. Gjithashtu SHBA është vendi i vlerave të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe garanti më i madh i këtyre vlerave në botë. Ne, vendi ynë ka patur, edhe me herët, akte si ky i kuvendit të Foltores” – tha Zekthi.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fitim Zekthi thotë se Kuvendi Kombëtar i zhvilluar këtë të shtunë, mbart të njëjtin mllef dhe është ilegjitim po aq sa ngjarja e 21 janarit.

“Kemi patur revolucionin e Nolit, kemi patur Kogresin e Përmetit ku Enver Hoxha rrëzoi Kushtetutën, ndaloi mbretin Zog dhe ngriti organe të reja pushteti…Mendoj se duhet të gjejmë një mënyre që lëvizje si Foltorja të mos shkatërrojnë opozitën. Duhet të jemi të qartë në mbrojtjen e të djathtës, konservatores, lirisë dhe të drejtës. Këshilli Kombëtar të thotë në rezolutë që ilegjitimiteti, institucionet paralele, gjuha konspiracioniste, sulmet ndaj njerëzve dhe demokratëve, denigrimi i vendimeve të SHBA nuk mund të pranohen.

Kjo është një ndarje bazike, këtu ndahet përdorimi për interesa personale i çdo mjeti, i çdo sharjeje, i çdo sulmi ndaj votës, përdorimi i demokratëve  mizorisht si trupa njerëzore nga nevoja për politikë të drejtë, për mbrojtje të parimeve të lirisë dhe demokracisë, për vënien e interesit të vendit përpara gjithçkaje. Sot jam ndjerë i sulmuar, sot Shqipëria është ndjerë e sulmuar, e fyer, e poshtëruar si në datën 21 janar kur Rama dhe PS-ja me një grup njerëzish sulmuan kryeministrinë. Ishte po ai mllef, po ajo paligjshmëri, po ajo forcë që shkon në drejtim qorr kundër vendit. Nuk jam për përjashtime por kushdo zyrtar i PD që mbron këtë rrugë dhe sjellje antipolitike, ilegjitimiste, linçuese, anti të djathtës dhe kundër interesit të PD-së nuk mund të mbajë dhe përfaqësojë PD-në” – përfundoi fjalën e tij Zekthi.

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha e shkarkoi kryedemokratin Lulzim Basha. Nga votimet, 4446 delegatë u shprehën pro shkarkimit, 36 kundër dhe 9 vota u nxorrën të pavlefshme.

Pas përfundimit të punimeve në Kuvendin Kombëtar, ish-kryeministri Berisha u shpreh në një prononcim për mediat se revolucionin nuk e rrëzon dot askush. Ai u shpreh se kryeministri Rama po mbron Lulzim Bashën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura