FMN “shuplakë” qeverisë për PPP-të: Mungon transparenca! Borxhi pritet të rritet në 80 për qind të PBB-së, ndër më të lartit në rajon

Oct 13, 2021 | 8:59
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka kursyer kritikat në adresë të qeverisë mbi koncesionet, apo ato që njihen ndryshe edhe si PPP-të.

Në konferencën e përbashkët me ministren e Financave, Delina Brahimaj, dhe guvernatorin e BSH-së, Gent Sejko, të zhvilluar dje, shefja e Misionit të FMN për Shqipërinë, Yan Sun, tha se stoku i partneriteteve publike private pritet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind që ishte në vitin 2018. Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin), shtoi shefja e FMN-së, janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020, ndërkohë që sfidë mbetet mungesa e transparencës mbi tejkalimin e kostove, afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve.

Për Fondin Monetar ndërkombëtar, mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është po ashtu një sfidë kryesore. Nga ana tjetër, skemat e garancive për sektorin privat aktualisht në diskutim, mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane (që po rriten) si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shtojnë rreziqet fiskale. Në lidhje me rritjen ekonomike, FMN-ja parashikon që të normalizohet në 3.8 për qind në vitin 2022, duke reflektuar më pak mbështetje nga politikat fiskale dhe maturimit të efektit të rimëkëmbjes.

Ndërsa për këtë vit, ministrja e Financave tha se rritja parashikohet të jetë rreth 7.6 %. “Ne parashikojmë një rritje prej rreth 7.6% për këtë vit, ndërsa për periudhën afatmesme parashikojmë që ajo të konvertojë dhe stabilizohet rreth nivelit 4%. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në periudhën afatmesme do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet”, u shpreh Ibrahimaj.

NGA DEKLARATA E FONDIT MONETAR NDËRKOMBËTAR

Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020, aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm. Politikat luajtën rol kyç në ruajtjen e jetëve dhe mjeteve të jetesës, duke i hapur rrugë rimëkëmbjes ekonomike. Sfidat kryesore tani janë të dyfishta: Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit; së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur deficitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik.

Mënyra për të kapërcyer këto dy sfida është ndërtimi i një strategjie ambicioze për të rritur të ardhurat tatimore dhe përmirësimi i transparencës dhe cilësisë së investimeve publike. Me një tjetër mandat, qeveria është e mirë vendosur për të adresuar këto sfida dhe për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të interesuar të shoqërisë në funksion të këtij qëllimi.

Konkretisht: Tani është koha për të miratuar një plan të besueshëm të rregullimit fiskal afatmesëm, mbështetur nga një strategji e shëndoshë e të ardhurave që duhet të ndërmerren në periudhën afatmesme. Ajo që nevojitet qe kjo strategji të jetë e suksesshme, është para së gjithash angazhim dhe udhëheqje e fortë politike. Në të njëjtën kohë, duhet rritur cilësia dhe transparenca e shpenzimeve publike ndërsa investimet publike tejet ambicioze të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) duhet të moderohen.

Më e rëndësishme, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, të ulë dobësitë që burojnë nga korrupsioni, të rrisë konkurueshmërinë që të mbështesë realizimin e qëllimeve dhe aspiratave të saj të zhvillimit afatgjatë. Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj dy goditjeve të mëdha pas një periudhe kontraktimi me 4 për qind në vitin 2020, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje të parashikuar prej 7.8 për qind në vitin 2021, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, pakësimi i kufizimeve të lëvizjes, prodhimi i lartë të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit në pjesën e parë të vitit, si dhe një sezoni turistik relativisht të mirë.

*** Ne parashikojmë që rritja ekonomike do të normalizohet në 3.8 për qind në vitin 2022, duke reflektuar më pak mbështetje nga politikat fiskale dhe maturimit të efektit të rimëkëmbjes. Norma e inflacionit është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, por inflacioni bazë deri tani ka mbetur i qëndrueshëm dhe presionet inflacioniste të ulëta.

