FMN: Performanca fiskale keq, BERZH: Rritja 2.5 për qind

May 15, 2015 | 13:46
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar priste një performancë të dobët fiskale të qeverisë, por jo në nivelet aktuale të saj.

Përfaqësuesi i FMN gjatë një takimi me Ministrin e Financave Shkëlqim Cani

Në një intervistë për “Top Channel”, përfaqësuesi i FMN në Tiranë, Jens Reinke, ka vënë theksin pikërisht mbi këtë fakt.

“Performanca e të ardhurave në buxhet ishte zhgënjyese. Ndoshta, jo e gjitha në mënyrë surprizë. Paraprakisht, ne ishim në dijeni të disa faktorëve që do të kishin efekte negative te të ardhurat, mes tyre çmimi i ulët i naftës, i cili godet akcizën, TVSH-në dhe rentën. Gjithashtu, importi më i ulët i cigareve, por mbi të gjitha edhe inflacioni relativisht i ulët kanë ndikuar në këtë rezultat. Por, thënë këtë, këta faktorë nuk e shpjegojnë të gjithë rënien e të ardhurave, pasi ajo është më e lartë se këto efekte”, u shpreh Reinke.

Sipas tij, një ecuri e tillë lidhet edhe me ndryshimet e bëra te taksat, ku vitin e kaluar u bënë disa përjashtime, por me rëndësi është të gjenden arsyet që po shkaktojnë këtë situatë.

“Është ende herët për të dhënë konkluzione, e përsëris, por ndoshta është me vend të kujtojmë që vitin e kaluar qeveria bëri një sërë përjashtimesh nga taksat për disa sektorë të ndryshëm. Edhe pse në mënyrë individuale, këto përjashtime duken të vogla dhe nuk kanë efekt të madh në buxhet, ato kanë filluar të minojnë integritetin e sistemit tatimor, ndaj ne duam të diskutojmë me qeverinë se si t’i trajtojmë këto përjashtime taksash në të ardhmen”, shprehet përfaqësuesi i FMN-së.

Po dje një tjetër institucion financiar i rëndësishëm, siç është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dha parashikimet e saj për ekonominë shqiptare. Sipas kësaj të fundit rritja do të jetë jo më shumë se 2.5 për qind dhe për këtë ka disa arsye.

“Performanca makroekonomike e Shqipërisë përfitoi nga marrëveshjet e FMN-së në vitin 2015. Megjithatë, përmbytjet e mëdha që goditën vendin në fillim të këtij viti, niveli i lartë i kredive të këqija dhe efektet negative nga kriza e ekonomisë greke mbeten risqet më të mëdha. Parashikimi ekonomik i BERZH tregon një rritje të përmirësuar me 3.0 për qind në 2016, pas 2.5 për qind në 2015”, thuhet në raportin e BERZH-it.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura