Folklori me motive xhazi i Elina Dunit

Dec 17, 2012 | 14:13
SHPËRNDAJE
Foto: Blerta Kambo

Vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe regjisorit Spiro Duni, emigruar me të ëmën që pas moshës 10-vjeçare në Zvicër, vjen në Tiranë me një koncert ku gërshetohet muzika jazz me tekstet e folklorit shqiptar. “Matanë malit” është albumi i saj më i ri, që të hënën do prezantohet nga Elina Duni kuartet.

Dashur padashur, ajo “hija” që të dhuron qytetërimi tjetër, është e dukshme që së largu. Duket në mimikë, në të qeshur, në sjellje. Sportiviteti i Elina Dunit, këngëtares së muzikës jazz, ta themi, (ta dëgjojnë!) nuk është fare shqiptar. As mënyra e të kënduarit… Sidomos kur pas saj është kuarteti i instrumentistëve të huaj, që e shoqërojnë gjithandej nëpër turneun që ka ndalur në Tiranë. Nesër me Elina Duni kuartet do të njihemi më mirë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo do të prezantojë këngët e albumit të saj të tretë “Matanë malit”, këngë, teksti i të cilave bazohet kryesisht në folklorin shqiptar. Gjendet aty-këtu edhe ndonjë poezi e Ismail Kadaresë, si “Kristal” apo e Besa Myftiut, të ëmës së Elinës.
“Vajza e valëve” të Himarës, siç është një nga këngët e saj, por edhe si shpesh ajo vetë e sheh veten në kujtime, është e bija e shkrimtares Besa Myftiu dhe regjisorit Spiro Duni. Pas lindjes në Tiranë, ka qëndruar këtu vetëm për 10 vitet e para të jetës, për të ardhur më pas, vazhdimisht jo vetëm për pak ditë, me pushime. Për të shkuar në Himarë, në

Elina Duni dhe shkrimtarja Besa Myftiu

Dhërmi… sado që, pas çdo vizite, shija që kishte nga dëmtimi i natyrës nuk ishte fort e mirë. Sot, Elina përcjell mesazhe përmes këngës pikërisht për këtë natyrë që e la pas fare fëmijë e emigroi me të ëmën në Zvicër në vitin 1992. Studioi piano klasike në Konservatorin e Gjenevës e vijoi në shkollë të mesme artistike, e gatshme kështu, të ndiqte studimet e larta për kanto, kompozicion në degën jazz të Shkollës së Lartë të Arteve në Bernë. Ishte pikërisht kjo koha, kur u krijua edhe i gjithë grupi me Colin Vallon në piano, Patrice Moret në kontrabas dhe Norbert Plammatter në bateri. “Përpiqem të sjell sjell jazz-in në Shqipëri përmes folklorit, ndërsa jashtë të përcjell folklorin jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit, përmes jazz-it”. Sepse nuk është muzikë e “kalueshme” në veshin e të gjithëve. Por përmes teksteve që Elina ka zgjedhur ta tregojë, mund të bëhet. Nëse nuk do klikonit për të 100-ën herë në youtube “Skyfall”, por një nga këngët e Elinës, do ta kuptonit që po. Sado që, ajo vetë e di se nuk ka qenë e lehtë. As këtu e as jashtë.
“Publiku është shumë i ndjeshëm ndaj muzikës sonë, veçanërisht ndaj këtij gërshetimi që ne bëjmë, duke krijuar kështu edhe ura mes njerëzve. Jashtë, i përkthej gjithnjë këngët dhe reagimi i atyre që i dëgjojnë është shumë emocionues. Në kohën që unë jam larguar nga Shqipëria, nuk mendoj se folklori u përkiste njerëzve, sepse ishte i udhëhequr nga partia, ndërsa tani ne kemi mundësinë ta rizbulojmë. Ka qenë pikërisht dashuria ndaj tij që më bëri të kërkoj e të zbuloj jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Ballkanit”. Meqë të vërtetën e artit e kishte mësuar në vite nga dy prindër artistë, me zbulimin e folklorit dhe me muzikën jazz zbuloi edhe se nuk është vetëm muzika komerciale ajo që shkon brenda njerëzve. “As në Europë nuk është e lehtë të

Elina Duni me instrumentistët

ecësh përpara në rastin e një muzike jokomerciale, por fundja kjo është e gjitha një rrugë që nuk mbaron kurrë. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, atje është infrastruktura e tillë që mbështet artin jokomercial. Duhet të ndodhë kjo gjë gjithandej, sepse kemi nevojë për gjëra që na thellojnë”. Thënë këtë, Elina Duni i pret të gjithë në koncert, aty ku mund ta mësojnë këtë përmes muzikës së saj.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura