“FMN, opozita e bizneset kërkojnë masa”/ Ndikimi i COVID-19, ‘DW’: Shqipëria rrezikon…

| 13:39
SHPËRNDAJE

Shqipëria lufton rreptësisht përhapjen e infeksionit COVID-19, por ndërprerja e jetës publike ka paralizuar shumë biznese në vend. FMN, opozita e bizneset kërkojnë masa për kufizimin e ndikimit ekonomik të pandemisë.

52789359_303

Në Shqipëri nis të hënën zbatimi i aktit normativ të qeverisë Rama për forcimin e masave në parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19. Ky akt, që ka fuqinë e ligjit, detyron përfshirjen e strukturave spitalore private, kur numri i të infektuarve mund të mos përballohet nga kapacitetet spitalore publike. Akti normativ detyron të gjithë qytetarët që të deklarojnë tek autoritetet historikun e udhëtimit të tyre nga vendet e prekura nga COVID-19 në Shqipëri dhe të vetë-izolohen për dy javë. Ai ndalon eksportimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore nga Shqipëria dhe parashikon gjoba të rënda për këdo që nuk zbaton  nenet e tij.

Akti normativ vjen pas mbylljes së fluturimeve në linjat ajrore me Italinë dhe Greqinë si edhe të gjitha pikave kufitare tokësore me të gjitha vendet fqinje; mbylljes së shkollave dhe universiteteve, bareve, restoranteve dhe gjithë qendrave kulturore, sportive ku ka grumbullime masive të njerëzve. Transporti publik është ndërprerë dhe qarkullimi rrugor funksionon pa kufizime vetëm për automjetet e furnizimit  me produkte ushqimore dhe ambulancat. Të punësuarit në sektorin publik apo privat, duke nisur nga kjo javë e re mund të qarkullojnë me automjetet e tyre vetëm deri në orën 8.00 të mëngjesit dhe vetëm nga ora 16.00 -17.00 të pasdites.

Brenda një jave – 21 herë rritje e numrit të të infektuarve

Autoritetet kanë paralajmëruar së këtë javë pritet “një furtunë rastesh” dhe situata do të rëndohet. Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik thanë të hënën për Deutsche Wellen, se numri i të infektuarve të shtruar në Spitalin Infektiv, të Qëndrës Spitalore,”Nënë Tereza”, në Tiranë ka arritur në 42 vetë dhe numri i rasteve të dyshuara është 532.  Kjo do të thotë që brenda një jave numri i të infektuarve është rritur 21 herë, duke patur parasysh që 2 të prekurit e parë u idetifikuan  më 9 mars. Tirana ka numrin më të madh të rasteve, 26 syresh, e ndjekur nga Fieri dhe Durrësi me 5 raste, Në qytetin bregdetar është shënuar edhe viktima e parë dhe e vetme deri tani, një grua 73 vjeҫare.  Virusi ka prekur më lehtë Lushnjën, Elbasanin, Rrogozhinën, kurse në jug të vendit nuk është identifikuar deri tani asnjë rast.

52323838_401

Për të përballuar shërbimet mjekësore ndaj shtimit të pritshëm të të infektuarve me COVID-19  po funksionojnë portalet zyrtare, “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” ku autoritetet shtetërore ftojnë të gjithë personat që kanë lidhje me shëndetësinë – mjekë, infermierë, farmacistë, laborante, profesionistë të shëndetit publik- të jenë të gatshëm të kontribojnë për menaxhimin e një situate më të rënduar.

Aktiviteti i parlamentit i bllokuar

Masat e parandalimit të përhapjes së COVID-19, vetë – izolimi në shtëpi i qytetarëve ka sjellë paralizën e aktivitetit parlamentar. Kjo situatë është kritike sidomos për ecjen përpara të reformës zgjedhore, kryerja e të cilës është një nga ҫështjet prioritare në rezolutën e Bundestagut gjerman lidhur me mundësinë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit në pranverën e këtij viti.

DW komunikoi me telefon me burime zyrtare nga Parlamenti që pohuan se tryeza e partive politike për të përfunduar reformën zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE / ODIHR-it  deri në15 mars është shtyrë për një afat të pacaktuar. Të njëjtat burime thanë që të gjitha takimet e komisioneve parlamentare janë anulluar për një kohë të pacaktuar. Aktiviteti i qeverisë zhvillohet online.

FMN: Ngadalësim i rritjes ekonomike    

Përfshirja e Shqipërisë në pandeminë globale të shkaktuar nga COVID-19 do të sjellë ngadalësimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë 2020, për një përkim në kohë të prekjes së partnerëve të saj kryesorë ekonomikë dhe tregtarë nga virusi me rindërtimin nga pasojat e tërmetit dhe përballimit të epidemisë së tanishme.

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, (FMN) që përfundoi në Tiranë ditët e fundit, parashikon në një deklaratë zyrtare se “perspektiva afatshkurtër për ekonominë shqiptare ka ndryshuar dukshëm gjatë tre muajve e gjysmë të kaluar. Tërmeti që goditi Shqipërinë në 26 nëntor do të dobësojë rritjen në vitin 2020. Shpërthimi global i COVID-19 pritet të ngadalësojë rritjen ekonomike më tej në vitin 2020. Shkalla e ngadalësimit është tejet e paqartë në këtë moment,” thekson misioni i FMN. Ai i sugjeron qeverisë  „të sigurojë burime financiare të mjaftueshme për sektorin shëndetësor për të mbështetur të prekurit nga COVID-19”.

19393228_401

Rreziku i krizës ekonomike

Vetë-izolimi dhe ndërprerja me ligj e aktivitetit të përditshëm të sipërmarrjes private rrezikon fillimin e krizës ekonomike në Shqipëri. Opozita i bëri të dielën (15.03) thirrje qeverisë që “të rishikojë pa vonesë buxhetin e shtetit 2020 dhe të ndërmarrë masa në mbështetje të qytetarëve, të punësuarve në sipërmarjes private”. Kryetari i PD dhe opozitës jashtë parlamentare ,Lulzim Basha i paraqiti qeverisë kërkesa për të lehtësuar me mbështetje financiare dhe lehtësira fiskale biznesin e vogël dhe të mesëm.

Edhe Unioni i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë i ka paraqitur qeverisë një paketë masash për të shmangur pasojat ekonomike të ndërprerjes së aktivitetit prodhues dhe tregtar dhe krizën ekonomike. Bizneset që po preken më shumë janë ato të  shërbimeve, turizmi dhe fasoneria.

DW

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.