*** Borxhi i përgjithshëm i qeverisë parashikohet të rritet në pothuajse 80 për qind të PBB-së, në fund të vitit 2021, ndër më të lartit në rajon. Borxhi pritet të bjerë gradualisht, pasi masat mbështetëse dhe rindërtimi të përfundojnë dhe të respektohet rregulli fiskal i një bilanci primar fiskal të paktën zero duke filluar nga viti 2024, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit (LOB). Pa përpjekje të mëtejshme për rregullim fiskal, ne parashikojmë që borxhi të mbetet mbi normën 70 për qind të PBB-së në periudhën afatmesme. Nevojat bruto të financimit të qeverisë mbeten të larta në rreth 20 për qind të PBB-së në vit. Bilanci i autoriteteve për të mbajtur nën kontroll deficitin fiskal dhe për të ulur borxhin përpara goditjeve u ka krijuar atyre besueshmëri dhe hapësirë për politikat e ndjekura, duke i lejuar të reagojnë shpejt për të mbrojtur Shqipërinë nga efektet më të renda të goditjeve.

Tani është thelbësore të përdoret rimëkëmbja ekonomike për të rikrijuar hapësirë për politikat fiskale. Një plan i besueshëm afatmesëm rregullimi është më mirë të formulohet tani dhe të zbatohet duke filluar nga viti 2022 duhet të përcaktojë masa për të zvogëluar deficitin primar në rreth 2 për qind të PBB-së në vitin 2022, si dhe të arrijë në mënyrë të qëndrueshme një balance primare pozitive prej rreth 1.5 për qind të PBB-së në vitin 2024. Themeli i një rregullimi të tillë të fiskal të besueshëm duhet të jetë një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (MTRS) që zgjeron bazën tatimore dhe të eliminon mundësitë për shmangie. Forcimi i besueshmërisë së kuadrit fiskal, rritja e cilësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike, dhe përmirësimi i monitorimit menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, janë gjithashtu të rëndësishme për sigurimin e financave të shëndetshme publike.

Forcimi i besueshmërisë së buxhetit dhe kuadrit fiskal do të ndihmojnë në ruajtjen e besimit të tregut dhe mbajtjen e kostove të huamarrjes të ulëta. Ndryshimet që lidhen me hartimin dhe zbatimin e LOB-së duhet të bëhen vetëm përmes procedurave normale parlamentare. Përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente duhet të ndërpritet. Një strategji rigoroze e menaxhimit të borxhit nevojitet për të udhëhequr vendimet e qeverisë për huamarrjen e jashtme tregtare, që i nënshtrohet rrezikut të luhatjes së kursit të këmbimit. MFE-ja duhet të vazhdojë të zgjerojë mekanizmat që përdor për menaxhimin e likuiditetit.

*** Rritja e shpejtë e stokut të partneriteteve publike private (PPP) —që pritet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind në vitin 2018—kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike (MIP). Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme.

Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti e MFE-së për të vepruar në mënyrë proaktive, si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe të angazhohet në mënyrë aktive në proceset e vlerësimit dhe monitorimit. Duhet te bashkërendohen proceset për projektet e financuara nga buxheti dhe PPP-të. Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet e bashkërenduara për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale në rritje. Mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore.

Skemat e garancive për sektorin privat aktualisht në diskutim, mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane (që po rriten) si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë rreziqet fiskale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit. Angazhimi i vazhdueshëm ndaj transparencës dhe llogaridhënies, mbështetur në sisteme të forta të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), mbetet prioritet. Masa për të rritur transparencën dhe llogaridhënien lidhur me shpenzimet e kryera me procedura emergjence duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe përdorimi i fondeve të rindërtimit duhet të jetë subjekt i kontrollove standarde të menaxhimit te financave publike.

Ne e mirëpresim përparimin për të krijuar një regjistër publik të pronarëve përfitues dhe presim përfundimin dhe publikimin e afërt të raportit të auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shpenzimet e lidhura me tërmetin dhe pandeminë në vitin 2020. Politika monetare lehtësuese mbetet e përshtatshme nëse përmbahen presionet inflacioniste. Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë (BSH) vazhdon të jetë e përshtatshme, pasi inflacion mbetet nën objektiv dhe pritshmëritë janë të ankoruara mirë. Ne presim që rritja në indeksin e çmimeve të konsumit—që vjen si pasojë e rritjes ndërkombëtare të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë të jetë kalimtare. Një zhvendosje në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare duhet të bazohet tek të dhënat, dhe tregues të qartë të zgjerimit të presioneve inflacioniste të qëndrueshme. Procesi i vetingut të gjyqtarëve ka përparuar më tej, por ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë më të trajnuar. Reformat e mbetura duhen të zbatohen me shpejtësi, sepse korrupsioni mbetet një pengesë kryesore për rritjen e barabartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura