FMN tërheq vëmendjen: Kujdes me koncesionet, kostot të bëhen transparente

Dec 15, 2017 | 8:05
SHPËRNDAJE

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi dje konsultimet për artikullin e katërt me Shqipërinë.

ahmetaj-fmn

Në raportin për Shqipërinë drejtorët e bordit të FMN-së vlerësojnë se, gjatë 4 viteve të fundit, dobësitë fiskale dhe financiare janë ulur, por për qeverinë mbetet sfidë zbatimi i projekteve me koncesion sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, shkruan “Panorama”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon bërjen transparente të detyrimeve për projektet me partneritet publik privat për të reduktuar risqet fiskale.

“Duke pasur parasysh rreziqet fiskale të paraqitura nga agjenda e re e PPP-ve, Ministria e Financave duhet të sigurojë zbatimin e duhur të kornizës të PPP-ve duke përdorur kompetencat ligjore e zgjeruara kohët e fundit për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve të PPP-ve. Në kundërshtim me praktikën aktuale, ndikimi i PPP-ve në llogaritë fiskale duhet të vlerësohet dhe reflektohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”, thuhet në raportin e FMN-së.

Bordi i FMN-së, i rekomandon qeverisë, të vendosë një kufi për vlerën totale të gjithë kontratave me koncesion.

“Zbatimi i kornizës së re të PPP-ve është një sfidë. Stafi rekomandon futjen e një kufiri sasior mbi vlerën totale të të gjitha kontratave me Partneritet Publik Privat, përveç kufirit aktual për pagesat buxhetore vjetore të lidhura me PPP-të, për të ndihmuar në mbulimin e rreziqeve. Stafi gjithashtu theksoi nevojën për të përmirësuar kapacitetin e Njësisë së Rreziqeve Fiskale për të ndërmarrë analizën e kontratave të reja të PPP-së dhe për të fuqizuar INSTATin për të regjistruar PPP-të në llogaritë fiskale dhe statistikat për borxhin në përputhje me praktikat ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Bordi i FMNsë theksoi se qeveria ka nevojë për të mbledhur më shumë të ardhura, duke iu shmangur uljes së taksave ose dhënies së përjashtimeve të reja apo politikave preferenciale të taksave. FMN mbështet përpjekjet e administratës tatimore për të luftuar informalitetin dhe përshëndetën planin qe qeverisë për futjen e taksës së pronës, por vlerëson se ulja e pragut të TVSH-së mund të ulë të ardhurat.

“Masa të tjera janë të nevojshme për të rritur të ardhurat dhe për të mbështetur konsolidimin. Futja e tatimit të pronës bazuar në vlerë është i mirëpritur, por të dyja duhet të planifikohen me kujdes. Autoritetet duhet të marrin parasysh masat shtesë të të ardhurave, duke përfshirë zgjerimin, bazën tatimore. Autoritetet duhet të përjashtojnë uljen e taksave ose trajtimet preferenciale të taksave. Përjashtimi i taksave dhe pragu i TVSH-së mundet të komplikojnë sistemin e taksave dhe të ulin ndjeshëm të ardhurat”, thuhet në raport.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura